BREAKING NEWS

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet për tritol

Shpërthim i fuqishëm në një hotel pranë QSUT, dyshohet
x

Kultura

“Kopshti i qershive” nga Çehov, këtë mbrëmje në skenën e teatrit të Korçës

“Kopshti i qershive” nga Çehov, këtë mbrëmje

“Kopshti i qershive”, një nga veprat më të njohura shkruar nga Anton Çehov këtë mbrëmje vjen në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Vepra me regji nga Dino Mustafic, sjell në skenë një kastë aktorësh të njohur për publikun. Më regji nga Mustafic, një nga emrat e njohur në fushën e teatrit, është punuar për një projekt teatror që mes dramës dhe notave humoristike, sjell për publikun artdashës një temë aktuale, se si çdo ditë po humbasim traditat edhe vlerat shpirtërore, duke i zëvendësuar me ato materiale. Në role janë Ema Andrea, Gert Ferra, Sotiraq Bratko, Paola Kodra, Lola Meta, Kristian Koroveshi, Zamira Kita, Guri Koço, Blerta Balliu, Silvio Goskova, Jozef Shiroka, Ligoraq Riza dhe Franc Bregu. Drejtoresha e teatrit të Korçës, aktorja Zamira Kita shprehet se “Kopshti i qershive” është një nga veprat më të mira të Çehovit, që vjen në skenën e Korçës. “Kjo është një ndër kryeveprat e Çehovit. Regjia Dino Mustafic”, shprehet drejtoresha e teatrit Zamira Kita. Koreografia në vepër është realizuar nga Gjergj Prevazi, muzika Endri Sina, shfaqja vjen në skenë edhe me pjesëmarrjen e korit “Lira”. Koreografi Gjergj Prevazi ka bërë disa bashkëpunime me regjisorin e njohur Dino Mustafic. Ai shprehet se në teatrin e Korçës kjo vepër do të vijë në kohë. “Kjo shfaqje teatrore vjen për publikun në një formë bashkëkohore në teatër”, tregon koreografi Prevazi. Në vepër, Ljubova Andreievna Ranevskaya me të bijën-Anja dhe guvernantia- Sharlota kthehen nga Parisi në një provincë ruse në një gjendje jo të mirë financiare. Duan të shesin kopshtin e qershive, me të cilin i lidhin shumë kujtime. Ranevskaya është një aristokrate e rënë nga vakti, që ende nuk e pranon dot fatin e saj dhe të shtresës që përfaqëson. Në një situatë të tillë, në një mbrëmje si shumë të tjera "në tisin e vetëpërkundjes" të njeriut të mësuar me një lloj jete prej së cilës nuk shkëputet dot, më 22 gusht mësojnë se prona e tyre është shitur. Tronditja lidhet për më tepër me emrin e pronarit të ri, Llopahini, një tregtar përfaqësues i shtresës së mesme të shoqërisë, (dikur i ati i tij 'muzhik' kishte shërbyer në familjen Ranevskaya) që e blen kopshtin për t'i vënë sëpatën pemëve të vishnjës.

Aktiviteti krijues

I lindur në Bosnje, Dino Mustafic, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh, cilësuar si një nga 4 festivalet më të mira të teatrit në Europë. Me teatrot e tjerë shqiptarë deri më tani regjisori Dino Mustafic ka bashkëpunuar për disa shfaqje teatrore, që i takojnë veprave të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka sjellë në skenë veprën teatrore "Rock'N'Roll". Po ashtu sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Shfaqja “Armiku i popullit” e Ibsen me regji të tij erdhi në skenën e Teatrit Eksperimental, po ashtu edhe në Teatrin Kombëtar ka qenë me dramën “Equus”, një vepër që është shkruar nga Peter Shaffer. Këtë mbrëmje në skenën e Korçës me regji nga Mustafic do të vijë “Kopshti i qershive”, e cila do të jetë me interpretimin e një kaste të njohur aktorësh jo vetëm nga Korça, por dhe nga qytete të tjera.

Nga Julia Vrapi