BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

“Loja e mbasdrekës”, në programin online të teatrit Metropol

“Loja e mbasdrekës”, në programin online të teatrit

Teatri Metropol shprehet se shfaqja teatrore “Loja e mbasdrekës” e autorit Martin Camaj me regji nga Shkëlzen Berisha mund të ndiqet në profilin e këtij institucioni në Facebook dhe në kanalin YouTube. Në vepër interpretojnë aktorët Met Xhelili, Ema Vogli, Julinda Emiri, Ketjona Pecnikaj, Engjëll Hoxha, Shkëlzen Berisha, Besmir Bitraku, Ergys Bamci. Fragmentet muzikore nga Jurgen Pecnikaj, Ketjona Pecnikaj dhe Hysni Loka. Teatri Metropol shprehet se vepra ka në qendër të saj një fenomen për të cilin studiues, artistë, gazetarë, etj, kanë dhënë mendimet e tyre në vazhdimësi, gjakmarrjen për më tepër çfarë është drejtësia. Mes gjinisë së dramës, autori ka dashur të hulumtojë raportin mes ligjeve tradicionale të kodifikuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe ligjeve të ndryshueshme të pushtetit, të cilat shpeshherë e kanë vendosur shqiptarin, siç thotë Kadareja, “në epoka të ndryshme të rrezatonte të njëjtin trazim”. Shkruar në vitin 1981 dhe botuar në vitin 1995 me 11 duka dhe një prolog e epilog, ngjarjet në veprën “Loja e mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”. E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Cila vijë i ndan këto të dyja e si gjendet individi dhe subjektiviteti i tij mes këtyre rrjedhave kur hapësirat e ligjit të shkruar dhe ligjit zakonor thërrasin për interpretim? Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925, vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe. Veprimtaria e tij letrare në harkun 45 vjeçar ka disa shkallë zhvillimi. Ai e nisi me poezinë, zhanër pas të cilit mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza.