BREAKING NEWS

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat e fundit, kush është ish-deputeti dhe emri i njohur demokrat që u riktheu pasi mbrëmë u la jashtë listave

Vjen lëvizja që nuk pritej/ Basha bën ndryshimin në minutat
x

Kultura

Lefter Çipa ndahet nga jeta, trashëgimia popullore humb një personalitet të rrallë

Lefter Çipa ndahet nga jeta, trashëgimia popullore humb një

Poeti Lefter Çipa u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare. Mjeshtri i madh i poezisë popullore, ndërroi jetë pas një lufte të gjatë me një sëmundje të rëndë. Artistë, autorë të ndryshëm, personalitete të politikës dhe më gjerë shprehën mesazhet e tyre ngushëlluese për poetin, që u nda nga jeta në moshën 79- vjeçare. Ministrja e Kulturës Elva Margariti në një status të saj në Facebook shkruan se ishte poeti, që i këndoi shpirtit. “I linduri në ditën e dashurisë, poeti që i këndoi shpirtit, nën zhurmën e valëve të Jugut iu bashkua sot yjësisë. Lamtumirë Lefter Çipa! Këngët e tua u këndofshin sa të ketë jetë!”, shprehet Margariti. Këngëtarja Irini Qirjako shkruan se ishte një poet brilant. “Shkoi në banesën e fundit idhulli im i shtrenjtë Lefter Çipa. Poeti brilant i poezisë dhe këngëve të folklorit shqiptar e sidomos të polifonisë shqiptare”, shprehet këngëtarja në një status të saj, ku ndër tjera thotë se do të jetojë për jetë me veprën e tij të madhe që na ka lënë. Ndërsa akademiku Vasil S. Tole, e cilëson poetin Lefter Çipa ai autor i krijimeve magjike. “U nda nga jeta Lefter Çipa, miku, poeti dhe njeriu që s'kishte frikë nga vdekja, kujtimi i të cilit do të rrojë përjetë, në këngët dhe krijimet e tij magjike e të panumërta! Je mes shokëve Lefter, ashtu siç shkrove vetë tek poema "O shokë vdeksha nga kënga": Të gjitha këngët e mia/ Qofshin ilaç për të gjallët/Se m’i deshi Shqipëria/ Kombi im, gjithë shqiptarët/ Vdeksha edhe prapë u ngrefsha/ Shokët në këngë i gjetsha! Sot vaji kthehet në këngë për ty o "Njeri i Dritës"!”, shprehet akademiku dhe muzikologu Vasil S.Tole mes të tjerave, në një status të tij. Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shkroi një mesazh për ndarjen nga jeta të poetit Lefter Çipa. Ai shprehej se Lefter Çipa është magjistrati i polifonisë shqiptare, ai qëndron me dinjitet në sofrën e këngës dhe të muzikës shqiptare. “Me shijet e tij prej aristokrati të polifonisë, na përcolli të gjithëve magjinë e jetës dhe botës shqiptare”, shkruan kryetari i Kuvendit. Sipas Ruçit artisti ishte njëkohësisht poet, muzikant, dirigjent, interpret, koreograf e valltar dhe tekstet e tij këndojnë, pikturojnë, vallëzojnë, frymëzojnë dhe rikrijojnë dashurinë, bardhësinë dhe ëmbëlsinë e jetës së shqiptarëve.

Një personalitet i rrallë

Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë pranë Akademisë së Shkencave shprehet se emri i poetit Lefte Çipa u shkri me atë të vendlindjes. “Me ikjen e Lefter Çipës nga jeta, bota shqiptare e artit, poezia lirike, trashëgimia popullore, humbën një personalitet të rrallë, një njeri me karakter të fortë dhe me qartësi qytetare në të gjitha kohërat. Pak njerëz kanë fuqinë shpirtërore dhe ndikimin e fuqishëm të Lefter Çipës, i cili u bë identitet i Bregdetit. Emri i tij u shkri me atë të vendlindjes, duke u shtrirë kohë pas kohe në gjithë Shqipërinë”, shprehet Komisioni i Artit dhe Trashëgimisë. Komisioni pranë ASH shprehet se Lefter Çipa erdhi në rrethin e vështirë të poezisë përmes një tradite të shkëlqyer të artit popullor të Bregdetit, të lartësuar prej vjershëtorësh e këngëtarësh të denjë, që nga Nestor Muka Himarioti, që i dha njohje e nder krahinës së tij dhe gjithë Shqipërisë, përmes regjistrimeve të para diskografike të këngës popullore bregdetase. “Lefter Çipa shumë prej krijimeve të tij të bukura bujarisht ia la emrit të popullit. Njohës i rrallë i vjershërimit popullor dhe i shpirtit të popullit në këngë, ai lartësoi vetveten duke përsosur artin e krijimit, herë sipas gjurmëve të poezisë arbëreshe, herë në stilin e Naimit, herë-herë duke e konkurruar me të njëjtat mjete mikun e tij të zemrës Dritëro Agolli, herë sipas poezisë klasike greke e herë sipas modeleve dhe kodeve të vjershërimit klasik pers. Lefter Çipa arriti të shkëputet nga rapsodia dhe të krijojë profilin e vet origjinal si poet lirik, me shkëndijime figurash befasuese”, shprehet Komisioni për Artin dhe Trashëgiminë pranë ASH. Disa nga titujt e librave të botuar nga Lefter Çipa: “Bejkë e bardhë”; “Shqipëri moj ballëhapur”; “Bilbilat e vendit tim”; “Dheun tim përsipër mbaj”; “Polifonia dhe vjershërimi i polifonisë”; “Bilbili që këndon vetëm”; “Për Kosovën prapë do ngrihem”; “Kënga që tret lotin”, I-II-III; “Këngët e Akroqeranit”; “Këngët e Ruzanës”; “Princi i dashurisë”.

Aktiviteti me krijimtarinë

 Lefter Çipa u lind më 14 shkurt të vitit 1942. Gjatë jetës së tij botoi 18 libra me poezi dhe është autor i një numri shumë të madh të këngëve popullore dhe polifonisë labe. U konsiderua një vlerë kombëtare pasi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij ja përkushtoi “Polifonisë Labe”, e cila është një vlerë e popullit tonë dhe gjithashtu është edhe në listën e UNESCO-s. Ka qenë pjesëmarrës me krijimet e veta në disa Festivale Folklorike Kombëtare të zhvilluara në Gjirokastër, Berat dhe Lezhë duke qenë i lauruar në çdo festival kombëtar. Poeti Lefter Çipa mbahet mend si bashkëorganizatori nismëtar i trios së famshme vlonjate. Ai është burimi ku ushqehen shumica e këngëtarëve dhe kompozitorëve të sotëm modernë shqiptarë dhe ku shumica e këngëtarëve kanë preferuar që në repertorin e tyre të kenë të kryerenditur poezitë dhe lirikat befasuese të këtij autori. Është nderuar me çmime dhe dekorata, ndër të cilat me më të lartën “Nderi i Kombit”. U nda nga jeta më 18 shkurt 2021. Këngët e njohura si “Bejkë e bardhë”, “Nga kjo baltë e kësaj toke”, “Naim Shqipëria”, “Kënga e manushaqes”, “Shqipëri pse të qan syri”, “Këngë kurbeti”, “O shokë vdekça nga kënga”, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Zoga kaçake në male”, “Zonjë e bukurisë”, “Vijnë djemtë nëpër vapë” dhe shumë e shumë të tjera janë pjesë e krijimtarisë se tij.