
VIDEO/ Artan Hoxha publikon pamjet: Ja momenti kur ish-shefi i RENEAS merr 113 mijë eurot nga biznesmeni

"Dal unë në përgjime që flas me..."/ Artan Hoxha thirrje policisë: Shkoni te bandat, te ngjarjet e fundit kriminale në Tiranë makinat janë vjedhur në të njëjtin qytet

Deklarata ‘bombë’ e Artan Hoxhës: Pronarët e Top Channel kanë ndjerë rrezik, ata e dinë se nga vjen sulmi

Të shtëna me armë zjarri, reagon policia

Çfarë po ndodh? Përçahen demokratët e Berishës në Sarandë

Zgjedhjet e 14 maji/ Ish deputeti reagon për tërheqjen e kandidatëve të PD-së: Bombën ia ka vënë Berisha

Kush e ka radhën? Paralajmërimi i bujshëm i ambasadorit britanik: Këtë vit do ketë “non grata” të tjerë

Operacion antidrogë në Malësinë e Madhe

Luan Përzhita: Qendrat turistike që ka Shqipëria janë kontribut i Institutit të Arkeologjisë, një pjesë e buxhetit të tyre t’i rikthehet për kërkimin shkencor

Shkruar nga Julia Vrapi 18 Mars 2023

Instituti i Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike) organizoi konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2022”. Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof.dr. Luan Përzhita thotë se ky prezantim i përvitshëm shërben për njohjen me rezultatet e kërkimeve në terren, që kërkuesit arkeologë kanë kryer gjatë vitit të shkuar nëpër Shqipëri. Në intervistën për gazetën “SOT” rektori i ASA-s prof. dr. Luan Përzhita shprehet se viti 2022 është i suksesshëm dhe këtë e tregojnë dhe dinamika e projekteve, që po zhvillohen në Shqipëri. Por për fushën e arkeologjisë në vend rektori i ASA-s prof. dr. Luan Përzhita kërkon dhe më shumë vëmendje dhe shprehet se gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar dhe për të rregulluar punën e kërkimit shkencor. Rektori i ASA-s sheh me rëndësi, që një pjesë e buxhetit që grumbullohet nga qendrat turistike shqiptare që janë kontribut i Institutit të Arkeologjisë t’i rikthehet IA-së, me qëllim që të përdoret për kërkimin shkencor dhe kthimin e qendrave të tjera arkeologjike në qendra turistike. Por sipas rektorit Përzhita kjo do një ndërhyrje nga ana e institucioneve shtetërore.
-Kërkimi në terren qëndron në themel të punës së Institutit të Arkeologjisë - Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA). Instituti i Arkeologjisë organizoi konferencën shkencore “Viti arkeologjik 2022”. Çfarë mund të na thoni mbi punën e IA?
Konferenca është për punën, që bën Instituti i Arkeologjisë -Akademia e Studimeve Albanologjike në territorin e Shqipërisë. Një grup janë kërkimet tradicionale, që bëhen në qendra tashmë të njohura, siç është fjala për Durrësin, Apolloninë, Bylis, Butrinti, Finiq, Shkodrën, Luginën e Drinosit, etj, si dhe është një grup tjetër i projekteve të cilat zhvillohen në gjithë territorin e vendit, por kryesisht në Shqipërinë e Veriut dhe është fjala për disa kërkime që bëhen në zonën e Shkodrës për sa i përket kulturës tumulore ilire, po ashtu vazhdojnë kërkimet në vendbanimin e Komanit, që dihet që është një ndër pikat kryesore të asaj kulture që lidh arbrit me shqiptarët e sotëm. Me mjaft interes janë kërkimet që bëhen në liqenin e Ohrit, por që ka indikacione edhe për në liqenin e Prespës. Kemi kërkime të tjera në terren, që janë në kuadrin e qendrave të mëdha veç atyre që përmenda, siç është Elbasani dhe qendrave të tjera në territorin e përgjithshëm të Vlorës dhe të Tepelenës. Për mendimin tim viti 2022 është i suksesshëm dhe këtë e tregojnë dhe dinamika e projekteve të mëdha, që po zhvillohen në Shqipëri. Këtë e tregojnë qofshin këto me universitetet perëndimore, po ashtu dhe nga vetë Instituti i Arkeologjisë ka një mbështetje financiare që i jep një zhvillim të mëtejshëm këtyre kërkimeve, pastaj kemi dhe një grup të këtyre hulumtimeve, që lidhen në kuadrin e studimeve arkeologjike, qofshin këto me historinë e vjetër të ilirëve apo me pjesë të tjera, që lidhen me arkitekturën dhe kulturën materiale.
-Ju keni studimin mbi kalatë e Ali Pashë Tepelenës, kur nisi ky projekt?
Është një projekt i ri dhe bëhet për herë të parë nga Instituti i Arkeologjisë. Qëllimi është që të risjellim dhe një herë vlerat që kanë këto kala në territorin e vendit tonë, qofshin këto historike arkeologjike dhe të bëjmë një botim, i cili natyrisht i jipet lexuesit për rëndësinë që kanë këto fortifikime në territorin shqiptar si fortifikimet e fundit, që u ngritën në Shqipëri dhe që janë një aset i rëndësishëm i zhvillimit turistik.
- Botimet përbëjnë një nga rezultatet kryesore të aktivitetit kërkimor dhe shkencor të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Para disa ditësh Akademia e Studimeve Albanologjike bëri me dije dhe listën e botimeve gjatë këtij viti. A është problem buxheti për këto botime, që do të bëjë ASA këtë vit?
