Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të reja! Kryeministri Rama paralajmëron valë shkarkimesh: Ja kush do largohet nga detyra

Priten zhvillime të reja! Kryeministri Rama paralajmëron valë
x

Kultura

 “Lajmi” nis rrugëtimin në festivale ndërkombëtare, vlerësim në Australi

 “Lajmi” nis rrugëtimin në festivale

Filmi shqiptar "Lajmi" ka nisur rrugëtimin, në festivale ndërkombëtare. Ky vit ka nisur me vlerësim për regjisorin Lorin Terezi, ku filmi i tij në konkurrim në “Flickerfest”, një festival ndërkombëtar i filmit të shkurtër, që mbahet çdo vit në janar në Bondi Beach, Sidney, Australi, u vlerësua me çmimin “Best International Short Film”. Filmi shqiptar “The News” (Lajmi) i Lorin Terezit fiton çmimin e parë në festivali ndërkombëtar të filmit, por që gjatë këtij viti pritet të jetë dhe në të tjerë festivale ndërkombëtare.

Me skenar nga Anila Balla dhe nga Lorin Terezi, "The news", është produksion shqiptaro-spanjoll i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri. Regjisori Lorin Terezi shprehet se gjithçka për filmin i ka fillesat nga një kronikë lajmesh në televizion. “Ideja e filmit nisi nga një kronikë lajmesh, ku dëshmitari më shumë se sa të fliste për ngjarjen makabre shijonte protagonizmin përpara kamerës së gazetarit”, pohon regjisori Terezi.

Regjisori Lorin Terezi tregon mes të tjerave se “Flickerfest” është festivali më i rëndësishëm i filmit të shkurtër në Australi. “Ai ka një pjesëmarrje ndërkombëtare me mbi 3500filma nga e gjithë bota. Këtë vit qe filmi “The News” në shqip “Lajmi” që mori pjesë, dhe ishte edicioni i 29 i “Flickerfest”. Filmi mori çmimin “Best International Short”, që është ekuivalent i çmimit të parë”, tregon regjisori Terezi. Shqipëria u rendit e para mes shumë shteteve pjesëmarrës dhe ky është filmi i dytë i shkurtër i Lorin Terezit me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë pas “Tirana 100km”.

“The News” tregon për një nuse të re, e ngarkuar me porosi të parëndësishme nga familja e burrit të saj. Kur burri i saj është në Greqi ajo ngec në trupin e një gruaje të vdekur, ndërsa merr ujin nga burimi. Të shtyrë në një anë të dy, vjerra dhe vjerri i nuses vijojnë të flasin me mediat lokale, duke gënjyer për gjetjen e trupit dhe duke u kënaqur me vëmendjen që po marrin. Këtu fillon një betejë mes të gjithë fshatarëve, ku të gjithë banorët përfshihen nga protagonizmi i paparashikuar, teksa policia dhe mediat zbarkojnë në fshatin e harruar.

Filmi dhe xhirimet

Xhirimet u kryen në fshatin Shën Gjergj, me pjesëmarrjen e banorëve të të gjithë fshatit. Në rolet kryesore janë Lena Kryeziu Bokshi, Bilbil Kasmi, Mirjana Deti, Besnik Ferra, Pëllumb Dervishi. Drejtor fotografie Denald Grepcka me suportin e “Papadhimitri Film Production”. Regjisori Lorin Terezi shton më tej, se filmi i tij do të vijojë rrugën në festivale gjatë këtij viti, por deri tani ka marrë pikët maksimale nga një festival i rëndësishëm.

“Është në Australi, seleksionues për “Oscar”, pra është në rrugën e “Oscar”. Për mua është arritje, është festival ndërkombëtar. Filmi vazhdon gjithë vitin rrugëtimin për në festivale dhe deri tani ka marrë pikët maksimale në këtë festival. Nëse vazhdon me këtë ritëm është shumë pretendent”, pohon më tej regjisori Lorin Terezi. Më herët filmi i tij “Tirana, 100 km” u përfshi në konkurrim zyrtar në “West Virginia Filmmakers Festival”. Filmi shqiptar me regji nga Lorin Terezi garoi për kategorinë filmi më i mirë i huaj. Regjisori Lorin Terezi u lind në Tiranë. Ai mbaroi Akademinë e Arteve në Tiranë për Regjinë e Teatrit. Më vonë u diplomua në të njëjtin universitet për Regjinë e Filmit dhe të TV-së.