BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën shqiptare

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën
x

Kultura

Kreshnik Xhiku: Galeria Kombëtare e Arteve të jetë më aktive, problem edhe linja e ekspozimit të veprave të artit

Kreshnik Xhiku: Galeria Kombëtare e Arteve të jetë më

Viti që po mbyllet ka qenë i vështirë për krijuesit. Në ditët e fundit të muajit dhjetor, artistë të artit figurativ shprehen se me pandeminë janë përballur me një situatë të vështirë. Pedagogu i arteve dhe skulptori i njohur Kreshnik Xhiku thotë se situata me pandeminë ndikoi jo pak në aktivitetet artistike. Ai thotë se në Tiranë u hapën më pak ekspozita këtë vit, ku dhe pjesëmarrja e njerëzve nuk ka qenë si vitet e tjera. Në intervistën për gazetën “SOT” skulptori i njohur flet dhe për problemet që hasen sot me veprat e artit në hapësirat publike jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë. Me rëndësi sipas tij është krijimi i komisioneve me specialistët e duhur, si dhe të ndiqen të gjitha procedurat e rregullat për të vendosur një vepër arti në hapësirat publike. Për Tiranën, skulptori thotë se duhet të ketë më shumë vepra arti në hapësirat e saj. Por sa i takon Galerisë Kombëtare të Arteve shikon se problem është mungesa e një linje ekspozimi për veprat. Kreshnik Xhiku është profesor, si dhe ka qenë dekan i Fakultetit të Arteve Pamore Universiteti i Arteve në një periudhë dy vjeçare. Ka punuar edhe si konsulent në Universitetin George Mason, Fairfax, VA prej vitit 2007. Veprat monumentale të skulptorit Kreshnik Xhiku hijeshojnë disa vende, si busti i Faik Konica në Parkun e Liqenit të Tiranës, shtatorja e Mbreti Zog në bulevardin Zog I, vepra e Hasan Xhikut në Gjirokastër, busti i Skënderbeut në Londër, si dhe disa nga shtatoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës siç janë monumenti i Nënë Tereza në Cleveland Ohio dhe Ekuestri i Skënderbeut në Rochester Hills Michigan.

-Jemi në muajin e fundit të këtij viti. Për ju si po mbyllet?

Ka qenë një vit i vështirë. Jo në kuptimin fizik, sepse kohë dhe mundësi kishte për të punuar. Punoja në studio, por pandemia ndikoi shumë tek krijuesit. Jo vetëm unë, por edhe kolegë të mi e kanë ndjerë këtë lloj stresi, që krijoi pandemia. Disa artistë thonë që mbyllja krijon një hapësirë më të qetë për të punuar, ose qetësi për tu mbyllur në studio. Disa thonë që krijimtaria është një produkt vetmitar, sepse punon vetëm në studio. Në këtë sens ajo ka një avantazh, por pjesa më e rëndësishme është që ka krijuar një stres tek të gjithë artistët pandemia. Kjo gjë është reflektuar dhe konkretisht. Në Tiranë ekspozitat e artistëve kanë qenë më të pakta se sa vitet e tjera. Inaugurimet ose pjesëmarrja e njerëzve në ekspozita ka qenë më e paktë. Bëheshin inaugurime ekspozitash, por nuk kishte fjalë hapje. Janë të gjithë pak të rezervuar dhe me të drejtë me këtë që po ndodh. Një situatë e vështirë për krijimtarinë dhe krijuesit ky vit, që po mbyllet.

-Para disa javësh pati shumë reagime për veprën e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut dhe të heroit legjendar Adem Jashari në Prizren. Reagoi shumë dhe komuniteti artistik në Shqipëri. Për ju si skulptor, çfarë ishte shqetësuese?

Unë pashë si të gjithë që në media u bë një debat i madh për veprën e Skënderbeut dhe të Adem Jasharit. Mendoj që në parim kur vihet një vepër arti përpara se ajo të vendoset duhet parë nga një komision artistik i përcaktuar ose i përzgjedhur nga institucioni. Përshembull një bashki zgjedh një grup specialistësh, që mund të jenë piktorë, skulptorë, arkitektë. Të shikohet projekti prej tyre dhe të aprovohet, dhe më pas ai fillon. Kjo duhet të jetë rruga e të bërit një vepër arti publike. Kalohet në një proces miratimi. Nuk duhet të jetë, që dikush ka para apo gjen miqtë dhe paguan një skulptor që njeh dhe ai bën një vepër arti. Unë nuk e di se si sa ka qenë rasti i Prizrenit, por në parim kështu duhet të jetë. Në Shqipëri shumica e veprave që janë vënë në hapësira jashtë kanë qenë me konkurse publike. Një vepër që unë kam bërë para 3 vitesh dhe quhet “Monedha” përpara “Credins Bank” te Ushtari i Panjohur, banka hapi një konkurs kombëtar më parë për veprën. E bëri publik konkursin dhe aty morën pjesë skulptorë që paraqitën projektet. Për këto banka kishte zgjedhur një komision me specialistë, që dhe ata i kishte bërë të deklaruar. Nga ky grup që ishin rreth 40 projekte u zgjodhën 3 ndër ta ishte dhe projekti im. Këto 3 projekte u realizuan. Një në Lezhë me një autor nga Kosova, vepra ime në Tiranë dhe një tjetër që u vendos diku tjetër. Pra ndiqen hapa profesionale për tu bërë vepra arti. Nuk bëhen me miqësi dhe njohje, por të jetë një konkurs i përcaktuar me kritere të qarta dhe më pas merret vendimi. Edhe në Tiranë ka pasur konkurse që janë ndjekur hapat, siç ishte dhe kur u bënë veprat në 100-vjetorin e Pavarësisë. U bënë veprat e Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, etj. Ishin konkurse kombëtare që u zhvilluan. Edhe monumenti që u vendos te parku “Rinia” u bë një konkurs mbarëkombëtar i organizuar shumë mirë, sepse u bë publike. Pavarësisht që pati dhe zëra se pse fitoi kjo vepër dhe pse jo një tjetër, por unë mendoj se gjithmonë ka pakënaqësi, që janë personale, private dhe subjektive shumë herë. Por ai konkurs ishte një shembull se si duhet të vendoset një vepër arti në hapësirën publike. Edhe në Kosovë kanë bërë konkurse të tilla, për shembull konkursi për veprën e Ibrahim Rugovës u bë publik dhe u prezantuan disa projekte në Prishtinë. U bë një gjykim, ku fitoi projekti më i mirë. Unë nuk e di se si janë bërë veprat në Prizren, nuk e di se si është proceduar. Por mënyra më e mirë për veprat është ajo që unë fola deri tani. Nuk po them që të gjitha konkurset janë zhvilluar si duhet, sepse në Shqipëri ka statuja dhe monumente që janë bërë dhe nëpërmjet njohjeve. Nëse një biznesmen ka mundësi të sponsorizojë një monument ai zgjedh atë autor që do, njeh, ka mik dhe e cakton ta bëjë veprën. Kjo nuk është e rregullt. Qyteti kur vendoset një monument nuk mund të bëjë çfarë do, por vepra duhet të kalojë në filtra të caktuar profesionistësh.

