BREAKING NEWS

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në 13:00”, kryeministri Edi Rama njofton masat e rrepta për fundjavën dhe javën në vazhdim

“Nga nesër dita e fundit me fashën orare deri në
x

Kultura

Kristaq Mitro: Kemi shkatërruar traditën e kinemasë, filma si “Liri a vdekje” nuk realizohen dot sot

Kristaq Mitro: Kemi shkatërruar traditën e kinemasë, filma si

Në kinematografinë shqiptare, problemet me të cilat përballen regjisorët për filmat nuk janë të pakta. Sipas tyre realizimi i një filmi ka vështirësi, por kur buxhetet janë të pakta ato rriten. Në intervistën për “SOT”, regjisori i njohur Kristaq Mitro shprehet se për kinematografinë duhet bërë shumë më tepër. Për regjisorin, puna me filmin është e madhe, por problemi me buxhetet ndikon jo pak. Sipas tij dikur ishte Kinostudio, që siguronte gjithçka, por sot problemet janë nga të ndryshmet. Për regjisorin Kristaq Mitro në vende të tjera të botës ruhet tradita e kinemasë, por në vendin tonë ajo u shkatërrua dhe sot nuk ka mbetur asgjë si dikur. Edhe pse me jo pak probleme për punën me filmin, regjisori Mitro tregon se në planet e tij është një projekt në kinematografi, për të cilin po përpiqet që ta realizojë. “Artist i Merituar” Kristaq Mitro është një nga regjisorët e vlerësuar të kinematografisë shqiptare, që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e filmit. Për filmat e tij të realizuar ndër vite vlerësimet nuk kanë munguar jo vetëm brenda kufijve shqiptarë, por dhe më gjerë. Bashkë me regjisorin Ibrahim Muçaj kanë realizuar disa nga filmat më të njohur të Kinostudios. Kontributi i tij si regjisor është te filmat “Njeriu i mirë”, “Duaje emrin tënd”, “Dimri i fundit”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Liri a vdekje”, “Apasionata” “Telefoni i një mëngjesi”, “Njeriu i mirë”, “Një vajzë dhe një djalë”, etj.

-Në muajt e parë të vitit çfarë mund të na thoni për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, më parë një projekt me regji nga ju u prezantua te bordi?

Unë kam qenë entuziast për bordin në QKK dhe jam akoma. Mendoj që diçka ka ndryshuar dhe do të ndryshojë. Kaq nuk di më tepër. Unë shikoj që janë aprovuat projekte, që kanë pasur vlera dhe ato janë evidencuar. Dhe derisa janë evidencuar, janë pëlqyer nga bordi dhe janë aprovuar. Aty ka shumë kërkesa, por nuk do të thotë që të gjitha projektet do të aprovohet. Aty ka një gjë të mirë, që bordi e pranon dhe për herë të dytë projektin, i cili mund të mos jetë i fituar në herë të parë. Pra ka një të drejtë ai që çon projektin që të konkurrojë sërish, gjë që mua më duket pozitive. Projekti im me filmin artistik është një skenar i Roland Gjozës, por bordi në QKK nuk e aprovoi. Tani kemi të drejtë që këtë projekt ta hedhim sërish në bord, Rolandi si skenarist dhe unë si regjisor. Për projektin aplikon producentja e filmit. Ne presim se kur do të hapet data e futjes së projekteve, por besoj nga mesi i këtij viti. Ne tashmë jemi duke punuar për disa vërejtje, që ne na i kanë bërë miqtë tanë dhe njerëz që marrin vesh nga kinemaja dhe po i korrigjojmë. Por jemi dhe në disa trataktiva me të huajt për të qenë si të thuash kooproducent. Deri tani kjo është ajo që po bëhet për projektin me filmin.

-Si po vijon puna për të gjetur financime për filmin jashtë?

