BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Kultura

Lekë Tasi prezanton pikturat në Muzeun Historik Kombëtar, 10 tablo për vitet e internimit

Lekë Tasi prezanton pikturat në Muzeun Historik Kombëtar, 10

Në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, Muzeu Historik Kombëtar çel sot një ekspozitë me objekte personale të personave, që kanë vuajtur nga regjimi komunist si edhe me piktura të Lekë Tasit. Muaji shkurt është caktuar si “Muaji i Kujtesës”, për shkak të atyre ngjarjeve, që do të ndryshonin rrjedhën e historisë shqiptare, prandaj muzeu shprehet se këto aktivitete janë jo vetëm për të kujtuar, por edhe për t’u solidarizuar, ndaj ngjarjeve që na kanë prekur të gjithëve. Në këtë aktivitet Lekë Tasi do të flasë rreth librit të tij “Grabjani rrëzë kodrave”, ku rrëfen ngjarje, që ka përjetuar gjatë vitet e internimit. Me një aktivitet të vlerësuar në krijimtarinë e tij piktori Lekë Tasi do të ekspozojë dhjetë tablo në vaj, që janë punuar pas viteve ’90. Piktori shprehet se në tablo tregon periudhën e jetës së tij, që ka qenë në internim. “Në ekspozitë do të prezantohen një numër pikturash të punuara nga unë ndër vite. Por tema është mbi librin për internimin, ku do të ketë dhe një bisedë gjatë saj. Janë dhjetë punime, që do të jenë në këtë ekspozitë dhe në qendër është Grabjani, që do të projektohet në mur. Mua kështu më premtuan për këtë ekspozitë. Ka dhe disa tablo me episode si bixhozi, një krim me një ndërtesë që rrjedh gjaku, një portret gruaja me një trëndafil në dorë, etj. Janë punë, që janë të punuara me vaj pas viteve ‘90. Por në libër tregoj periudhën, që kam qenë i internuara para viteve ’90”, pohon piktori Lekë Tasi. I pranishëm sot në Muzeun Historik Kombëtar, piktori Lekë Tasi shprehet se shkrimin e librit e ka nisur, që në vitin 1980. “Librin “Grabjani rrëzë kodrave” e kam shkruar në mbarim të viteve të internimit, në pesë vitet e fundit. Më vajti puna pesë vite dhe më pas u deshën dhe shumë të tjerë. Unë e kam nisur punën me librin për ta shkruar më 1980 dhe e kam mbaruar së shkruari edhe si formë e botuar më 2009”, shton më tej piktori. Autori Lekë Tasi tregon se në aktivitetin e tij ai vazhdon të merret me krijimtarinë, të shkruajë, pikturoj dhe vizatojë. “Para rreth një viti u hap në galerinë e artit FAB një ekspozitë e imja, me vizatime, që ishin të paekspozuara më parë”, tregon piktori. Edhe me ekspozitën, që hapi në galerinë FAB, piktori mori shumë vëmendje për krijimtarinë e tij.

 Aktiviteti i autorit

Lekë Tasi u lind më 1929. Studioi violonçel nën drejtimin e pedagogut Walter Caletti, në vitet 1939 - 1943, më pas me Ymer Skënderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952. Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet '20, kishte qenë Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjes. Pas revolucionit të qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Leka u pushua nga puna dhe u dërgua me punë të detyruar, pak më vonë u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës, 1975-1990. Jetën e kësaj periudhe e ka rrëfyer në librin autobiografik "Grabjani rrëzë kodrave", botuar në Tiranë, në vitin 2009. Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ka punuar seriozisht qysh herët duke kopjuar sipas natyrës dhe duke mësuar nga mjeshtrit e mëdhenj. Me kthimin e tij pas internimit në Tiranë, më 1990 ai rifillon të pikturojë dhe ka ekspozuar në vitet 1992, 2003, 2007, në Galerinë Kombëtare të Arteve, një ekspozitë personale në Pejë, "Galeria Exit" 2005, si dhe disa ekspozita kolektive në Tiranë dhe Durrës.