Kreshnik Xhiku: Galeria Kombëtare e Arteve të jetë më

-Çfarë ndodh me veprat e artit në hapësirat në Tiranë. Ka pasur artistë që janë shprehur se duhet të kemi më shumë vepra arti. Sa mungojnë sipas jush në hapësirat publike?

Mendoj që veprat e artit nuk mund të bëhen vetëm në qendrën e Tiranës. Ka hapësira të tjera publike ku mund të vendosen veprat, sepse Tirana është zgjeruar shumë si qytet. Ka mundësi të kemi vepra arti dhe në vende të tjera në Tiranë. Janë bërë përpjekje dhe janë vendosur disa vepra arti, por sigurisht duhen bërë më shumë.

-Skulptor dhe pedagog i arteve, çfarë mendoni për Galerinë Kombëtare të Arteve?

 Drejtori aty ka filozofinë e tij si e mendon dhe bën në Galerinë Kombëtare të Arteve. Por unë mendoj se kanë qenë pak të varfër. Mendoj se Galeria Kombëtare e Arteve duhet të jetë të jetë më aktive për publikun. Për mua është e rëndësishme siç kam biseduar dhe me kolegët e mi, që dhe ata e mendojnë që Galeria Kombëtare e Arteve të ketë një linjë të caktuar për veprat e artit. Galeria Kombëtare e Arteve nuk e ka këtë linjë për veprat e artit. Linjë e caktuar, është një linjë ekspozimi që arti shqiptar përfaqësohet me më të mirat e tij. Përshembull fillon arti shqiptar me Kol Idromenon në periudhën fillimi i shekullit 19, përveç artit mesjetar. Ata duhet të gjejnë një ekspozim të bollshëm në sallat e Galerisë Kombëtare të Arteve. Më pas periudha tjetër, dhe ata të tjetër që janë plejada Vilson Kilica, Sali Shijaku, etj. GKA duhet të ketë një linjë të caktuar, por hyn dhe nuk e gjen me veprat e artit. Galeria Kombëtare e Arteve ka copëra dhe nuk gjen një linjë të qëndrueshme dhe të palëvizshme. Nuk është një linjë e studiuar mirë në GKA, qoftë për artistët dhe për zhvillimin e artit shqiptar.

-Si skulptor me çfarë jeni marrë këto kohë në punën tuaj?

Unë po përpiqem gjithmonë ta përmirësoj veten time me skulpturat që bëj. Jam gjithmonë në kërkime. Krijimtaria nuk është një vijë e thjeshtë dhe ka gjithmonë probleme. Unë kam disa muaj, që po merrem me valltare. Kam dy linja që ndjek, dhe një linjë që është më filozofike ekzistencialiste më shumë për njeriun. Një punë, ku kam disa njerëz të vetmuar. Në grup skulpturor, që janë njerëz të vetmuar dhe janë përpara një varrimi. Përcjellin një njeri, që është ndarë nga jeta nga pandemia.

-Në veprat tuaja në skulpturë ajo që për ju ka rëndësi është dhe që të kenë një mendim, të shprehin mesazhe. Çfarë mund të na thoni për këtë pjesë me veprat tuaja në art?

Kjo ka qenë gjithmonë në punën time. Ajo që unë dua të kem në krijimtarinë time, është e rëndësishme që skulptura ime të ketë një mendim, të ketë një mesazh. Kjo është shumë e rëndësishme për mua si skulptor dhe një projekt në skulpture të re nuk vjen sot, por unë e kam pasur në mendje ku bëj një vizatim, skicë dhe përpiqem si ta bëj. Puna me skulpturën është gjithmonë një proces i vazhdueshëm dhe nuk ka një pushim. Një proces pune, që gjatë vazhdimit pëson ndryshimet. Nga skulpturat e mëparshme përpiqem të marrë gjërat më të mira. Unë kur punoj kam pranë skulptura të mia, që më shtyjnë dhe më mbajnë të kontrolloj nivelin tim. Këtë e kam si referencë.