Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kristaq Mitro: Dikur filmi vlerësohej, sot nuk kemi kinema, një regjisor nuk mund të jetë dhe skenarist dhe producent

Postuar: 10/11/2019 - 07:47

 Për kinematografinë në vend flitet shumë, por me probleme janë dhe prodhimet e filmave të realizuar para viteve ’90, që sipas regjisorëve të ndryshëm duhet bërë shumë më tepër nga shteti për ruajtjen e tyre. Regjisorët thonë se është pasuri kombëtare, dhe filmi nuk duhet lënë pa restauruar. Regjisori i njohur Kristaq Mitro, pohon se shteti duhet të bëjë shumë më tepër për arkivin e filmit në vend. Në intervistën për “SOT”, regjisori Kristaq Mitro thekson se filmi nuk është gjë e vogël, por vlerë e madhe, që ne e shikojmë si gjë të zakonshme. Regjisori shprehet se është gjynah, që sot ka tituj filmash që rrezikojnë jo pak dhe duhen restauruar ndaj shteti duhet të jetë më pranë AQSHF për ndihmë me buxhete. Problem me prodhimin e filmit, regjisori Kristaq Mitro nuk shikon vetëm buxhetet, por sipas tij edhe vetë kineastët duhet të jenë më kërkues për të gjetur fonde dhe jashtë, sepse sot nuk mund të realizohet vetëm me paratë në vend. Shqetësues për regjisorin e njohur Kristaq Mitro është dhe skenari, që ndikon jo pak në punën me filmin. Sipas tij, sot mungojnë profesionistët dhe duhet punuar me vëmendje në realizimin e filmit. Së fundmi me filmin e tij “Nusja dhe shtetrrethimi”, regjisori i njohur Kristaq Mitro mori vlerësime edhe në “Viennale” të Austrisë.

 

-Filmi juaj u shfaq në “Viennale” të Austrisë. Sa rëndësi pati për ju si një nga regjisorët e filmit?

Filmi u shfaq në “Viennale” në Vjenë pas shumë vitesh nga premiera, që pati në Shqipëri. E goditën nga të gjitha anët dhe nuk lanë gjë pa i bërë filmit, por vjen një delegacion i “Viennales” së Vjenës në Austri dhe e vlerëson filmin “Nusja dhe shtetrrethimi” i realizuar dekada më parë. E merr këtë film bashkë me 20 filma të tjerë të Europës, që janë më të mirët si “Kozara” dhe të tjerë prodhime kinematografike, ku filmi jonë është krahas tyre. “Viennale” është festivali më i madh, që bëjnë austriakët për filmin dhe u përzgjodh për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore. Ky film është xhiruar në vitin 1978, pasi ne bëmë filmat “Dimri i fundit” dhe “Tokë e përgjakur”, dhe ky ishte i treti në radhë. Që kur u shfaq para viteve ‘90 në Shqipëri, është hera e parë që ky film doli dhe u shfaq jashtë vendit. Në fillim në Shqipëri u hezitua shumë për këtë film, sepse u quajt i gabuar, por i shpëtoi censurës atë kohë dhe u shfaq. Më pas u hesht për të. Kanë qenë shumë personalitete si regjisori Pirro Mani, dhe të tjerë të huaj që e kanë parë filmin, që kanë thënë që ky është ndryshe nga ata që keni bërë ju në Shqipëri. Në “Viennale” shkruanin se ishte një film, që vjen nga Shqipëria dhe tregon me sinqeritetin më të madh një luftë partizane në vendin tonë, sepse dhe ata njerëz kanë luftuar. Kanë bërë heroizma të thjeshta, por të bukura, me vlerë për kohën, për luftën. “Nusja dhe shtetrrethimi” është një film bardhe zi dhe mori vlerësime, por kjo nuk është vetëm arritje për mua si regjisor, por edhe për kinemanë shqiptare në radhë të parë.

-Çfarë po ndodh me filmin tuaj “Liri a vdekje” prodhim i vitit 1979 në Kinostudio. Më herët jeni shprehur se ka probleme?

Në arkiv të filmit rrezikohet shumë “Liri a vdekje”, sepse është me ngjyra dhe një film me mashtabe të mëdha, është gjynah. Megjithatë në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit kanë bërë diçka, e kanë në vëmendje dhe po kërkojnë që ta çojnë diku për ta restauruar plotësisht “Liri a vdekje”. Më vjen mirë, që drejtoresha e AQSHF po përpiqet me të gjitha mënyrat për ta bërë këtë gjë, sepse është një film që nuk duhet të na ikë nga arkivi jonë, gjë që nuk besoj. Më ka thënë disa herë drejtuesja e arkivit, që jemi në një rrugë shumë të mirë për ta restauruar këtë film.

