BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të reja me koronavirus janë shënuar 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të
x

Kultura

Komedia “Pas vdekjes” premierë në Korçë, Kristian Koroveshi: Një vepër aktuale dhe e kohës

Komedia “Pas vdekjes” premierë në Korçë,

Komedia “Pas vdekjes” së shpejti do të jetë premierë për publikun. Vepra e Andon Zako Çajupit, me regji nga Hervin Çuli mbrëmjen e datës 17 korrik do të jetë premierë në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë. Një kryevepër e shkrimtarit dhe atdhetarit Andon Zako Çajupi, që vjen me interpretimin e aktorëve të teatrit të Korçës, ku në role janë Albano Prodani, Paola Kodra, Silvio Goskova e Kristian Koroveshi, si dhe Mateus Frroku. Komedia “Pas vdekjes”, që është shkruar nga rilindasi Andon Zako Çajupi, si personazh kryesor është doktor Adhmudhi, i cili e mban veten për njeri të zgjuar. Aktor në këtë komedi që pritet të jetë premierë së shpejti Kristian Koroveshi vlerëson bashkëpunimin, me regjisorin Hervin Çuli. Si aktor në komedinë e Çajupit, ai thotë se nga ky bashkëpunim ka mësuar shumë. “Bashkëpunimi me regjisorin Hervin Çuli është një nga eksperiencat e mia më të bukura për teatrin, dhe një nga eksperiencat e mia më të mira nga pikëpamja profesionale si aktor. Mendoj që nga Hervini kam arritur që të mësoj shumë gjëra dhe të merremi vesh nga pikëpamja profesionale. Besoj që Hervini ka realizuar një punë shumë të mirë në raport me veprën, në raport me trupën dhe aktorët, si dhe me mënyrën se si ai e ka trajtuar dhe këndvështrimin regjisorial, që ai ka vënë në vepër”, tregon aktori Kristian Koroveshi. Kjo është premiera e dytë për aktorin Kristian Koroveshi në këtë kohë pandemie, pasi ai tregon se më parë ishte në një tjetër premierë që u shfaq në Ibë. “Unë para dy javësh isha me një premierë tjetër po me trupën e teatrit të qytetit të Korçës. Një vepër që ishte me regji nga Gëzim Kame dhe u shfaq në Ibë. Kjo është premiera e dytë në fushën teatrit për mua këtë kohë”, thotë Koroveshi.

Publiku dhe komedia

Komedia e Çajupit shfaqet për publikun mbrëmjet e datave 17, 18 dhe 19 korrik, në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë. Puna për këtë premierë ka nisur para disa javësh dhe aktori i njohur Kristian Koroveshi thotë se këtë herë publiku do të shikojë një komedi të Çajupit më moderne. “Komedia “Pas vdekjes” është e njohur dhe në pikëpamje të mesazhit dhe përmbajtjes së saj. Secili që vjen në publik merr atë që atij i intereson, por unë mendoj që do të shohë një komedi “Pas vdekjes” krejt ndryshe, në mënyrë më moderne, ku secili prej njerëzve sheh një anë të personalitetit të vet. Secili prej publikut, a do të dijë se çfarë do të thuhet për të pas vdekjes apo është më e rëndësishme jeta, qasja ndaj jetës. Mendoj se është një vepër që edhe pse është shkruar më parë është aktuale dhe e kohës. Mendoj se është mirë që rivihet një vepër e dramaturgjisë shqiptare”, pohon aktori i njohur Kristian Koroveshi. Komedia “Pas Vdekjes” ka temë politike-shoqërore luftën e ashpër në lëvizjen tonë politike të fillimit të shekullit XX kundër oportunistëve, konformistëve, demagogëve, që i shitnin interesat kombëtare për përfitime personale. Ishte kjo koha kur në lëvizjen kombëtare u paraqitën elemente që e përkrahën lëvizjen e revolucionin e xhonturqve, edhe pse ajo në esencë ka qenë kundër çështjes kombëtare. Në plan të parë të komedisë për veprime antipatriotike vendoset dr. Adhamudhi. Edhe ky me veprimet dhe idetë e veta, vetëdemaskohet si njeri që, duke dashur të tregojë se vepron në kontekst me interesat kombëtare, me atë që tregon dëshmon se është një antipatriot dhe konformist me xhonturqit. Kështu ky vetëdemaskohet me abetaren që ka përpiluar, me kompromisin që të përdoret alfabeti latin, po të shkruhet nga e djathta në të majtë, për të mos i zemëruar xhonturqit. Mirëpo këtij personazhi nuk i mjafton vetëdemaskimi, por dëshiron edhe demaskimin nga të tjerët. Dhe kur kupton ç`mendojnë të tjerët për të ai bëhet edhe më qesharak me veprimet dhe reagimet e veta. Këtu situatat komike i krijon shërbëtori, Zeneli, i cili në mënyrë shumë precize e zbulon karakterin e dr. Adhamudhit, duke e vënë shpesh në situata komike e qesharake. Premiera e komedisë “Pas vdekjes” vjen me regji nga Hervin Çuli, i cili dhe më parë ka bashkëpunuar me teatrin e Korçës.