BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Klodian Hoxha: Teatri do publikun, artistët të kenë më shumë hapësira e mundësi për artin e tyre

Klodian Hoxha: Teatri do publikun, artistët të kenë më

Në vepra teatrore shqiptare dhe të huaja, që janë vënë në skenën tonë aktori Klodian Hoxha ka spikatur me interpretimin e tij. Nga drama në komedi me role të ndryshme aktori Klodian Hoxha ka qenë pjesë e produksioneve të suksesshme në skenën teatrore. I njohur për publikun në skenën e teatrit, angazhimet e tij janë dhe me role edhe në kinemanë shqiptare. Regjisorë të njohur shqiptarë, por dhe të huaj i kanë besuar rolet në filmat që tyre. Në intervistën për “SOT”, aktori i njohur Klodian Hoxha vjen me një rrëfim për projektet e tij artistike, si dhe bashkëpunimet në vijim në fushën teatrit dhe të kinematografisë. Aktori tregon se ka bashkëpunime të tjera me filmin me regjisorë shqiptarë dhe të huaj, ndërsa shpreson që shpejt të hapen dhe skenat e teatrove në vend. Ai shprehet se dhe pse në një vit pandemie, në nëntor të vitit që kaloi ishte në skenën e amfiteatrit të Tiranës me komedinë “Venecia”, dhe tregon që do të rikthehet sërish. Për aktorin Klodian Hoxha ka shumë rëndësi dhe vlerësimi, që duhet të ketë artisti në jetën artistike. Ai thotë se më shumë hapësira duhet të ketë edhe për artistët e sektorit të pavarur, pjesë e së cilës është dhe ai vetë. Për aktorin Klodian Hoxha në aktivitetin artistik duhet punë dhe përkushtim, duhet të besosh fort në veten që të arrish ato që do.

-Si po kalojnë këto ditë për ju, si aktor çfarë mund të na thoni për projektet në aktivitetin artistik?

Pas një pauze disa mujore më në fund po kthehemi në normalitet. Unë sapo përfundova xhirimet e filmave “Target number one” me regjisor Andi Deliana dhe “Destination Murder” me regjisor Randall Paul.

- Për një aktor si ju me angazhime në fushën e teatrit dhe filmit sa ka qenë pengesë pandemia. Çfarë ju kufizoi si aktor?

Ka qenë një pengesë e madhe për sa i përket teatrit, sepse shfaqjet teatrore duan publik ndryshe nga filmi. Teatri do publikun, sepse po nuk ishte publiku shfaqja nuk merr kuptim. Unë pata një eksperiencë në muajin nëntor të vitit që lamë pas me një shfaqje teatrore me regji të Najada Elmazit, por publiku ishte i kufizuar dhe kështu e ndërpremë për ta rikthyer më vonë. Ndërsa për filmat ka vështirësi të tjera, sepse edhe grumbullimet janë të kufizuar. Me pak fjalë kanë qenë kohë të vështira edhe shpresoj të marrë fund dhe sa më shpejt të kthehemi në normalitet.

- Jeni me rol në filmin “Target number one”. Si vjen personazhi juaj këtë herë në filmin me regji nga Andi Deliana?

Unë kam rolin e Shooter, që është i ndryshëm nga ata që kam pasur më parë, sepse është një rol ish ushtarak, i cili punon për një bandë të caktuar këtu në Shqipëri. Ky është një film i zhanrit aksion edhe për personazhin tim ka dashur edhe përgatitje fizike. Mezi pres ta mbyllim pjesën e mbetur, sepse na duhet të xhirojmë tani jashtë Shqipërisë.

- Si ka qenë bashkëpunimi me regjisorin Andi Deliana dhe historia e filmit aksion, ku i vendos ngjarjet?

Me regjisorin ka qenë një bashkëpunim i frytshëm, sepse në një situatë të pa zakontë ai është munduar të bëjë një punë shumë të mirë. Për sa i përket ngjarjeve të filmit “Target number one” ato zhvillohen në katër shtete: Shqipëri, Angli, Kanada dhe SHBA, që në thelb ka mafiet, ku Shqipëria është ura lidhëse.

- Një tjetër rol është te filmi “Murder Destination” dhe këtë herë një tjetër personazh. Si erdhi edhe ky bashkëpunim me regjisorin Randall Paul?

 Bashkëpunimi për filmin erdhi krejt natyrshëm. Pas disa takimeve edhe diskutimeve vendosëm të bënim këtë projekt, të cilin sapo i kemi përfunduar xhirimet. Filmi është i zhanrit triller psikologjik. Bëhet fjalë për një prishje biznesi, kërkohet një shumë parash që një person i tretë i ka fshehur. Ky dikur ka qenë bashkëpunëtor në një grabitje të madhe. Rreth kësaj sillet ngjarja, që hyn në lojë gruaja e viktimës, një psikolog edhe detektivët, për me tepër duhet parë filmi.

-Këto dy filma kur priten premierë?

Ne shpresojmë sa më shpejt, sepse kanë edhe kohën e tyre për tu përgatitur.

- Me vështirësitë e jetës artistike nga pandemia, por një shfaqje teatrore nga Najada Elmazi ju riktheu në një skenë në një mjedis jashtë. Si u ndjetë këtë herë, kur shfaqjet në teatro janë pezulluar?

Po është e vërtetë ne në muajin nëntor 2020 patëm premierën e shfaqjes teatrore “Venecia”, me regji të Najada Elmazit, por me një numër të kufizuar të publikut. Ishte disi e çuditshme të japësh shfaqje teatri në këtë kohë, sepse publiku është ai që ne na jep jetë, sepse pa atë jemi një qenie inegzistente.

- Ju keni vite me jetën artistike, por nga roli në rol çfarë synoni të përcillni si aktor?

