BREAKING NEWS

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në 13:00”, kryeministri Edi Rama njofton masat e rrepta për fundjavën dhe javën në vazhdim

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në
x

Kultura

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, shumë pranë realitetit dhe njerëzve

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas”, shumë

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” vjen për publikun në skenë te “ArTurbina”. Një komedi, që deri tani ka pasur sukses, për tre net do të jetë në skenë. Vepra e shkruar nga autori grek Jorgos Theodosiadis është me regji nga Donard Hasani dhe Valdrin Asani. Vepra interpretohet në skenë nga aktorë të njohur të teatrit, Romir Zalla, Vin Bejleri, Alert Çeloaliaj dhe Jorida Meta. Me producente Shegushe Bebeti, për këtë vit vepra vjen për herë të parë në skenën teatrore. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, lajmëron se kjo vepër do të jetë mbrëmjet e datave 17, 18 dhe 19 shkurt te “ArTurbina”. Një komedi e suksesshme, që ka pasur shumë kërkesa nga publiku që të rikthehet në skenat teatrore dhe këto ditë të muajit shkurt do të jetë në Tiranë. Aktori Romir Zalla pohon se kjo vepër do të vijojë dhe në skena të qyteteve të tjera për publiku. “Është hera e parë për 2020 që vjen në skenë, por prej kërkesave do të rikthehemi përsëri në Korçë, Durrës dhe qytete të tjera”, u shpreh aktori Romir Zalla, në lidhje me këtë shfaqje teatrore. Me një kast aktorësh të njohur, komedia përcjell dhe mesazhe për shoqërinë. Aktori Romir Zalla tregon se “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” është shumë pranë njerëzve me atë që përcjell në ngjarjet e saj, gjë e cila ka sjellë dhe një sukses të saj në skena të ndryshme. “Mendoj se suksesi është te gjetja e autorit të komedisë, që vendos bashkë tre njerëz me aftësi të kufizuara. Dhe se është një komedi shumë pranë realitetit dhe njerëzve”, shprehet më tej aktori i njohur Romir Zalla, për këtë vepër teatrore. Producentja Shegushe Bebeti shkruan se biletat po shiten me shpejtësi për shfaqjen “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” dhe se në skenë do të jenë aktorët më të mirë për humorin. “Super komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” vjen në 17,18,19 shkurt ora 19.00 në “ArTurbina”, Teatri Eksperimental. Absolutisht me më të mirët e humorit. Ju siguroj që do të lodheni së qeshuri”, shprehet producentja.

Ngjarjet e komedisë

Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” trajton jetën e tre djemve me të meta fizike, të cilët kanë vendosur të ndajnë jetën bashkë në të njëjtin apartament. Spitha nuk flet, ai punon në bibliotekë dhe është poet. Jovani nuk dëgjon, ai ka një restorant dhe është një kuzhinier i shkëlqyer dhe Theofani nuk shikon, ai punon në një call center. Të tre janë të dashuruar me të njëjtën vajzë, pa e ditur asnjëri që është e njëjta që ata duan. Komedia fillon me ardhjen e saj në shtëpinë e tyre, ku të tre befasohen që ajo i njeh dhe secili përpiqet ta bëj për vete, duke u munduar të fsheh të metën fizike që ka. Në fund të gjithë pranojnë që jeta duhet jetuar me optimizmin për të ecur përpara pa e paragjykuar veten. Më herët një nga regjisorët e komedisë, Donard Hasani shprehej se ideja e veprës është njerëzit me aftësi të kufizuar mund të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët. “Vepra trajton dhe ata njerëz, që kanë aftësi të kufizuara që mund të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët, të ecin dhe të zhvillohen. Kjo është si një ide e saj. Në veprën, që njëri nuk dëgjon, njëri nuk shikon dhe njëri nuk flet, që kanë rënë në dashuri me të njëjtën vajzë në këtë moment ata ndodhen para situatave të reja dhe të paprovuara me dëshirën për të fituar gjithsecili dhe për ta bërë për vete këtë femër”, tregon regjisori Donard Hasani i vlerësuar për aktivitetin e tij artistik. Komedia greke “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” që kur se doli në fillim të viteve ‘90, pati menjëherë bujë. Vepra e autorit grek Yiorgos Theodosiadis shumë shpejt u bë ndërkombëtare dhe u ngjit në shumë skena të teatrove të botës, por nuk mungon dhe në skenën teatrore shqiptare.