BREAKING NEWS

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit Kombëtar prodhoi një gënjeshtër të madhe

Rama flet për prestigjozen “Le Monde”: Shembja e Teatrit
x

Kultura

Komedia “Tre dhëndurët”, me historinë e një familje shqiptare në vitet ’40-të

Komedia “Tre dhëndurët”, me historinë e një

Teatri Metropol i është rikthyer programit me vepra teatrore shqiptare. Komedia “Tre dhëndurët” nga autori Dionis Bubani u rikthye për publikun në skenën online të teatrit Metropol. Nën regjinë e Sonila Kapidanit, kjo komedi është me pjesëmarrjen e veçantë të aktores së madhe Hajrie Rondo. Një kast i spikatur aktorësh, ku ndërthuren me mjeshtri brezat dhe vlerat e tyre. Gëzim Rudi është një tjetër emër i mirënjohur i teatrit që vjen për publikun në këtë komedi së bashku me aktorët Pjerin Vlashi, Aleksandër Kondi, Shkëlzen Berisha, Roerd Toçe, Margent Caushi, Linda Jarani dhe Elona Hyseni. Komedia u shfaq në vijim të programit artistik online në faqen Facebook të teatrit Metropol dhe në kanalin YouTube të institucionit. “Tre dhëndurët ” është një komedi, që trajton historinë e një familje shqiptare në vitet ’40, ku problemi i tyre madhor është martesa e vajzës së vetme. Vepra “Tre dhëndurët” është një komedi karakteresh e situatash shqiptare, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1986 nga regjisori Pirro Mani. Ngjarjet zhvillohen në një kohë të shkurtër gjatë vitit 1943-1944 në një qytet në jug të Shqipërisë, por të mbushur me ndodhi të mëdha. Atë kohë, ndodh kapitullimi i Italisë fashiste, gjithashtu tërheqja e gjermanëve Hitlerianë, përpjekja e anglezëve për t'u bërë faktorë e së fundmi ardhja e partizanëve, që solli në fuqi Partinë e Punës. Më herët kur kjo vepër erdhi premierë në tetarin Metropol, regjisorja Sonila Kapedani tregoi dëshirën e saj për të promovuar veprat shqiptare. “Kërkohet dashuri dhe dëshirë për të punuar me një vepër shqiptare, e cila ka folur në një epokë tjetër dhe ka aftësinë të flasë përsëri. Dëshira për të provuar vepra shqiptare është e kahershme tek unë dhe më e mira është kur këtë e bën fakt, dhe kjo vepër tu flasë qytetarëve dhe të prezantojë problematikat e tyre në epoka të ndryshme”, pohon regjisorja Sonila Kapedani për këtë komedi.

Krijimtaria e autorit ndër vite

“Tre dhëndurë” nga Dionis Bubani është një vepër, që ka sjell ngrohtësi si nga ana dramaturgjike po ashtu dhe nga ana sociale. Komedia u ngjit në vitin 2016 në skenën e Metropolit pas tre dekadash dhe doli nga arkivi i Estradës së Tiranës. Dionis Bubani (Bukuresht, 18 shtator 1926 - Tiranë, 10 shkurt 2006) qe letrar dhe përkthyes shqiptar. Ishte djali i Gjergj Bubanit, përkthyes, editor e publicist. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Bukuresht. Në vitin 1940 Dionis Bubani, së bashku me familje u kthye në Shqipëri, vendlindjen e babait të tij. Pas katër vitesh që u kthyen në Shqipëri, regjimi komunist e burgosi të atin Gjergj Bubani, ndaj Dionisi i ri u desh të kujdeset për vete dhe familjen. Ai punoi në një punëtori biçikletash, shiti cigare rrugëve e nëpër kafene, por punoi edhe si kartelist, madje edhe si daktilograf në Ministrinë e Jashtme. Meqë ishte djali i publicistit, ai filloi të merret edhe me shkrime. Në fillim punimet e veta botoi në "Letrari i ri", dhe "Rinia", ndërsa në vitin 1946 filloi të bashkëpunon me revistën humoristike "Hosteni", redaktor i së cilës u bë më vonë. Dionis Bubani në Tiranë studioi filologji. Gjatë punës së tij krijuese Dionis Bubani u mor me publicistikë, satirë, humor dhe letërsi për fëmijë e për të rritur, përkthime dhe me shkrimin e komedive. Për punën e tij krijuese dhe për përkthime ai u shpërblye disa herë. Ai njohu për së afërmi shumë rilindas e njerëz të shquar të kulturës sonë, si Çajupin, Asdrenin, Kutelin, Poradecin, Luarasin, Kadarenë, Agollin, Godon, Grillon e shumë të tjerë. Është interesant të përmendet se Dionis Bubani ka përkthyer edhe "Poemën" e Lasgush Poradecit nga rumanishtja në shqip, të cilën Poradeci e shkroi gjatë kohës kur po jepte provimin pranues në Akademinë e Arteve të Bukura në Bukuresht. "Armiku i grave", "Bileta e lotarisë", "Kandidati i shkencave", "Milioner pa asnjë kacidhë", "Zarf i hapur", janë disa nga komeditë e tij.