BREAKING NEWS

Marrëveshja për Zgjedhoren përfshin votën e emigrantëve? Ja si përgjigjet Damian Gjiknuri

Marrëveshja për Zgjedhoren përfshin votën e
x

Kultura

Lulzim Zeqja: "Galaksia" një vepër aktuale,  ku është edhe lufta e ekzistencës  

Lulzim Zeqja: "Galaksia" një vepër aktuale,  ku

Drama “Galaksia” e autorit Howard Barker i zhvillon ngjarjet në shekullin XVI, por sipas protagonistëve të saj është aktuale dhe sot. Kritika e ka cilësuar si një ndër më të mirat e autorit Barke dhe në skenën tonë ishte me regji nga Rovena Lule. Vepra përmes interpretimit të aktorëve të teatrit, emra të njohur por dhe të rinj u mirëprit në skenë. Me rolin e Prodos në vepër aktori Lulzim Zeqja tregon se “Galaksia” pati jehonën e saj për atë, që përcolli në skenë. “Vepra “Galaksia” pati jehonën e saj. Në qendër të veprës është Galaksia, që është piktorja. Një nga idetë kryesore ishte ndërhyrja e politikës në art, që u përcoll shumë saktë nga ana e Rovena Lules dhe loja e aktores Olta Daku”, pohon aktori Zeqja. Interpretuar nga Lulzim Zeqja, Prodo është një luftëtar i betejës së Lepantos, i cili ka mbijetuar prej saj, por me dëmtime të mëdha. Ai ka filluar të shesë fatkeqësinë e tij për të jetuar, duket si surreal, por thotë të vërteta të mëdha. Vepra i ka përfunduar netët e saj në skenë dhe aktori Lulzim Zeqja tregon se ishte një dramë, me një tekst të mrekullueshëm. ““Galaksia” është një vepër aktuale me kohën. “Galaksia” ishte një shfaqje e angazhuar dhe për mua u përcoll në mënyrën më të mirë dhe vinin njerëzit nga 2 a 3 herë për ta parë, sepse ai është një tekst i mrekullueshëm. Nuk është vetëm lufta e politikës, është marrëdhënia e familjes, është lufta e ekzistencës, por tema kryesore është ajo e pikturës. “Galaksia” është pritur shumë mirë dhe për natë salla ka qenë plot me publik”, pohon aktori i njohur Lulzim Zeqja, i cili ka pasur impenjime gjatë këtij viti në teatër. Para kësaj vepre në teatër aktori tregon se ka qenë dhe në shfaqjen “Xhelatët”, gjithashtu një vepër shumë e mirë. “Unë e kam pasur aktivitetin të ngarkuar nga ana artistike. Pasi mbarova me shfaqjen “Xhelatët” me regji nga Qëndrim Rijani, vazhdova me shfaqjen “Galaksia” në teatër. Jam i kënaqur si aktor, sepse kam qenë me dy shfaqje shumë të mira”, pohon ai. Drama  “Galaksia” produksion i Teatrit Kombëtar u shfaq për disa net me radhë në skenë te “ArTurbina” për publikun. Në rolet e veprës përmendim aktorët Olta Daku me rolin e Galaksias, Neritan Liçaj, Igli Zarka,  Bujar Asqeriu, Rajmonda Bulku, Myzafer Zilfa, Lulzim Zeqja, Vikena Kamenica, Paola Kodra,  Niada Saliasi, Genti Deçka, Naun Shundi, Besmir Bitraku dhe të tjerë.

Vepra me ngjarje në shekullin XVI

“Galaksia” e cilësuar si vepra më e mirë e autorit bashkëkohor britanik Howard Barker, në qendër të saj qëndron një piktore e jazhtëzakonshme Galaksia e interpretuar nga aktorja e njohur Olta Daku, së cilës i duhet të përballet me luftën e pushtetit ndaj artit. Një vepër tejet aktuale edhe pse ngjarjet e së cilës janë vendosur në Venecian e shekullin XVI, ajo flet edhe sot po njësoj. Lufta e artistit për të thënë të vërtetën deri në fund me veprën e tij dhe mospranimi apo gati-gati ekzekutimi i veprës dhe artistit nga shteti! Në vitin 1571 Venediku ka arritur një fitore të madhe në Betejën e Lepantos. Artistja Galaksia është përzgjedhur për të portretizuar këtë triumf, por ajo mbush një tablo të stërmadhe me dhunë, vuajtje dhe vdekje. Një betejë tjetër duket se po nis mes artistes dhe shtetit. Skenografia në vepër u realizua nga Genc Shkodrani, kostumografe Laedja Hajdari, kompozitor Endri Sina, as. regjisore Paola Kodra dhe piktor Rael Hoxha. Howard Barker është një dramaturg, poet, skenarist dhe eseist anglez. Autor i shumë veprave, ku zhvillohen tematika si dhuna, seksualiteti, dëshira për pushtet dhe motivimi njerëzor.