BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Kultura

Kreu i SPASH, Reshat Ibrahimi: Arti në situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, kërkesat tona nuk gjejnë zgjidhje

Kreu i SPASH, Reshat Ibrahimi: Arti në situatë të

Problemet ligjore, kushtet e punës, trajtimi me paga, etj, shoqërojnë artistët në aktivitetin e tyre. Probleme të cilat janë pohuar herë pas here dhe sipas tyre duhet edhe një ligj i ri për artin. Kërkesat e artistëve u bënë me dije dhe në maj të një viti më parë në kongresin e katërt të Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë. Presidenti i SPASH Reshat Ibrahimi thotë se sindikata ka vijuar me kërkesat për zgjidhjen e problemeve të artistëve, por sipas tij nga Ministria e Kulturës shumë pak është bërë deri tani. Kreu i SPASH e quan sukses kontratën kolektive të punës, që u nënshkrua për herë të pestë midis Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, por si shprehet se gjendja në institucionet e artit dhe kulturës paraqet jo pak probleme. “Firmosja e kontratës kolektive të punës në një takim që u bë në ministri më 2 qershor të këtij viti është një nga detyrat më të rëndësishme tonat dhe është sukses, që ne nuk kemi lëvizje të artistëve dhe punonjësve në institucione. Por janë disa pika të cilat vazhdimisht janë përsëritur, që kanë lidhje me statusin e artistit, ulja e moshës së daljes në pension për disa profesione të vështira të artistëve, etj. Janë kërkesa që ne ia kemi bërë të ditura Ministrisë së Kulturës. Në kongresin që u bë në maj të 2019 ne sërish përsëritëm kërkesat, por asgjë nuk është bërë deri më tani për këtë”, pohon presidenti Reshat Ibrahimi. Kur asgjë nuk u bë për këto kërkesa muaj më parë kur ende nuk ishte një situatë me pandeminë, për presidentin e SPASH Reshat Ibrahimi edhe ky sezon veror nuk ka gjasa që të ketë ndonjë ndryshim. Në reagimin e tij Ibrahimi thotë se kërkesat e tyre prej muajsh kanë pasur zvarritje. “Është një situatë e vështirë dhe për shkak të pandemisë, që ka ndikuar në institucionet e artit. Ne takimin e fundit në Ministri të Kulturës më 2 qershor kur u firmos kontrata kolektive e punës që ka shumë rëndësi, u tha që problemet do të ndiqen dhe do të marrim dhe mendime nga institucionet e artit për projektligjin e pensioneve. Unë kam folur para disa ditësh, por nuk kemi marr përgjigje akoma sepse institucionet janë të mbyllura, nuk kanë ku njerëzit të hapin arshivat dhe të shohin moshën e artistëve, etj. Çdo gjë është e vdekur dhe për shkak të situatës. Por për kërkesat tona ka pasur zvarritje dhe më parë nga ministria dhe duke qenë se erdhi dhe kjo situatë me pandeminë asgjë nuk është bërë”, pohon Ibrahimi në reagimin e tij.

 Situata nga pandemia

Në ditët e fundit të muajit korrik, presidenti i SPASH shprehet se e shikon se arti dhe kultura është në një situatë të jashtëzakonshme. Ai thotë se pandemia ka ndikuar, por SPASH do të vijojë të punojë për plotësimin e kërkesave të artistëve. “E shikoj që është një situatë e jashtëzakonshme kjo kohë për artin, sepse çdo gjë është mbyllur. Ne kemi miratuar disa kërkesa në kongres një vit më parë, por fatkeqësisht asgjë nuk ka lëvizur. Nuk është bërë asgjë, ku patjetër ne presim që të nisë puna me ministrinë. Probleme ka dhe ne si SPASH do të vijojmë me zgjidhen e tyre”, thotë Ibrahimi. Në kongresin që u zhvillua në maj të 2019 SPASH u shpreh në kërkesat e saj për mbrojtjen social ekonomike të artistëve dhe punonjësve, si një detyrë e përhershme dhe fondamentale. Zbatim të kontratës kolektive të nivelit të parë dhe të dytë në institucionet e kulturës, vazhdimin e punës për të miratuar në parlament statusin e artistit dhe bërjen e një ligji të ri mbi artin dhe kulturën ne vend, pasi artistët përfitojnë disa të drejta themelore si ulja e moshës së pensionit për disa gjini arti, pensione suplementare, demokratizim të institucioneve etj. Po ashtu u tha se do të vazhdojë kërkesa e SPASH për rritjen e pagës së artistëve, do të ndiqet me vëmendje përmirësimi i kushteve të punës për artistët në institucione, etj. Kongresi në 2019 bëri bashkë artistët e teatrit, cirkut, Ansamblit Popullor dhe më gjerë, por ai u bojkotua nga ministrja e Kulturës, si dhe nga titullarët e institucioneve.