Nuk do të jetë problem i buxhetit, të gjitha botimet janë të planifikuara dhe gjithçka që është e deklaruar në planet dhe projektin e ASA-s janë të mbuluara financiarisht.
-Sa kanë rëndësi bashkëpunimet me të huajt në ekspeditat që zhvillohen?
Bashkëpunimet i bëjmë, sepse është një rrugë shumë e rëndësishme që të bashkëpunosh me universitet e Bashkimit Europian. Ato janë një garanci, që i takon qoftë të teknologjisë dhe të nivelit të lartë të kërkimit shkencor që ka sot Europa. Ana tjetër është që ASA ka financime të mjaftueshme për të bërë kërkime të pavarura për sa i takon qoftë Instituti të Arkeologjisë, qoftë dhe institucioneve të tjera që ka ASA në varësi. Së dyti në Ministrinë e Arsimit ekziston Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor, që financon dhe gjithkush është i lirë që të bëjë një kërkesë, ku mund të konkurrohet dhe të merret fond.
-Ju zhvilluat këtë konferencë për vitin 2022, por për këtë vit çfarë mund të na thoni mbi punën në fushën e arkeologjisë?
Gërmimi arkeologjik është ai që e tregon rezultatin e pritshëm ose jo në sit arkeologjik. Ne shpresojmë që të kemi rezultate sa më të mira edhe në vitin 2023. Gjithsesi kjo i ngelet kërkimeve shkencore, sepse nëntoka është ajo që i mban këto materiale dhe kulturë.
-Çfarë po ndodh me projektin për Muzeun Arkeologjik të Tiranës?
Për muzeun ne po bëjmë një projekt me një zyrë projektimi. Jemi në momentet e projektit, që fillon më pas në restaurimin e muzeut.
-Sa ka qenë problem buxheti për ASA-n?
Për buxhetin gjithmonë kërkesa është e tillë, që gjatë këtyre viteve ne kemi rregulluar disa probleme që vinin nga e kaluara, për sa i takon botimeve, honorarëve, dietave, lëvizjet jashtë shtetit, marrja pjesë në konferenca ndërkombëtare, realizimin e shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare, etj.
-Instituti i Arkeologjisë, a është i plotësuar me studiues?
Jo vetëm Instituti i Arkeologjisë, por të gjithë institutet në ASA kanë nevojë për studiues, sepse ka shumë çështje të cilat mbulohen në mënyrë të sforcuar të periudhave të studimit. Por mbi të gjitha ka disa pozicione, që ne kemi nevojë për sa i takon studiuesve siç janë gjuhët e vdekura, të cilat kanë nevojë që të bëhet kërkimi në arkivat përkatëse, qofshin këto arkivat e Turqisë, Greqisë, etj. Ne kemi bërë kërkesat tona dhe presim që të kemi një hapësirë, sepse këto rregullohen nëpërmjet ligjit të arsimit të lartë dhe bordeve administrative të institucioneve të arsimit të lartë.
-Jeni në krye të ASA-s, por herë pas here bëhen me dije marrëveshjet e bashkëpunimit që ju nënshkruani në punën tuaj me institucione të ndryshme. Sa shërben kjo në ASA?
ASA ka një mori marrëveshjesh me institucionet analoge, me gjithë universitet shqiptare, me një pjesë të mirë të universiteteve perëndimore. Ka bashkëpunime me qendrat arkeologjike, si dhe me institucionet e tjera që ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi në kërkimin e fushës së albanologjisë. Mendoj që gjithë këto bashkëpunime janë të rëndësishme, së pari sa i takon shkëmbimit të eksperiencës, përvojës dhe të organizimeve të përbashkëta. Gjatë këtyre viteve Akademia e Studimeve Albanologjike (ASA) bën mbi 50 konferenca shkencore brenda dhe jashtë dhe gjithë studiuesit e saj kanë jo më pak se 3 pjesëmarrje individuale në konferencat ndërkombëtare.
-Ju jeni rektor i ASA-s, folët për punën e bërë në fushën e arkeologjisë vitin e shkuar, që sipas jush ishte me arritje. Sot çfarë ju shqetëson nëse flasim mbi problemet e kësaj fushe?
Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar dhe për të rregulluar punën e kërkimit shkencor, sepse ne jemi një vend, që reflektojmë pak a shumë nivelin tonë qoftë financiar të shtetit shqiptar qoftë dhe politik. Disa çështje që arkeologët kanë problematikë siç përmenda më lart janë stafet. Rritja e stafeve të arkeologëve, të studiuesve për fusha të veçanta të studimit, si dhe një përshtatje që duhet t’i bëjmë ligjit të trashëgimisë kulturore. Një pjesë e buxhetit, që grumbullohet nga qendrat turistike shqiptare që janë kontribut i Institutit të Arkeologjisë t’i rikthehet IA-së me qëllim që të përdoret për kërkimin shkencor dhe kthimin e qendrave të tjera arkeologjike në qendra turistike, gjë që do një ndërhyrje nga ana e institucioneve shtetërore dhe politike. Qendrat turistike që ka Shqipëria, si Butrinti, Apolonia, Lezha, etj, ky sistem sot grumbullon para falë zhvillimit turistik, por dhe falë punës së arkeologëve që është bërë atje me dekada. Unë po e bëj si thirrje publike në gazetë. Politika duhet të tregohet sensibël për sa i takon riaftësimit të institucioneve në mënyrë që ata të ecin, siç ecin institucionet e tjera në gjithë Europën dhe kjo bëhet me angazhimin financiar.
Më të lexuarat