- Arkivi i filmit më herët shkruante se “Nusja dhe shtetrrethimi” na jep shpresë për promovimin e të tjerave thesare të kinematografisë shqiptare. Kur themi thesare të kinematografisë shqiptare që janë sot në arkiv, për ju sa duhet bërë nga shteti për këtë institucion, që ruan pasurinë tonë filmike?

Shteti ka shumë për të bërë për Arkivin Qëndror Shtetëror të Filmit, sepse e ka lënë pas dore. Shteti e ka lënë pas dore në mënyrën me flagrante arkivin e filmit. Aty kërkohen fonde për filmat, bashkëpunime me të huajt, etj. Por nuk është vetëm filmi jonë, i imi dhe i Ibrahim Muçajt, por janë dhe të tjerë filma që po presin të restaurohen. Çdo arkiv bote ka fonde speciale të nxjerra nga shteti i tyre për të restauruar filmin, sepse është pasuri e madhe. Nuk është gjë e vogël, janë vlera të mëdha, por ne e shikojmë si gjë të zakonshme. Mjafton të thuash, që ky është një film që ka bërë epokë, një film që ka bërë histori, ose është luftuar shumë për të arritur një film të tillë dhe ta lësh në atë mjerim të madh është gjynah. Për mua ajo drejtuese sot në AQSHF po punon shumë, jam pranë saj dhe e shikoj se sa po mundohet për arkivin dhe filmin.

-Edhe ju si regjisorë të tjerë jeni shprehur se mungesa e kinemave në vend është shqetësuese për filmin sot. Çfarë ka ndryshuar nga kjo gjendje, që flitet prej vitesh me filmin?

Ne flasim për kambana, por nuk kemi kambana. Kambana është kinemaja, por ndërkohë ne nuk kemi. E dini që nuk ka Vlora, Gjirokastra kinema, nuk kanë qytete të tjera? Të jesh në mes të Europës, dhe jemi i vetmi vend që nuk ka kinema për filmat, që të shfaqen për publikun.

-Sipas jush, e drejta autorit në film sa ka gjetur përmirësim në vendin tonë?

Ka ende shumë probleme me të drejtën e autorit në filmat tanë. Saimir Kumbaro bashkë me Esatin që e ndihmon, po përpiqen nëpërmjet juristëve dhe gjyqeve që duhet të bëjmë ne për të arritur të drejtat e autorit aty ku duhet. Kjo është si puna e pronës. Ke bërë shtëpinë dhe ta marrin e japin me qera të tjerët. Kështu i bie dhe punës së filmit me të drejtën e autorit. Janë futur gjithë ato grerëza dhe zhvatin filmin shqiptar, por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por dhe në Kosovë më tha Saimiri e njëjta gjë. Me filmat tanë bëjnë çfarë të duan, nuk ka kush ta mbrojë. Kur bota i ka vënë rregullat me kohë për mbrojtjen e të drejtës së autorit, tek ne asgjë nuk mbrohet si duhet sepse problemet vazhdojnë.

-Në reagimet e tyre herë pas here artistë të ndryshëm shprehen se mungon vlerësimi ndaj tyre nga institucionet, por dhe pak bëhet për zhvillimin e artit në vend. Ju si e shikoni?

Nuk ka një kujdes për artin në vendin tonë. Kushdo e shikon këtë, natyrisht që këtë më tepër e shikojmë ne që merremi me artin, por dhe njerëzit kur takojmë në rrugë që na thonë pse nuk bëjmë një film, pse nuk jepen fonde për artin, etj.

-E vështirë sot për kineastët të realizojnë filma, mungojnë buxhetet e duhura në vend. Po vetë kineastët sipas jush çfarë duhet të bëjnë më tepër për të gjetur fonde?

Një kineast sot për të realizuar një film ka shumë vështirësi, pra përballet me mungesën e parave. Qendra Kombëtare e Kinematografisë tani po përpiqet shumë ti fusë gjërat në shinë. Unë di që kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë po kërkon buxhete dhe është ngulmues për këtë. Por megjithatë kinemaja nuk bëhet vetëm, nuk bëhet vetëm nga shteti jonë, por të gjitha kinematë bëjnë bashkëpunime, punojnë mes tyre, qoftë dhe televizioni apo dhe “Eurimages” dhe të gjithë shkojnë dhe kërkojnë para. Nuk jemi vetëm ne në Shqipëri që kërkojnë para, por dhe Franca, Italia, etj. Ndaj them që kinemaja është marrje dhe dhënie. Edhe kineasti vetë duhet të aplikojë për buxhete. Sot është rruga e kohës moderne, që kinematografia ka hyrë në një aplikim me këdo aty ku ka mundësi. Ai shikon veprën, skenarin, shikon kush është në staf, etj.

-Me aktivitetin tuaj në kinema jeni i vlerësuar si regjisor. Por për skenarin janë pohuar jo pak probleme gjatë viteve. Për ju sa vëmendje i kushtohet skenarit me filmin?

