BREAKING NEWS

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i bllokon fondet me vendim të prerë (Përplasja mes organizatës dhe Kongresit)

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i
x

Kultura

Kristaq Pilo: Shembja e teatrit dhimbje e madhe, politika e la qëllimisht të degradojë, gjatë 30 viteve ka munguar mbështetja për artin

Kristaq Pilo: Shembja e teatrit dhimbje e madhe, politika e la qëllimisht

Politika ndër vite nuk e ka vlerësuar teatrin në vend. Në këto tre dekada qeveritë nuk investuan në Teatrin Kombëtar, i cili degradoi si godinë, ku sipas artistëve nuk duhej lënë në atë gjendje. Aktor dhe regjisor Kristaq Pilo shprehet se shembja e Teatrit Kombëtar është një dhimbje e madhe. Në intervistën për gazetën “SOT” Kristaq Pilo thotë se lënia pa investime ndër vite në godinë ka qenë e qëllimshme. Ai shprehet se një teatër i ri mund të ndërtohej diku tjetër, ku salla që ishte në Teatrin Kombëtar mund të vijonte të shfrytëzohej për jetën artistike. Prej vitesh aktor, regjisor, drejtori institucioneve artistike dhe në vijim edhe pedagog i fjalës artistike Dega-Regji te Fakulteti i Artit Skenik, Kristaq Pilo shpreh keqardhjen që pak vëmendje ka për artin në vend. Sipas tij, në kohën sot kur janë vetëm dy salla të “ArTurbina” nuk dihet ende se çfarë plani ka Ministria e Kulturës për teatrin. Kristaq Pilo ka nisur aktivitetin artistik, që në vitin 1982. Ndër vite është marrë me filmin dhe teatrin, por ai shprehet se e shikon të zymtë jetën artistike, pasi nuk ka vëmendje nga institucionet përgjegjëse të politikave kulturore në vend. Si aktor, ai tregon se për shkak të pandemisë ka lënë përgjysmë një projekt filmi, po ashtu ka lënë dhe vënien e një pjese teatrore në skenë si regjisor.

 -Teatri Kombëtar u shemb, për ju si artist i teatrit çfarë solli kjo humbje?

Shembja e Teatrit Kombëtar për mua është një dhimbje e madhe. Teatri Kombëtar nuk kemi të bëjmë thjesht me disa persona brenda apo jashtë. Dhe trajtimi që iu bë problemit për mua ishte shumë e dhimbshme, duke u futur politika në përçarjen e komunitetit të artistëve. Godina e TK është pronë e shqiptarëve dhe ajo si e tillë kërkonte menaxhimin dhe mirëmbajtjen e saj nga struktura të larta, që e kishin në varësi siç është Ministria e Kulturës apo qeveria. Por lënia në një kohë shumë të gjatë pa asnjë lloj investimi besoj se ka qenë e qëllimtë, dhe e lanë të degradojë si godinë. Mirëpo për mua nuk është thjesht godina si godinë në vetvete, por ajo ka vlera shpirtërore të mbartuar brenda saj dhe nuk vijnë të rastësishme, ato janë pjesë të një historie. Nëse do ta perifrezoja do të thosha, që nga goditja që mori në mos gaboj në 1973 në Pleniumin e asaj kohe, Teatri Kombëtar filloi të mos e marrë veten. Dhe në këtë 30 vjeçar të fundit ajo godinë është lënë në mëshirë të fatit. Por ajo që mua më vrau më shumë pikërisht në kohën e pandemisë, e cila kërkonte me domosdo një konsultim publik pasi dhe vepra është e tillë nuk u bë. Atëherë unë mendoj se paska qenë e qëllimshme. Kur them u la në 30 vjet pa investime këtu fus të gjitha qeveritë këto vite. Mua më intereson ajo pjesë shpirtërore, që tashmë është gërmadhë. Nuk dua të ndalem nëse bëhej apo jo kjo godinë, por unë besoj fort te organizata “Europa Nostra”, që e mori përsipër për ta bërë atë dhe duke qenë se Tiranën e shohim tashmë me 1 milion banorë, tani ka mbetur vetëm me “ArTurbinën”. Pra ishte kjo godinë e TK dhe një teatër i ri mund të ndërtohej diku tjetër. Unë jam për një teatër të ri, por të ndërtohej vend tjetër, ku Teatri Kombëtar mund të vijonte të shfrytëzohej bashke me skenat që ishin te teatri “Kujtim Spahivogli”. Me këtë që u bë, kjo i lë tashmë artistët edhe me projektet e ardhshme të mendohen mirë se ku do të përfundojnë. Pra a do të kenë salla se ku të shfaqin veprat teatrore në Tiranë? Një sallë që e ka Teatri Kombëtar te “ArTurbina” e ka për vete dhe të gjitha kompanitë teatrore, që operojnë në treg sot ku do të shfaqin veprat? Ministria e Kulturës a ka ndonjë projekt se ku do ti çojë këto, meqë ajo subvencionon herë pas here për artin dramatik. Pra nga kjo pikëpamje mua më dhembi shumë kjo që ndodhi.

-Artistët iu drejtuan edhe Ministrisë së Kulturës për teatrin. Si e keni parë atë, sa bëri në mbrojtje të tij?