Producentja jonë e ka prezantuar skenarin në disa shtete, dhe ata kanë sjellë pëlqimet e tyre. Janë goxha dhe presim që të shkojmë më tutje me to sepse ne duam që të gjitha ti prezantojmë tek bordi që do të shpallet se kur do të ketë datën. Ndërkohë unë si regjisor do të shkoj sërish në vendet ku do xhirojmë, sepse i gjithë filmi është në periudhën e dimrit. Unë i kam parë ato vende dhe ia kam prezantuar dhe bordit për filmin në radhën e parë. Është i vetmi producent i filmit tim, që ka paraqitur të gjitha vendet e xhirimit, janë paraqitur me fotografi dhe me detaje. Por pashë që ato nuk janë vlerësuar, nuk patën ndonjë interes në bord dhe kjo më bëri çudi, sepse unë e di që ata janë kineastë dhe gjëja e parë që shikon një kineast është ku do të xhirojë regjisori. Ky producent, ku e ka vendosur filmin në marrëdhënie me regjisorin. Nuk pati asnjë gjë, përveçse pjesës së bordit shqiptar, që ata anëtarë ishin shumë të interesuar dhe bënë pyetje, pjesa e të huajve nuk patën asnjë interes. Madje të huajt nuk patën interes dhe të më pyesnin se kush jam dhe çfarë kam bërë. Mora vesh që ata nuk kishin parë asnjë nga punët e mia me filmat, që kam bërë. Një regjisor që shkon përballë bordit, ata duhet të dinë se kush ai që është aty. Çfarë ka xhiruar, çfarë ka bërë, dhe a besohet që ky të marri projekt. Kjo është më minimalja, e të pyeturit, se ke të bësh me një regjisor, që do të bëjë një projekt. Unë kam bërë 12 filma artistikë bashkë me shokun tim që nuk jeton më, jam pjesë e filmave. Nuk dua të mburrem, por nuk kam bërë filma kot. Nuk kam kërkuar për më tepër, çdo gjë është vendim i bordit. Por unë pres të më vijnë disa “po” ose pëlqime, kam dëgjuar që skenari është lexuar dhe është pëlqyer nga jashtë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë dhe me të po merret producentja e filmit, që e njeh mjaft mirë kinemanë dhe ka lidhje me shtetet si Francë, Gjermani, Çekinë, etj. Fitorja ime është, që të siguroj kooproducentë.

-Keni punuar vite me radhë me filmat në Kinostudio. Sot sa e vështirë është për ju realizimi i një filmi artistik?

Vështirësitë për të realizuar një film më tepër janë brenda nesh se sa me jashtë. Marrëveshja është e thjeshtë, nëse një i huaj e pëlqen skenarin futet në bashkëprodhim, nëse jo nuk futet. Gjithmonë varet nga skenari dhe kush është regjisori, që do ta realizojë këtë histori të skenarit. Do parë gjithmonë që ky regjisor që merr projektin çfarë ka bërë, sepse tek ne në Shqipëri nuk pyetet fare. Unë nuk dua të ofendoj asnjë, sinqerisht, por gjëja e parë është që duhet të pyesin. Unë dhe në botë kam parë, gjëja e parë që të pyesin atje ku kam qenë unë për kinemanë është çfarë ke bërë, çfarë ke realizuar si regjisor.

-Ju i kushtoni shumë rëndësi punës me skenarin, është historia e filmit. Çfarë duhet pasur parasysh gjatë punës me skenarin?

 Luftohej shumë dikur në Kinostudio për një skenar të mirë. Dhe kur bisedoj me shokët, them një skenar i mirë është një vlerë për të bërë një film të mirë. Është një premisë e madhe. Gjithmonë një regjisor kërkon një skenar të mirë. Një skenar i mirë me një regjisor të mirë vjen dhe merr një punë të mirë, një skenar i dobët sado ta punosh do ketë mangësi dhe deficite brenda, që nuk riparohet dot. Filmi thonë disa mund të korrigjohet gjatë rrugës, por se pranoj. Mund të bëhen plotësime dhe shihet se ku çalon, ku një sy i vëmendshëm i regjisorit korrigjon qoftë në kamera me thirrjen e skenaristit dhe bëhet një korrigjim, por të bëhet gjithçka nuk bëhet dot nëse nuk është skenari i mirë. Por mendoj, që buxheti për filmin shqiptar duhet të rritet.

-Si ndikon mungesa e buxhetit për punën me filmin?

