BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Ksenofon Dilo: Logoja e re nuk ka lidhje me operën shqiptare, TKOB të hapë konkurs për të modernizuar logon aktuale

Ksenofon Dilo: Logoja e re nuk ka lidhje me operën shqiptare, TKOB të

Logo e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit vazhdon të diskutohet në komunitetin artistik. Një pjesë e tyre kundërshtuan logon e re, që u bë me dije para disa kohësh nga TKOB, duke u shprehur se ishte plagjiaturë. Më pas erdhi dhe reagimi i institucionit, ku shprehej mbi procedurën dhe konkursin për logon e re. Piktori i njohur Ksenofon Dilo, i cili vite më parë ka punuar dhe si skenograf në TKOB shprehet se logo e re që po diskutohet jo pak gjatë këtyre ditëve nuk ka lidhje me operën shqiptare. Ai thotë se nuk e kupton logon e re. “Logo që po debatohet, për mua nuk tregon asgjë. Thonë që është plagjiaturë siç po diskutohet se unë nuk e di. Por mua ajo logo nuk tregon asgjë dhe nuk më lidh me operën tonë. Unë nuk di çfarë lidhje kishte ajo logo që u pa me operën tonë. Ajo nuk është një logo shqiptare”, shprehet piktori dhe skenografi i njohur. Në reagimin e tij piktori Ksenofon Dilo tregon se vite më parë e ka gjetur logon e TKOB të bërë nga piktori i njohur Hysen Devolli, ku me të ka diskutuar për shkrimin e saj. Por kur kanë kaluar dekada nga koha e realizimit të logos, piktori Ksenofon Dilo thotë se është mirë që të hapet një konkurs nga institucioni për të sjellë më në kohë logon që ishte, apo për të bërë një logo të re për TKOB, por që të jetë shqiptare. “Unë mendoj që logo e vjetër ka bërë punën në atë kohë, që viheshin vepra të mëdha etj. Sot në kohët e reja në këtë periudhë të demokracisë mund të modernizohet. Mendoj që e mira do të ishte që të bëhet një konkurs nga institucioni për tu modernizuar logo, që ka qenë deri tani. Ajo logo që ka qenë tani mund të trajtohet më bukur, më moderne, mund ti shtohet ndonjë element tjetër dhe mund të mbajë diçka nga tradita. Ndonjë element i ri që mund ti vihet në mënyrë, që të jetë opera e sotme. Por dhe po të bëhet një konkurs për një logo të re sërish duhet që të përgjithësojë Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Të jetë një logo shqiptare, të jetë e kuptueshme, të jetë e qartë dhe të jetë sa më e thjeshtë”, shprehet piktori Dilo në reagimin e tij.

Logo kombëtare

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit nuk fillon tani shprehet piktori Ksenofon Dilo. Ai pohon se opera ka vënë vepra të mëdha më parë. Por sipas piktorit, në konkurs duhet të angazhohen dhe studentë të Fakultetit të Arteve të Bukura. “E mira një konkurs nga institucioni ku të marrin pjesë piktorë, por dhe studentë të arteve, sepse mund të dali dhe një logo interesante prej, ti jepet detyrë studentëve për këtë gjë ”, shprehet piktori në reagimin e tij. Piktori Ksenofon Dilo tregon se në institucione të botës logot janë të vendit të tyre. Ai sjell në vëmendje dhe logon e operës çeke, që tregon se shkruan që është populli që ia bëri vetes. “Në opera të ndryshme në vende të tjera po të shikosh emblemat janë të vendit, logot që vihen. Përshembull çekët në krye të operës së tyre kanë shkruar: Populli vetes. Për arsye se teatri i tyre i operës dhe baletit u ndërtua kundër teatrove të huaj që predominonin në Pragë, dhe mblodhën para nga populli dhe bënë teatrin. Ndaj shkrimi i madh është në ballë të teatrit: Populli vetes. Pra populli ia ka bërë vetes këtë teatër. Pra janë nacionalistë. Dhe ne duhet të bëjmë një logo që të tingëllojë dhe shqiptare, që është opera shqiptare”, shprehet ai. Ndërsa reagimet për logon vazhdojnë, TKOBAP u shpreh se do të vendosë në funksion të gjithë mekanizmat ligjore dhe kontraktuale për adresimin juridik të këtij problemi, duke bërë përgjegjës autorin për të gjithë dëmin e shkaktuar, në rast se organet kompetente certifikojnë imazhin e logos së TKOBAP si plagjiaturë. Logo e teatrit është bërë nga piktori Hysen Devolli. Skenografi Hysen Devolli ( 1924 - 2013) renditet mes emrave që i kanë lënë një pasuri të çmuar artit dhe kulturës shqiptare. Krahas krijimtarisë së tij të pasur në pikturë, artisti Hysen Devolli ka realizuar me profesionalizëm të lartë një numër të madh punimesh në skenografi, ku përfshihen vepra të Teatrit Kombëtar, por edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit. Puna e tij si skenograf në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është shumëvjeçare. E fillon me shfaqjen e parë operistike “Rusalka” për të vazhduar më tej me skenografitë e veprave të tjera si: operat “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Jollanta”; “Borana”; “Përtej mjergullës”; operetën “Agimi”; “Dhëndri u transferua”, baletit “Cuca e maleve”, “Bijtë e peshkatarit”, etj. Emri i Hysen Devollit është përfshirë në Enciklopedinë Botërore të Skenografisë.