Skenari i filmit nuk është një shaka, por do profesionistë. Ne dikur në Kinostudio jemi munduar shumë me filmin. Ka pasur dhe nga ata, që i kanë dërguar për të studiuar jashtë, por dhe brenda asaj që quhej redaksia artistike rrihej mirë problemi. Shikohej skenari në të gjitha detajet e veta, hallkat, etj. Nuk ishte një punë, që shkonte me një lloj indiferentizmi, por i kushtohej rëndësi e madhe skenarit në film. Kishte raste, që skenari i filmit përmirësohej disa herë deri sa të vinte në film. Ka pasur disa hallka derisa të vinte të udhëheqësi artistik, i cili i vëzhgonte gjatë gjithë kohës që bënte skanerin dhe vinte aty ku duhej. Nuk ta aprovonte njeri skenarin deri sa ai vinte në parametra të nivelit artistik, që ai kërkohej. Natyrisht që pjesa e partisë ishte prezent në atë kohë dhe nuk i shpëtoje dot, por ama ne mundoheshim të gjithë që të ishim emocionalë me atë që binim. Por tani shikoj një gjë të çuditshme. Shikoj regjisor një emër, po atë e shikoj skenarist dhe producent. Po këtë emër rrezik ta shikojmë dhe drejtor fotografie. Ti bëjë të gjitha një njeri, nuk kam parë! Vetëm këtu në Shqipëri po ndodh kjo. Ne nuk kemi as dialogistë, dhe këtë e bën kush të dojë. Kur fillon filmi duhet të jetë i kopsitur skenari. Më ka thënë Timo Flloko, që dikur kur ishte në Amerikë çdo gjë ishte me profesionistë me filmin. Dialogut i dilte profesionisti, imazhit i dilte profesionisti, etj. Në çdo hap që bënte skenari kalonte nëpër mjeshtra, sepse në fund fillon filmi dhe thua çak motorr, dhe nuk kthehet më mbrapa çdo gjë. Kurse tek ne në disa raste, në shesh xhirimi kur xhirohet ndërrohet teksti, ose mënyra se si duhet thënë diçka. Ne kemi qenë ata që kemi qenë ato vite në Kinostudio, ku aty kishte eksperienca të ardhura nga rusët, dhe qoftë Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti ishin të përgatitur në ato shkolla. Ata sollën eksperienca të mëdha, që ne i respektuam dhe i çuam më tutje. Por sot për skenarin në film mungojnë profesionistët. Nuk mundet një njeri të bëjë pesë punë në një film. Filmi është gjë e madhe nuk është e kotë. Unë vetë e vlerësoj shumë skenarin dhe realizimin e filmit në punën time si regjisor.

-Jeni shprehur se para se të flasim për një festival të filmit shqiptar, më parë duhet të mendojmë për prodhimet kinematografike. Ju çfarë kërkoni?

Ne duhet të bëjmë filmat në fillim, më pas të mendojmë edhe për festivalin e filmit shqiptar në Shqipëri. Janë aprovuar shumë skenarë dhe do bëhen filma. Por pa u bërë filmat, nuk bëhet festivali. Më kuptoni, nuk po flasim për numra filmash, që kemi folur gjithë jetën. Edhe në kohën e Partisë së Punës, 14 filma artistikë bënim ne në Kinostudio, por në 14 filma 2-3 ishin, sepse të tjerët nuk ishin si niveli i tyre. Edhe ata që kanë parë kinemanë tonë, emra të shquar që kanë punuar në kinematë e botës, për arkivin tonë thonë nga 260 apo mbi 300 filma në Kinostudio, 20-30 janë të mirë që janë artistikë, me gjuhë kinemaje dhe që duken që janë filma.

-Ju e keni një projekt për film artistik, çfarë po ndodh?

Jam në pritje të kemi përballjen para bordit të filmit, për projektin.

 

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 08:15

Shfaqja teatrore "Zogu i Zi” këtë mbrëmje vjen për publikun në skenë tek “ArTurbina”.

Postuar: 08/12/2019 - 08:14

Piktori i njohur Agim Sulaj këtë muaj të fundit të vitit vjen për publikun me ekspozitën personal

Postuar: 08/12/2019 - 08:12

Tërmeti solli dhe dëmtime në disa prej monumenteve të kulturës në vend.

Postuar: 07/12/2019 - 07:35

Sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula së bashku me të tjerë artistë ngjiten të dielën në skenë,

Postuar: 07/12/2019 - 07:34

“Kopshti i qershive”, një nga veprat më të njohura shkruar nga Anton Çehov këtë mbrëm

Postuar: 07/12/2019 - 07:32

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Tiranë, në kuadër

Postuar: 07/12/2019 - 07:30

Ministria e Kulturës nuk ka pasur në vëmendje sa duhet jetën artistike në vend.