BREAKING NEWS

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar se të prekur me koronavirus, ja 3 qytetet me numrin më të madh të infektimeve

Lajm fantastik nga spitalet COVID: Sot më shumë të shëruar
x

Kultura

Kujtim Gjonaj ndahet nga jeta, kinematografia humb një nga regjisorët e vlerësuar

Kujtim Gjonaj ndahet nga jeta, kinematografia humb një nga regjisorët

Regjisori i mirënjohur dhe skenaristi Kujtim Gjonaj u nda nga jeta në moshën 74 vjeçare, ku prej disa ditësh ishte i infektuar me covid-19. Kineasti Kujtim Gjonaj “Mjeshtër i Madh” ka një aktivitet të vlerësuar me kinematografinë. Në 50 vjet krijimtaria e tij përfshin mbi 200 filma dokumentarë, artistikë dhe vizatimorë si regjisor, skenarist dhe producent. Lindi në 13 nëntor të vitit 1946 në qytetin e Tiranës. Në vitin 1968 mbaron studimet e larta në Universitetin e Tiranës Dega Gjuhë- Letërsi dhe po atë vit fillon punën si redaktor i skenarëve të filmave dokumentarë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Në vitin 1974 kalon si regjisor në sektorin e filmave dokumentarë duke shkruar edhe shumë nga skenarët e këtyre filmave. Përmendim këtu disa nga filmat dokumentarë me të cilat është vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 1982 do të nderohet me çmimin e II-të në Konkursin Kombëtar Letraro- Artistik për Skenarin për skenarin e filmit “Kryengritjet e Mëdha”, në vitin 1986 filmi “Më e madhja dashuri” vlerësohet si filmi më i mirë i vitit, në 23 prill të vitit 1990 filmi “Kështjella e Këngëve” vlerësohet me Kupën e Festivalit në Festivalin e VIII-të të Filmit Dokumentar dhe Vizatimor Shqiptar, në vitin 1995 filmi “Shembja e idhujve” vlerësohet me Çmimin e I-rë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër në Palermo (Palermo Film Festival), në vitin 1998 vlerësohet gjithashtu me Çmimin e I-rë në Konkursin e V-të Ndërkombëtar të Mesdheut të Filmit Dokumentar dhe Reportazhit (Premio Internazionale del Documentario e del Reportage Mediterraneo). Në filmin artistik ai ka shkruar katër skenarë, përmendim këtu skenarin e filmit "Thirrja" që ishte dhe skenari i tij i parë në filmin artistik në vitin 1976, filmat “Ata ishin katër” dhe “Cirku në fshat” në vitin 1977, filmin “Këshilltarët” në vitin 1979. Pas viteve 90’ Kujtim Gjonaj ka qenë për një kohë drejtor i “Alba Filmit” dhe më pas krijoi një shtëpi prodhuese filmike, "Bota Shqiptare". Me dokumentarin "Enciklopedi që ecën më këmbë", Kujtim Gjonaj do të vlerësohej me Kupën e Festivalit në Festivalin e XII-të të Filmit Dokumentar Shqiptar të mbajtur në Tiranë në vitin 2006. Gjatë krijimtarisë gjysmë shekullore mori këto vlerësime: 1979-medalja "Naim Frashri"; 1987-urdhri" Naim Frashri" i Klasit të Parë; 2002- urdhri "Naim Frashri i Artë”; 2012-titulli "Mjeshtër i madh"; 2015-titulli "Mirënjohje e shoqatës Mallakastra"; 2016-titulli "Qytetar nderi "i Tepelenës; 2016- Mirënjohje e shoqatës patriotike Çamëria; 2017- Çmimin e Institutit të medias dhe imazhit: Imazhi i regjisorit shqiptar; 2017- Personalitet i madh i shoqatës patriotike "Shqipëria".