Nga roli në rol ne rritemi, mësojmë sa më shumë të jetë e mundur, sepse profesioni ynë nuk ka fund, ka gjëra të bukura por edhe të vështira. Ne kur marrim një rol ai është i pa njohur për ne dhe i përkushtohemi totalisht, që ta njohim ta përvetësojmë edhe të dimë ta orientojmë drejt suksesit. Pastaj është detyra e publikut ta vendosi se sa ne e kemi arritur.

- A keni refuzuar role në aktivitetin tuaj artistik?

Këtu janë aq pak projekte sa që nuk të bie rasti ti refuzosh (qesh). Por më ka ndodhur të refuzoj kur nuk më ka pëlqyer roli.

-Çfarë krijon tek ju ai aktor kur shikon teatrot pa shfaqje në skena?

Se di është diçka e pazakontë. Nuk e kisha menduar kurrë jetën në një vend pa teatro edhe më duket disi e çuditshme sidomos për ne që merremi me këtë punë. Për ne është burim shpirtëror, aty motivohemi edhe mbushemi shpirtërisht, por nga ana tjetër shpresoj që kjo situatë të ndikojë për mirë edhe ti ketë dhënë më shumë stimuj për tu rikthyer edhe një herë sa më të fortë.

-Si aktor përballë problemeve që kanë artistët, çfarë do të donit më shumë për teatrin?

Unë dua të ketë sa më shumë hapësira, që edhe ne që jemi aktorë të pavarur të mund të kemi mundësi ku të shprehim artin tonë.

- Një aktor si ju, sa mendon se bëhet për artin në vendin tonë?

Kanë qenë dy vite pandemie edhe nuk di ç’të them, sepse ka qenë e vështirë për të gjithë. Por shpresoj të bëjnë ndonjë gjë tani e në vazhdim kur ti kthehemi normalitetit.

- Në një kohë teatri pa shfaqje, po kinemaja me hapjen e masave vijoi me realizimin e filmave. Kemi parë dhe filma me vlerësime jashtë vendit. Çfarë mund te na thoni, sa ka rëndësi për ju si aktor?

Për sa i përket filmit edhe ai ka pasur vështirësi në realizimin e tij, sepse i është dashur të kufizohet në numër stafi, që të kishe sa më pak kontakte. Por kjo është një ngarkesë e madhe për prapavijën për tu xhiruar. Më ndryshe se teatri, sepse nuk ka nevojë për publik por e vështirë ka qenë dhe për kinemanë, ku edhe festivalet janë zhvilluar online. Me pak fjalë një vit për tu harruar edhe për të vënë mend.

 - Si do të vijojnë projektet tuaja në vijim dhe ku do ju shohim me rolet tuaja?

Pritet të jetë një vit i ngarkuar për mua si aktor. Shpresoj që situata e Covidit të normalizohet. Unë do të filloj së shpejti me dy filma të tjerë: “Misioni-Nëna ime është Kozmonaute” me regji të Andi Delianës, si edhe filmi tjetër “Valentina’s Heaven” me regji Randall Paul, përsëri me të njëjtët regjisorë. Por jam edhe në pritje të hapjes së teatrove, sepse kam dy shfaqje teatrore për të risjell, si dhe vazhdimin e projekteve të tjerë në vazhdim.

- Dikur në fillimet tuaja, por sot keni arritur që të keni emrin ai aktor me vlerësime në teatër e filma. Sa ka qenë e vështirë kjo rrugë për ju?

Normalisht si çdo aktor i ri, i cili del nga akademia edhe pret që ëndrrat e tij të materializohen, por nuk është aq e thjeshte. Në aktivitetin artistik duhet punë dhe përkushtim, duhet të besosh fort në veten që të arrish ato që do. Për mua nuk ka qenë e vështirë, sepse kanë ardhur gjërat shumë natyrshëm, dhe jam i lumtur për to.

-Ju jeni aktor me një aktivitet prej vitesh. Sa jeni kritik ndaj vetes me punën tuaj përballë personazhit që keni luajtur dhe a mendoni se ka pasur mundësi për më shumë?

Çdo aktor është kritik ndaj vetes, sepse kërkon gjithmonë perfeksionin edhe në realizimin e një roli. Kur e shikon thua sikur ta kisha bërë edhe këtë. Por kjo është gjë e mirë, sepse të bën më kompetitiv edhe më kërkues ndaj vetes.

-Pas kaq vitesh, rolin e parë si e kujtoni në Teatrin Kombëtar?

Roli i parë për mua në Teatrin Kombëtar ka qenë Petja Trofimovi, në shfaqjen “Kopshti i Vishnjeve”. Ka qenë një emocion i veçantë për mua, sepse shkela në atë skenë që e kisha ëndërruar edhe dashuruar, dhe aty filloi rrugëtimi im.

-Në aktivitetin tuaj me teatrin, cilin rol doni të realizoni në skenë që deri tani nuk keni mundur?

Për momentin unë jam duke punuar shumë edhe akoma nuk e kam menduar cilin rol, por mendoj më vonë do të kisha dëshirë të luaja “Mbreti Lir” nga Uilliam Shekspir.

-Ju po punoni me një regjisor të huaj në një projekt kinematografik. Si është ky bashkëpunim me Randall Paul?

 Ka qenë një bashkëpunim i frytshëm, sepse është një regjisor edhe aktor, që vjen nga përvoja Hollivudiane, i cili ka marrë pjesë në disa filma shumë të suksesshëm si përshembull “7 martesa e një funeral”, “Imposibile”, etj, dhe për ne ka qenë i rëndësishëm bashkëpunimi me të, sepse kemi mësuar sado pak nga ai dhe nga eksperienca e tij.

Intervistoi: Julia Vrapi