Shqipëria pjesë e “First Kings of Europe”, objekte të trashëgimisë prehistorike në ekspozitën ndërkombëtare në SHBA dhe në Kanada

Çmimi “Nderi i festivalit” për Ansamblin Popullor në Vitie

“Burrnesha”, “Pesë stinët e armikut të popullit” dhe “Kthimi i Karl Majit” vepra të autorit Jeton Neziraj në skenën e Teatrin Kombëtar Eksperimental

“Dasma e Lunxhërisë” në vitin 1874, shfaqja e parë teatrore e dokumentuar në Shqipëri

Prodhime kinematografike të viteve 2020-2022 prezantohen në “Ditët e Filmit Malazez”, filmat pas Tiranës do të shfaqen në Gjirokastër, Vlorë dhe Shkodër

TKOB: Opera “Don Pasquale” afroi me kulturën operistike pranë dyerve të teatrit një publik të ri

Vladimir Doda: Teatri është në të njëjtën situatë që gjendet shoqëria shqiptare dhe ca më keq

Vladimir Hasimi, ikona e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, një jetë duke mbrojtur dhe promovuar vlerat e shkëlqyera të trashëgimisë kulturore jomateriale mbarëkombëtare shqiptare

“Gdhendja e germave të gjuhës shqipe në shtypshkrimet e Pjetër Budit”, në kuadrin e “Tragë”

Ekspozita “Rrugës...” nga artistët Emanuel Koko dhe Bertrand Shijaku, ku prezantohen punimet më të fundit në skulpturë dhe grafika
