BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

“Korça Short Film Festival” me 32 filma shqiptarë dhe të huaj, këtë vit në një format ndryshe

“Korça Short Film Festival” me 32 filma shqiptarë dhe

“Korça Short Film Festival” këtë vit vjen në një format ndryshe. Në garë këtë vit janë prodhime të ndryshme kinematografike shqiptare dhe të huaja. Festivali po mbahet tërësisht online, kjo për shkak të masave kundër Covid-19. Aktivitete të ndryshme gjatë këtij viti janë zhvilluar online për shkak të situatës me pandeminë, dhe në këtë format po zhvillohet edhe festivali i filmit “Korça Short Film Festival”. Drejtori i festivalit Gledis Bica ka disa vite qe e zhvillon këtë aktivitet në vendin tonë. Por këtë vit ai thotë se për shkak të masave kundër covid-19 “Korça Short Film Festival” po zhvillohet në muajin dhjetor, pasi u ndërtua platforma online. “Kjo është edhe arsyeja përse datat u shtynë nga muaji korrik për në fund të muajit dhjetor, pasi u desh kohë për ta riformatuar duke ndërtuar një platformë online enkas për “KO:SH Film Fest””, pohon ai. Në një reagim të tij për festivalin, që nisi më datë 22 dhjetor për të përfunduar më datë 26 të këtij muaji, drejtori Gledis Bica thotë se janë në konkurrim 32 prodhime filmash me autorë shqiptarë dhe të huaj, ku 5 janë filma shqiptarë. “Këtë vit garojnë 32 filma në 3 kategori të ndryshme, të cilat janë gara ndërkombëtare, gara e filmave studentor dhe gara kombëtare. Kompeticioni i filmave virtualë u anulua pasi në këto kushte, ishte e pamundur, që publiku të shihte filmat nëpërmjet syzeve VR”, thotë në reagimin e tij drejtori i festivalit Gledis Bica. Filmat e huaj në konkurrim në këtë festival janë nga shtetet si Kanada, Itali, Angli, Francë, Lituani, Serbi, Vietnam, Slloveni, Gjermani, Rusi Zvicër, Çeki, Belgjikë, Koreja e Jugut.

Juria e festivalit

Juria e festivalit përbehet nga drejtori i fotografisë Isak Duraku, aktori i teatrit dhe i kinemasë Klodian Hoxha dhe drejtuesi i organizatës kulturore “7Arte” Lulzim Hoti. Filmat mund të shihen online dhe pa pagesë në adresën online.korcashortfest.com. Gjithashtu filmat mund të shihen vetëm përgjatë datave të festivali 22-26 dhjetor dhe vetëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, kjo për çështje të drejtash. Drejtori i festivalit Gledis Bica thotë se vlen për tu theksuar, që platforma digjitale është ndërtuar enkas për “KO:SH Film Fest” nga një kompani shqiptare. “Korça Short Film Fest 2019” është vazhdim i “First Step Film Festival”, që zhvilloi katër edicione ndër vite. Disa vite më parë festivali ndërkombëtar i filmit të shkurtër “First Step Film Festival”, që çdo vit është zhvilluar në Tiranë, me ndryshimet e tij u zhvillua në qytetin e Korçës. Drejtori artistik i festivalit kineasti Gledis Bica në një reagim të tij në vitin e parë kur ky festival u zhvillua me emrin “Korça Short Film Festival” tha se me ndërrimin e qytetit, u mendua dhe ndryshimi i emrit dhe formatit të festivalit. Në fjalën e tij më parë, drejtori artistik Gledis Bica tha mes të tjerave se zhvillimi i festivalit në këtë qytet do të ishte dhe në funksion të ekonomisë dhe rrethinave rreth Korçës. “Kemi një plan afatgjatë, për ta kthyer Korçën, në qytetin e filmit dhe kulturës, ku ky aktivitet, në të ardhmen të jetë jo vetëm në funksion të filmbërësve, por në funksion të gjithë ekonomisë së qytetit dhe rrethinave të saj. Për të arritur këtë gjë na duhet shumë punë dhe mbështetje. Gjërat e tjera më pas bëhesh shumë të lehta”, shprehej kineasti Bica. Por këtë vit për shkak të situatës me pandeminë, festivali po zhvillohet në formatin online.