BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të reja me koronavirus janë shënuar 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të
x

Kultura

Komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, një premierë në stinën e verës në Korçë

Komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, një premierë

Komedia “Pas vdekjes” do të vijë premierë, me regji nga Hervin Çuli dhe interpretimin e aktorëve të Korçës. Komedia shkruar nga Andon Zako Çajupi pritet të jetë premierë në mesin e muajit korrik dhe në role janë aktorë të njohur, si dhe të rinj. Drejtoresha e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës, aktorja Zamira Kita, shprehet se ky bashkëpunim për këtë komedi vjen në vijim dhe të atyre që janë bërë më parë për shfaqjet teatrore, me regjisorin Hervin Çuli. “Premiera e komedisë “Pas vdekjes” do të jetë me regji nga Hervin Çuli. Ky nuk është bashkëpunimi i parë i tij me teatrin në Korçës, sepse ka qenë përshembull dhe shfaqja “Magjia e madhe” nga Euardo De Filipo, që është vënë në skenë. Ishte një komedie e madhe me shumë personazhe. Te komedia “Pas vdekjes” roli i doktor Adhamudhit luhet nga aktori Albano Prodani, në role të tjera janë dhe aktorët Kristian Koroveshi, Paolo Kodra, Mateus Frroku dhe Silvio Guskova”, pohon drejtoresha Zamira Kita. Një kastë aktorësh me rolet e veprës së Çajupit, ku Zamira Kita tregon më tej se në konceptin regjisorial nga Hervin Çuli do të punohet dhe me muzikë. Në reagimin e saj drejtoresha e teatrit të Korçës, ndërsa flet për punën që po bëhet me këtë pjesë teatrore ndër të tjera thotë se nuk do të jetë në skenë, por në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit në këtë qytet. “Është zgjedhur enkas një ekip që të dinë të këndojnë, sepse në konceptin e tij regjisorial do të punohet me muzikë, vargje poetike dhe në tekstin dramaturgjik. Në tekstin dramaturgjik ajo është një vepër e shkurtër, një komedi me një akt por do të shtohet. Premiera pritet të jetë në Korçë diku në datën 17 korrik, por do të jetë në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit. Meqenëse flitet për abetaren, shkronjat, etj, menduam që të jetë në këtë oborr, por dhe situata nga pandemia”, tregon Kita. Sipas saj, kjo është premiera e dytë për 2020 në Korçë për teatrin, ndërsa të tjera aktivitete do të vijojë gjatë verës. “Me këtë shfaqje ne nisim sezonin artistik pas ndërprerjes së pandemisë më parë. Në muajt janar dhe shkurt ne patëm në teatër shfaqjen premierë “S’ka burrë, që tradhton gruan time” me regji nga Guri Koço dhe kjo është e dyta si premierë këtë viti deri tani. Sezoni është mbyllur gjithmonë në fund të qershorit, ne tani në mes të korrikut kemi premierën. Po në korrik do të jetë dhe Festa e Karnavaleve”, shprehet mes të tjerave drejtoresha e teatrit të Korçës.

Vepra e Çajupit

Komedia “Pas Vdekjes” është shkruar nga rilindasi i madh Andon Zako Cajupi, dhe si personazh kryesor është doktor Adhmudhi, që e mban veten për njeri të zgjuar. Komedia “Pas Vdekjes” ka temë politike-shoqërore luftën e ashpër në lëvizjen tonë politike të fillimit të shekullit XX kundër oportunistëve, konformistëve, demagogëve, që i shitnin interesat kombëtare për përfitime personale. Ishte kjo koha kur në lëvizjen kombëtare u paraqitën elemente që e përkrahën lëvizjen e revolucionin e xhonturqve, edhe pse ajo në esencë ka qenë kundër çështjes kombëtare. Në plan të parë të komedisë për veprime antipatriotike vendoset dr. Adhamudhi. Edhe ky me veprimet dhe idetë e veta,vetëdemaskohet si njeri që, duke dashur të tregojë se vepron në kontekst me interesat kombëtare, me atë që tregon dëshmon se është një antipatriot dhe konformist me xhonturqit. Kështu ky vetëdemaskohet me abetaren që ka përpiluar, me kompromisin që të përdoret alfabeti latin, po të shkruhet nga e djathta në të majtë, për të mos i zemëruar xhonturqit. Mirëpo këtij personazhi nuk i mjafton vetëdemaskimi, por dëshiron edhe demaskimin nga të tjerët. Dhe kur kupton ç`mendojnë të tjerët për të ai bëhet edhe më qesharak me veprimet dhe reagimet e veta. Këtu situatat komike i krijon shërbëtori, Zeneli, i cili në mënyrë shumë precize e zbulon karakterin e dr. Adhamudhit, duke e vënë shpesh në situata komike e qesharake.