BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Kultura

Komedia “Venecia”, regjisorja Najada Elmazi: Një vepër që të lë dorë në imagjinatë, fantazi dhe ta ndërtosh mbi etyde

Komedia “Venecia”, regjisorja Najada Elmazi: Një vepër

Komedia “Venecia” e autorit Jorge Accame është projekti i radhës në fushën e teatrit, nga regjisorja Najada Elmazi. Me punën e saj ndër vite me teatrin, si regjisore Elmazi ka sjellë për publikun vepra të ndryshme teatrore, dhe këtë herë zgjedhja e saj ishte komedia e autorit argjentinas Accame. Për shkak të pandemisë, premiera e komedisë “Venecia” u shfaq këto ditë nëntori në një mjedis alternativ në Tiranë për një publik të kufizuar, dhe në role kishte aktorë të njohur. Boshti i ngjarjeve në këtë komedi rrotullohet rreth personazheve në një shtëpi publike, dhe një klienti të rregullt të tyre. Gringa është një tutore, tani e moshuar dhe e verbër e cila kujton të kaluarën e saj si kërcimtare. Ajo kujton edhe kohën kur dikush i kishte premtuar ta çonte në një vend me rrugë uji, vend të cilit ajo i mbante mend emrin, Venecia. Dhe gjatë komedisë bëhen llogaritjet se ku është Venecia, si të shkosh aty dhe sa klientë duheshin të paguanin që të shkoje aty. Rolet në vepër këtë herë regjisorja e njohur Najada Elmazi ia besoi aktorëve Justina Aliaj “Mjeshtre e Madhe” që punoi me personazhin kryesor Gringa, por për shkak të disa problemeve shëndetësore që ajo pati aktorja Merita Dabulla dubloi aktoren. Të tjerë aktorë në vepër janë dhe Klodian Hoxha me personazhin Cato, Rita nga aktorja Ina Gjonçi, Anila Muçaj si Graciela dhe Anderson Gurra si Marta. Regjisorja Najada Elmazi tregon, se ajo që ndikoi në këtë përzgjedhje të kësaj vepre është dhe ajo se çfarë i jep një regjisori një vepër në momentin kur e merr. “Shkruar nga autori argjentinas, “Venecia” është një vepër ku ngjarjet zhvillohen në një vend të humbur. Pra autori pak a shumë e lë të papërcaktuar, ku jetojnë gati në një familje. Është një tutore që drejton shtëpinë publike dhe tre prostituta. Fakti që zgjodha këtë vepër është sepse autori jep shumë pak informacion, shumë pak tekst. Duket si një vepër e cila nuk ka material, por e ka në mënyrë të fshehur, në mënyrë të koduar. Mjafton që ti të jesh i vëmendshëm dhe për çdo personazh ia bën vetë analizën. Pra të lë dorë në imagjinatë, fantazi dhe ta ndërtosh mbi etyde”, tregon regjisorja Elmazi. Sipas saj, personazhi kryesor në vepër është Gringa rol për të cilën u përzgjodh aktorja Justina Aliaj, një aktore që kishte plastikën dhe vokal për të kënduar. Regjisorja tregon se duke qenë se aktorja i përfshinte këto, ka menduar që ta çonte rolin në këtë dimension. “Pra ka plastikë, të jetë i tipit muzikal dhe ndërkohë të kishte dhe muzikë jo vetëm nga Justina por nga i gjithë stafi, dhe e gjithë vepra të ndërtohej mbi etyde. Një vepër, që të jepte shumë dorë për ta punuar për shfaqje dhe të dali shumë bukur në publik. Roli i Grigës u dublua nga Merita Dabulla dhe Justina Aliaj do të jetë përsëri në shfaqje”, thotë Elmazi.

 Komedia sërish për publikun

Vepra është punuar dhe projektuar për një skenë më të madhe dhe për një publik më të gjerë, ku sipas regjisores Najada Elmazi “Venecia” do të vijojë sërish me tu qetuar situata për publikun. “Nëse do na duhet ta japim këtë shfaqje për një publik të kufizua sërish dhe në një skenë intime do na duhet, që disa etyde ti përshtatim. Nëse jemi në amfiteatër apo skenë më të madhe, ne do ti japim më shumë rëndësi plastikës dhe pjesës muzikal”, tregon regjisorja. Edhe pse në kohë pandemie regjisorja Najada Elmazi falë punës së saj arriti të sjellë një komedi të bukur. Duke folur për personazhet e komedisë, regjisorja thotë se në këtë shfaqje figurat e saj janë fisnikëruar, sepse për atë që janë nuk ka qenë zgjedhja e tyre. “Në pamjen të parë duket sikur s’ka komedi, sikur publiku pret që ne ti përbaltim këto figura ngaqë ngjarja zhvillohet në shtëpi publike, por jo. Në fakt ne jemi munduar ti fisnikërojmë, sepse dikush thotë janë prostituta, por nuk është zgjedhja e tyre, pasi është fati, jeta dhe pamundësia, dhe të gjitha kanë nga një dramë. Gringa i ka bashkuar, kanë gjetur ngrohtësinë njerëzore dhe janë bërë si një familje. Duke qenë se Gringa i ka shkëputur nga rruga ata mundohen t’ia plotësojnë dëshirën e fundit. Në një mënyrë të improvizuar ta çojnë në Venecia, sepse aty është qyteti që ajo ka takuar të dashurin e jetës”, thotë Elmazi. Ky projekt është fituar në Bashkinë e Tiranës dhe sipas regjisores së njohur Najada Elmazi edhe pse pandemia ekziston, arti duhet të mbijetojë. Regjisorja e njohur pohon se në këtë situatë njerëzit kanë nevojë dhe për ushqim shpirtëror. Skenograf dhe kostumograf në shfaqje Beqo Nanaj, konsulent artistik Pëllumb Rira, koreografe Elvira Harizaj dhe producente Elvana Elmazi.