Mendoj se Ministria e Kulturës është anashkaluar këtu dhe nuk ka asnjë peshë në mbrojtje të institucioneve vartës të saj. Ministria e Kulturës jo vetëm tani, por nuk ka pasur kurrë tendencën që të investonte diçka dhe kur e kishte Teatrin Kombëtar. Ashtu siç u gjet mundësia që brenda Teatrit të Operës dhe Baletit të rregullohej, të bëheshin restaurimet, etj, përse nuk u bë një dëgjesë publike me arkitektë për të më bindur mua si artist, që kjo godinë nuk vlen. Unë e shoh jo serioze dhe për mua Ministria e Kulturës është gjithmonë në aneks, as në kuzhinë nuk hyn dot. E shoh midis seriozitetit dhe pamundësisë së saj si institucion, për të ndikuar të paktën në mirëmbajtjen e aseteve të saj.

-Me fillimin e sezonit të ri në jetën artistike, çfarë mendoni se duhet të bëjnë institucionet përballë kësaj gjendjeje dhe a mendoni një riorganizim të jetës artistike?

Unë nuk besoj në këtë, sepse në horizont nuk shoh atë që është thelbi, thembra e Akilit, pra injektimi i parave në art për ta bërë atë efiçent. Duke mos qenë ajo dhe duke e lidhur me shembjen e teatrit, pandeminë, etj, unë besoj që ky vit nuk do të ketë aktivitet artistik. Mund të ketë ndonjë gjë sporadike si aktivitet, por nuk besoj që do të ketë jetë artistike si duhet, do të jetë e kufizuar. Që vlerat artistike të qarkullojnë jo vetëm në Tiranë dhe në të gjithë vendin, mua nuk më jepet asnjë gjë se çfarë plani ka qeveria apo në këtë rast Ministria e Kulturës. Në rast se ajo i ushqen me para kompanitë teatrore, kush është fundorja? Është publiku. Midis parasë së hedhur të ministrisë dhe publikut është një grup artistësh, që krijojnë. Këto krijues ku do ta zhvillojnë aktivitetin dhe si do të monitorohen këto? Unë shoh shkëputje të zinxhirit, sepse duhet të më japësh një shpresë dhe të më hapësh dritën jeshile ti si ministri, se si do të organizohet kjo punë, pra po flasim për politikat që duhen ndjekur. Ministria e Kulturës duhet të thotë sot ndodhemi në këtë situatë dhe do të bëhen 1, 2, 3 .... gjëra. Por unë sot këtë se shoh. Unë besoj që arti nga pandemia ka marrë një goditje shumë të rëndë. Ai ishte në përpëlitjet e veta falë idealizmit artistik të shumë njerëzve që kërkojnë skenën, pjesa tjetër thjesht kanë shfrytëzuar hapësirat në disa rrethe apo vendet ku janë bosh dhe venë dhe japin ndonjë shfaqje. Duke futur në mes dhe pandeminë unë besoj që këtë vit nuk ka dhe e shoh shumë të zymtë jetën artistike.

-Nëse institucionet kombëtare janë në varësi të ministrisë, në qytete të tjera janë në varësi të bashkive teatrot. Çfarë mund të na thoni për këtë pjesë?

Unë mendoj që bashkitë kanë institucionet e tyre siç ka dhe Ministria e Kulturës Teatrin Kombëtar si institucion. Unë nuk mendoj që ministria të jetë pjesë e teatrove të rretheve, sepse ajo mund të bëhet vetëm me ligj. Por duke ndjekur në vazhdimësi në këto 30 vite, me keqardhje e them që drejtuesit e teatrove të rretheve thjesht janë menaxhues të atij institucioni dhe nuk kanë politika se si do të zhvillohet. Janë me buxhete minimale, me trupa të rrudhura artistike për shkak se vetë bashkitë nuk po i mbajnë dot. Atëherë, unë them ku janë politikat që unë nuk po shoh të Ministrisë së Kulturës, akordet që ajo ka me pushtetin vendor dhe si do të menaxhohet situata? Është në humorin e një kryetari bashkie nëse e mban apo jo një teatër.

-Në vitin 1982 ka nisur dhe aktiviteti juaj artistik. Ndër vite me teatrin dhe kinematografinë, por përballeni me një situatë që siç thatë e shihni të zymtë në jetën artistike. Si ndikon kjo për një artist?

Janë 38 vite, që kam mbaruar studimet. Nuk e kam pritur kurrë që pas kaq dekadash do të shikoja një situatë të tillë në art dhe kulturë. Ndaj thashë që në fillim, se e kanë lënë në kaq vite qëllimisht që degradoi Teatri Kombëtar në atë gjendje. Madje kjo është më e dhimbshme akoma, sepse të ikin vite jete dhe në momentin kur është pjekuria më e madhe artistike e ke të pamundur të japësh atë që ke ëndërruar. Unë besoj që në 30 vite politika është sjellë keq me teatrin. Gradualisht godina erdhi duke u amortizuar, u la pa investime.

-Si artist sa ju pengoi në projektet tuaja me teatrin dhe kinemanë pandemia?

Si aktor kam lënë përgjysmë një projekt filmi, pasi pandemia ndërpreu gjithçka. Po ashtu kam lënë dhe vënien e një pjese teatrore në skenë si regjisor në teatër.

Intervistoi: Julia Vrapi