BREAKING NEWS

I menduar dhe me kokën nga dritarja, kryeministri Rama poston foton nga avioni dhe zbulon lëvizjen e tij të radhës

I menduar dhe me kokën nga dritarja, kryeministri Rama poston foton nga
x

Kultura

“Love”, një film plot humor vjen premierë në ekranin e kinemasë për publikun

“Love”, një film plot humor vjen premierë në ekranin

Filmi “Love” vjen premierë për publikun në ekranin e kinemave të Tiranës. Me regji nga Dionis Papadhimitri, “Love” është një film i ndërtuar në të tashmen, duke u futur me shumë kurajë në krizat dhe përjetimet e personazheve. Skenari i filmit është shkruar nga Irvin Muçaj dhe Dionis Papadhimitri, ku rolet luhen nga një kast aktorësh të njohur. Premiera që vjen në kinematë e Tiranë në 19 dhjetor, për publikun sjell në role aktorët si Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Luli Bitri, Herion Mustafaraj, në role janë dhe Nevina Shtylla dhe Sara Kolami. Producenti Klajd Papadhimitri shprehet se filmi “Love” ndër tjera flet edhe për luftën e secilit drejt vetnjohjes. “Një brez i ri, i lodhur nga injoranca, dhe deliri sakat, i këtij vendi po vjen edhe në kinemanë shqiptare me “Love”, por jo me dashuri. Filmi flet për luftën e mundimshme të secilit prej nesh drejt vetnjohjes”, shprehet ai për filmin, që do të jetë në kinematë Millennium dhe Cineplexx. Kinemaja, arti i të gjitha arteve, sot na prezanton me dinjitet regjisorin Dionis Papadhimitri në këtë vepër të parë në film autor. Ai sjell Tiranën sot, ashtu siç është, pa asnjë nga filtrat mediokër, që banalizojnë çdo gjë. Subjekti i thjeshtë i filmit dhe kujdesi për të ruajtur deri në fund të bukurën vjen me shumë estetikë, në një kuadër të saktë nga drejtori i fotografisë Spartak Papadhimitri. Emri dhe puna e tij vijnë bashkë me përulësinë, si një vlerë mbi vlerat në këtë periudhe pa dritë për Shqipërinë. Muzika e filmit nga Bojken Lako, Piter Pan, Mirgen Hubo dhe e vogla Janex, sjell në “Love” ajrin, përtej shkëlqimit dhe arrogancës të kohës dhe vendit ku jetojmë. Kostumet e Ardi Asllanit janë në harmoni të plotë me ngjyrat, skenografinë dhe mbi të gjitha ndihmojnë dramaturgjinë dhe aktorin të thotë fjalën e vet. Sipas producentit Klajd Papadhimitri, filmi artistik “Love” është një klithëm fisnikërie dhe “Papadhimitri Film Production” vjen njerëzor në këtë vepër.

 Një film plot humor

Plot humor e ironi, me një interpretim super nga secili aktor, vjen filmi “Love” nën regjinë e Dionis Papadhimitrit dhe nën sfondin e festave. Filmi flet për një burrë pas të dyzetave që kthehet për të kërkuar qetësinë. Jeta familjare dhe vitet e rutinës janë të padurueshëm. Në vendlindje çdokush kërkon të kthehet një ditë, por a është zgjidhje kjo! Në këtë kërkim sa personal aq edhe grotesk “të shtëpisë” nisin dhe aventurat. A janë të diskriminuar burrat sot! Pse nuk flasim për këtë!? Producenti Klajd Papadhimitri shprehet se në rolin kryesor është Genti Kame, që sjell me shumë ndjenjë një personazh të ri në karrierën e tij. “Të ndarë nga vitet, katër shokë fëmijërie takohen sot në një Tiranë që shkëlqen nga dritat dhe luksi ekstrem, dhe nën buzëqeshjet e tyre nisim të njohim të vërtetën. Gent Hazizi, Herion Mustafaraj dhe Gentian Zenelaj janë të pazëvendësueshëm për diversitetin që kanë arritur. Në Tiranën tonë sot i gjen të gjitha, dhe seksualiteti ende është çështje politikash, ndërkohë që vitet ikin. Në tre rrole të arritur hyjnë në film plot sensualitet Olta Gixhari, Rozi Kostani dhe debutuesja Sara Kolami që sjell gjithë pasionin e saj”, tregon ai. Kjo premierë filmi, që vjen këtë muaj të fundit të vitit, ka bërë bashkë një kastë artistësh të njohur, që për disa ditë do të jenë në ekranin kinemasë për publikun. Filmi "Love" është xhiruar në Tiranë dhe është një prodhim i shtëpisë kinematografike “Papadhimitri Film Production”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Nga Julia Vrapi