BREAKING NEWS

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr prapaskenat e rënda, i përgjigjet akuzës ‘bombë’ të Sali Berishës: Unë e paralajmërova që...

“Urdhërove vrasjen e Azem Hajdarit!”, Fatos Klosi nxjerr
x

Kultura

Komedia “Zyrtarisht beqare” premierë në skenën teatrore, me tematika të jetës së përditshme

Komedia “Zyrtarisht beqare” premierë në skenën

Komedia “Zyrtarisht beqare” vepër e autorit të njohur Ali Vardar erdhi premierë në skenën teatrore për publikun me regji nga Armand Bora. Në skenën e teatrit “Skmapa” në Elbasan, kjo komedi u mirëprit nga publiku. Përmes humorit e satirës, vepra prek tematika të jetës së përditshme. Regjisori Armand Bora rolet në vepër ia ka besuar aktorëve Gentian Zenelaj, Egla Cenos dhe Ilirda Bejlerit jo vetëm për të argëtuar publikun, por për ti përcjellë dhe mesazhe. Kjo komedi, e cila më pas pritet të jetë dhe në skenën e Tiranës duket se ka qenë suksesi i radhës në skenën e teatrit “Skampa”. Regjisori Armand Bora shprehet se kjo vepër është me sukses në skenat teatrore. “Është një nga komeditë më të suksesshme të autorit Ali Vardar, një shqiptaro-maqedonas, që jeton në Paris dhe drejton dhe disa salla teatri atje. Një autor, që është vënë në skena me veprën e tij dhe ka një shikueshmëri me 2 milionë shikues”, pohon regjisori. Në skenën teatrore në Elbasan kjo komedi është pritur mjaft mirë nga publiku, por regjisori Armand Bora tregon se ka bërë disa përshtatje në pjesën për ta sjellë në skenën teatrore premierë. “Një vepër e suksesshme teatrore dhe unë pata lejen e tyre për ta përshtatur komedinë që në titull, sepse origjinali është “Klani i të divorcuarave”, por ne përshtatëm “Zyrtarisht beqare”. Por janë dhe disa përshtatje të tjera, që kanë të bëjnë me emra këngëtarësh, apo me disa rrethana që janë tipike franceze dhe ne i kemi përshtatur në realitetin shqiptar”, shton më tej regjisori. Përmes humorit e satirës, vepra prek tematika të jetës së përditshme dhe sipas regjisorit të njohur Armand Bora kjo vepër përcjell mesazh të aspektit social për shoqërinë. “Mesazhi është shumë social, sepse Shqipëria çdo ditë dhe më shumë po integrohet në problematikat e Europës dhe jo në ato që janë vlera. Problematika janë prishja e familjes, shtimi i rastit të divorcit dhe padyshim që ato pasqyrojnë dhe problemet dhe jetën e njerëzve që ndahen”, thotë regjisori Bora.

Historia e tre grave

Në komedinë “ Zyrtarisht beqare” shkruar nga Ali Vardar është historia e tre grave beqare. Njëra vjen nga provinca, një vajzë e re amerikane por që e ka marrë lehtë dhe është në fillimet e jetës së saj. Është dhe personazhi që është pronare e shtëpisë, por e ka lëshuar shtëpinë me qera me dy të tjerat, e cila i përket një shtrese aristokrate. Ngjarjet zhvillohen në një apartament në Paris, por regjisori Armand Bora tregon se një tjetër e veçantë është skenografia. “Skenografia është moderne dhe kemi qëndruar mbi elementet e Mondreanit një piktor holandez, që qëndron tek ngjyrat, format. Ka ngjyra të gëzuara, e kuqja, e verdha e bardha. Mondreani më ka ngacmuar, sepse dhe vetë jeta e tij ka kaluar në tre faza, ka qenë periudha e tij klasike ku ka pikturuar peisazhet fshatareske, më pas ka kaluar tek periudha amerikane e ritmit dhe muzikës, e një dinamike tjetër dhe më pas ajo pjesë e strukturave midis vizave të rregullta, midis kutive dhe formave, pra janë tre elemente që bashkohen në fund fare”, pohon mes të tjerave regjisori Armand Bora. Skenograf në vepër është Sokol Sejdini dhe kostumografe Sofi Kara. Regjisori Armand Bora tregon se me këtë shfaqje teatrore e mbyll dhe këtë vit sa i takon jetës artistike. Por më herët si autor dhe regjisor Armand Bora solli dhe shfaqjen “Udha e qumështit”. Vepra në skenë interpretohej nga aktorja e njohur Egla Ceno, që solli 33 personazhe. Kjo vepër ishte pjesë e trilogjisë së të Mbijetuarve.

Nga Julia Vrapi