BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Klodjana Keco: “Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit”, një alternativë e mirëmenduar për teatër në kohë pandemie

Klodjana Keco: “Monolog: Teatër në Epokën e

Në episodin e fundit të serisë “Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit” eksplorohen nuancat e ndryshme të hakmarrjes tek njeriu, të shtyrë nga xhelozia, urrejtja, apo lëndimi i thellë. Në të gjitha rrjetet sociale të teatrit Metropol, artdashësit deri mbrëmjen e së dielës mund të ndjekin episodin e fundit. Shekspiri erdhi si premierë disa javë më parë në teatrin Metropol, me “Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit”. Një seri me monologje të personazheve nga veprat e Shekspirit erdhën me interpretimin e aktorëve të teatrit. Këto monologje trajtuan tema të përbotshme si dashuria, loja, xhelozia, humbja, tradhtia, pushteti dhe hakmarrja. Pjesëmarrëse në këtë projekt të teatrit Metropol, aktorja e njohur Klodjana Keco e vlerëson si një alternativë të mirëmenduar për këtë kohë pandemie në vendin tonë. “Mendoj se ishte një alternativë shumë e mirëmenduar për “Teatër në kohë pandemie”. Është një zhanër mes teatrit dhe filmit, një zhanër ndoshta i ri që edhe i bën “drejtësi” monologut. I jep atë dritë dhe brendësi, që rrallë i jepet në teatër”, thotë aktorja Keco. Në këtë projekt të teatrit Metropol aktorja Klodjana Keco erdhi me dy monologje dhe shprehet se i ka shijuar. “Personalisht pata privilegjin të interpretoj 2 monologje, atë të Titanias, që ndonëse ishte roli im i fundit në teatër tek “Monolog” kishte një këndvështrim tjetër, më tokësor, më të vërtetë, më “urban”. I dyti monolog ishte Desdemona, monolog që më ka shijuar në çdo dubël që bëmë gjatë xhirimeve. Për mua “Monolog- Teatër në Epokën e Izolimit” ishte një eksperiencë shumë e bukur, që në momentin e shkëmbimit të ideve mes stafit krijues të teatrit Metropol. Aty u shkëmbyen idetë e para se cila do ishte rrethana më e përshtatshme “urbane” për secilin material”, tregon aktorja.

Puna dhe stafi

Për aktoren Klodjana Keco stafi që u mor me këtë projekt ishte profesional, dhe u bë një punë me përkushtim dhe përgjegjësi, që pati dhe rezultatet e saj. “Stafi ishte tejet profesionist. Jonida Beqo dhe Armela Demaj kryesisht bënë drejtimin artistik, regjisori i ri i filmit Ergys Meta bashkë me Gersa Kodranjeshin, studente e departamentit të filmit në Universitetin e Arteve konceptuan imazhin dhe stilin e kameras në bashkëpunim edhe me Ergys Bakin, si mjeshtër ndriçimi. Unë dhe Joana Ymeraj ishim koordinatore të kudondodhura me Cakun, Scriptin, organizimin, Arbies Komoni Besart Cani dhe Ened Kalenja u kujdesën për zërin. Ishte një punë më se profesionale, e bërë me dashuri, përkushtim dhe përgjegjësi”, pohon ajo. Teatri Metropol po vijon mbrëmjet me episodin e fundit për publikun, por aktorja Klodjana Keco thotë se u bë një “album” i artë. “Besoj se me “Monolog- Teatër në Epokën e Izolimit” teatri Metropol ka bërë një “album” të artë monologjesh shekspiriane me vlera letrare, artistike dhe edukative për brezat në vijim”, përfundon aktorja Klodjana Keco. Në episodin e fundit të serisë “Monolog: Teatër në Epokën e Izolimit” nga Edvin Mustafa vjen Oberoni, nga komedia “Ëndrra e një Nate Vere”, një burrë që krenaria e cënuar prej xhelozisë e shtyn të hakmerret ndaj Titanias, gruas së tij, mbretëresha e zanave. Nga Silvio Goskova vjen Lago, nga tragjedia “Otello”, që komploton hakmarrje ndaj të zotit i shtyrë nga urrejtja dhe racizmi. Nga Margent Caushi vjen Shajloku, nga komedia ”Tregëtari i Venetikut”, të cilin diskriminimi dhe poshtërimi i vazhdueshëm e shtyn të ideojë një hakmarrje çnjerëzore. Nga Armela Demaj vjen Portia, nga komedia “Tregtari i Venedikut”, një grua e cila kur përballet me thirrjet për drejtësi përmes hakmarrjes, zgjedh të kërkojë rrugën e faljes dhe mëshirës.