BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Kultura

Margariti: 12 ikona të tjera do t’i shtohen listës së veprave të shpëtuara

Margariti: 12 ikona të tjera do t’i shtohen listës së

Muzeut të Artit Mesjetar që ndodhet në qytetin e Korçës do t’i shtohen edhe 12 ikona të tjera, që janë në veprat e shpëtuara. Lajmin e bën me dije ministrja e Kulturës Elva Margariti, që mes të tjerave shprehet se Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për ndërhyrjen në 12 ikona. “Edhe 12 ikona të tjera, pjesë e fondit të Muzeu i Artit Mesjetar, në Korçë do t'i shtohen listës së veprave të shpëtuara, prej specialistëve të këtij institucioni. Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konservuese - restauruese të 12 ikonave me vlera të çmuara për trashëgiminë tonë kulturore”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj në Facebook. Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë është një vend mes modernes e të vjetrës, i cili, brenda ambientit të tij bashkëkohor, mban ende të gjallë frymën bizantine. I ndërtuar në vitin 1980 dhe rindërtuar në 2016-ën, ai shtrihet përgjatë bulevardit “Fan Noli”. E vjetra dhe e reja bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme mes një harmonie ngjyrash. Pikërisht ky muze ruan thesaret më të shenjta e të vjetra, të cilat kanë mbijetuar e kaluar shumë pengesa për të arritur në vendin ku gjenden sot. Brenda muzeut gjenden më shumë se 7000 vepra arti dhe objekte kulturore, kryesisht ikona si edhe punime druri, guri, metali dhe tekstili të cilat dëshmojnë një histori të gjatë të ikonografisë shqiptare. Duke filluar me Murin e Artë, i cili mbulon dy kate me lartësinë e tij prej 9.5 m, volumi dhe bukuria e koleksionit të shekullit të 16-të i ekspozuar në të është thjesht befasuese. Në vazhdim gjendet Ballkoni i Bardhë, ku ekspozohen ikonat më të vjetra të muzeut, ato të shekullit të 14-të. Këtu gjendet edhe më simbolikja ndër to, ikona e ardhur nga Kisha e Shën Mërisë. Një ikonë e rrallë, e krahasuar me pikturën e famshme të fundit të Da Vinçi-t, atë më të shtrenjtën në botë, “Salvator Mundi”, në këtë pikturë paraqitet Shën Mëhilli i cili në një dorë mban globin e botës me iniciale të Krishtit e në tjetrën, shpatën. Pavioni i Labirintit të Zi ekspozon punët e artistit të madh Onufri, “e kuqja” e famshme e të cilit shkëlqen si asnjëherë tjetër në këtë sfond të errët e misterioz. Dhoma e Kuqe, në qendër të të cilit është vendosur ikonostasi i shekullit të 18-të i gdhendur me motive të apokalipsit, është nga mjediset më ndjellës e të ngrohtë të muzeut.