Unë di që dhe drejtori i QKK është përpjekur të kërkojë buxhet, sepse ai e di vetë se është regjisor i mirëfilltë. Ai kërkon, por se sa plotësohet për QKK, varet nga të tjerët që japin paratë për kinematografinë. Kinemaja në vendin tonë ka nevojë për para, sepse është e vështirë, ne nuk kemi as studio, nuk kemi as grupe xhirimi siç kemi pasur dikur bë Kinostudio. Ne nuk kemi një set dritash. Duhet ta blesh dhe atë, ta paguash. Për sot çdo gjë është para në mes. Pa para nuk bëhet gjë dhe sidomos filmi. Dikur ishte Kinostudio, që i kishte të gjitha gjërat për filmin. Sot secili shikon punën e tij dhe çfarë do të sigurojë për veten për punën me filmin. Përmend këtu filmin “Liri a vdekje” një film i prodhuar në Shqipëri në vitin 1979. Me regji nga unë dhe Ibrahim Muçaj dhe skenari nga Vath Koreshi, por ishte i mashtabeve të mëdha dhe sot nuk bëhet më një film i atyre përmasave.

- Pse sipas jush nuk mund të xhirohet, më një film i atyre përmasave?

Duke qenë një film i përmasave të mëdha, qoftë personazhet që ishin shumë, por dhe vende xhirimi të vështira me figurantë shumë, mjafton të përmendësh vetëm betejën e Mashkullorës, që ishin 2-3 reparte ushtarake të veshur me rroba turqish, etj, por sot në depot e ish Kinostudios nuk gjen një kobure. Janë zhdukur të gjitha. Mua sot më duket çudi që e kemi atë film. Një ditë me aktorin Timo Flloko që luante Çerçizin me të cilin jemi miq, duke folur thoshim se si kemi arritur ta bënim atë film. “Liri a vdekje” është nga filmat e paktë dhe të rrallë, që personazhet janë me emrat historikë, Mihal Grameno, Çerçiz Topulli, etj, dhe kjo është e bukur. Ne e gjykojmë nga vitet që kanë kaluar, por sot një film i tillë nuk bëhet dot. Filmin e shikon në tërësi, por kur rri dhe gjykon, mendon si kam arritur të xhirohet në kapacitete kaq të mëdha.

-Ky film është bërë në kohën e Kinostudios, sot nuk është më si dikur. Çfarë ka mbetur prej saj?

Sot ka humbur e gjitha. E kanë zhdukur nuk ka mbetur asgjë dhe kjo dihet. Çfarë ka mbetur nga Kinostudio sot? Asgjë. Bota e ruan traditën me kinemasë, por tek ne është një kapitullim. Bota ruan çfarë ka bërë më parë, e ruan me fanatizëm, por ne nuk e ruajmë dhe bëjmë të kundërtën e shkatërrojmë. U shkatërrua tradita e kinemasë, kanë mbetur vetëm disa fotografi që mbahen në shtëpi. Disa xhirime të vogla që kanë mbetur arkiv dhe s’ka gjë tjetër më. Ne sot nuk kemi as kinema si dikur në qytetet tona. E trishtueshme që nuk ka kinema në Shqipëri, kur dhe venet më të varfra kanë.

-Filmi “Nusja edhe shtetrrethimi”, 41 vjet pas premierës shqiptare u shfaq në Austri. Filmi prodhim i vitit 1978 shënoi premierën e tij ndërkombëtare në “Viennale”, që është një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane. Sa rëndësi pati për ju si një nga regjisorët ky prezantim?

Nëpërmjet këtij filmi siç jam shprehur dhe më parë, promovohet një pjesë e thesarit të kinematografisë shqiptare. Filmi u përzgjodh në “Viennale” për të qenë pjesë e programit të filmave europianë, që trajtojnë Luftën e Dytë Botërore. Dekada më parë “Nusja dhe shtetrrethimi” i shpëtoi censurës. U shfaq premierë, por më pas u hesht për këtë film. “Nusja dhe shtetrrethimi” u shfaq bashkë me filmin “Kozara”, që është një nga më të mëdhenjtë, që ka bërë Europa për Luftën e Dytë Botërore, dhe ata në “Viennale” e kanë zgjedhur njësoj siç kanë zgjedhur filmin tim. Është vlerë kjo jo vetëm për mua, por dhe për kinemanë shqiptare.

-Çfarë ndodh sot me artistët, sa po vlerësohen?

Unë për veten time nuk shikoj të ketë ndonjë vlerësim të madh për artistët. Kush i vlerëson artistët sot? Një ditë më tha një shoku im që është regjisor, që një prind i kishte thënë se donte ta bënte djalin regjisor filmi. Ai i ishte përgjigjur, që të bëjë djali një shkollë tjetër se do ta lësh pa bukë tërë jetën. Ky është vlerësimi sot për artistët.