BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Kultura

Koleksioni me objekte të banesave, në muzeun Etnografik në Berat

Koleksioni me objekte të banesave, në muzeun Etnografik në Berat

Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Berat, shprehet se një koleksion i grumbulluar gjatë restaurimit të banesave tradicionale tashmë do të jetë pjesë e muzeut Etnografik të këtij qyteti. “Institucionet bashkëpunojnë e bashkëveprojnë. Një koleksion i grumbulluar me shumë pasion e dashuri nga kolegët tanë të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore gjatë restaurimit të banesave tradicionale në qendrën historike Berat, dhuruar Qendrës Muzeore Berat. Tashmë ky koleksion për vlerat mjeshtërore që përmban do të jetë pjesë e ekspozimit të muzeut Etnografik”, shprehet qendra muzeore, që ka publikuar dhe foto nga ky koleksion me objektet të ndryshme. Muzeu Etnografik në Berat u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe trishekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore. Qendra Muzeore Berat është institucion i specializuar dhe arkivor me status “muze kombëtar” në vartësi të Ministrisë së Kulturës me seli në qytetin e Beratit, e cila administron muzeun ikonografik “Onufri” dhe muzeu Etnografik. Muzeu i ikonografisë “Onufri” dhe muzeu Etnografik mbledhin ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek. XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.