BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Kultura

Komedia “E zonja bujtinës”, me një kast aktorësh të njohur në programin e Teatrit Kombëtar

Komedia “E zonja bujtinës”, me një kast aktorësh

Komedia “E zonja bujtinës” ishte zgjedhja e Teatrit Kombëtar, në programin artistik për publikun. Komedi e autorit të njohur italian Carlo Goldoni me regji nga Hervin Çuli, për herë të parë shfaqja e plotë live stream në faqen Facebook të Teatrit Kombëtar. Një komedi nën interpretimin e rrallë, por të mrekullueshëm, në zhanrin komik të aktorit të madh Fatos Sela, së bashku me një kast aktorësh të njohur e përbërë nga Eni Jani, Genci Fuga, Arben Spahija, Genti Deçka, Adelina Muça dhe Ermonela Alikaj. Prej disa javësh aktivitetet artistike janë ndërprerë në skenë për shkak të pandemisë nga koronavirusi dhe institucionet e artit në vend po vijojnë të prezantojnë programin artistik online në rrjete sociale dhe YuoTube. Komedia që u prezantua mbrëmjen e së shtunës, sipas Teatrit Kombëtar ngjalli interesin e publikut. “Teatri Kombëtar falënderon publikun e mrekullueshëm, që na ndoqi. Një pjesëmarrje e jashtëzakonshme për komedinë brilante nga Carlo Goldoni “E zonja bujtinës” dhe interpretimin e jashtëzakonshëm e të paharrueshëm të aktorit të madh Fatos Sela. Shpresojmë të rikthehemi sa më shpejt në skenë”, shkruan teatri për këtë shfaqje. Në vepër, Mirandolina është pronarja e një bujtine të trashëguar nga babai i saj. E re, tërheqëse, e zgjuar dhe e pavarur, ajo është e parezistueshme për burrat. Në bujtinën e saj shfaqen një kont, një markez dhe një kalorës. Cilin prej tyre do të zgjedhë Mirandolina simpatike për t'u martuar? Një tekst i jashtëzakonshëm shkruar nga Carlo Goldoni, këtë komedi regjisori Hervin Çuli e ka vënë në skenën teatrore në vitin 2008. Aktorët që janë në komedi janë të njohur dhe të vlerësuar nga publiku ndër vite me rolet e tyre në skenat teatrore, por këtë herë erdhën në një prej kryeveprave të autorit italian Carlo Goldoni.

Komedia në skenë

Me elegancë dhe sensualitet, me karaktere dhe personazhe të skalitura, kjo komedi vite më parë ishte premierë e sezonit artistik në teatrin e Metropolit. Komedia "E zonja bujtinës", vepër e autorit të njohur italian Carlo Goldoni njohu suksesin dhe vite më parë në skenën tonë teatrore. Edhe pse vepra është shkruar që në shekullin XVIII, ajo përcjell mesazhe emancipuese dhe i flet realitetit tonë. Komedia “E zonja bujtinës” (Mirandolina) është vënë në skenë për herë të parë në Venecia në vitin 1752. Vepra e komedianit italian Carlo Goldoni, përball femrën me mashkullin në skenën teatrore. Goldoni si një mjeshtër i madh i karaktereve dhe në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore, e ngre lart figurën e Mirandolinës, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale. Carlo Goldoni njihet si një dramaturg dhe libretist italian, ku punët e tij përfshijnë disa nga shfaqjet më të famshme dhe më të dashura të Italisë. Audiencat në skena të ndryshme të botës kanë admiruar shfaqjet e Goldonit, ku kjo komedi erdhi për publikun si një shfaqje e plotë teatrore në vijim dhe të veprave që janë shfaqur më parë në faqen Facebook të Teatrit Kombëtar dhe në kanalin Yuotube të institucionit. Gjatë kësaj kohe Teatri Kombëtar po prezanton një program artistik, ku janë vepra me autorë të huaj por nuk mungojnë dhe ato shqiptare, me në role aktorë të ndryshëm. Në programin artistik nuk kanë munguar dhe mbrëmjet artistik kushtuar artistëve të njohur të teatrit.