BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Kultura

Margariti: Aneksi i Bibliotekës Kombëtare po shndërrohet në qendrën më të re të librit

Margariti: Aneksi i Bibliotekës Kombëtare po shndërrohet në

Aneksi i Bibliotekës Kombëtare do të shndërrohet në qendrën më të re të librit. Puna në këtë ndërtesë po vijon dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti thotë se ajo nuk ndalet. Ministrja Margariti përmes një statusi bën me dije se është një thesar, që do të zbulohet. “Aneksi i Bibliotekës Kombëtare, po shndërrohet në qendrën më të re të librit e dialogut! Një thesar pret të zbulohet nga ju!”, shkruan Margariti në Facebook, që ka publikuar dhe një video të punës në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare. Edhe në dhjetor kur nisën takimet për projektin që do të ishte në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare, ministrja e Kulturës shprehu se nuk do të jetë më një godinë në hije, por një qendër për librin, teknologjinë, të rinjtë. Një qendër dialogu, që lidh të shkuarën e të ardhmen, ishin fjalët e ministres së Kulturës Elva Margariti, ku në diskutimet për rijetëzimin e Aneksit të Bibliotekës Kombëtare merrnin pjesë dhe drejtori i BKSH Piro Misha dhe arkitekti Gent Agolli. Kjo ngrehinë është e lidhur ngushtë me dy ngjarje historike për Shqipërinë dhe Tiranën. Pas 500 vjet sundimi otoman, më 26 nëntor 1912, në sheshin përpara saj u ngrit flamuri i Pavarësisë për qytetin e Tiranës. Ky flamur u ngrit nga patriotët Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu dhe Shefqet Ndroqi. Pas shpalljes së Tiranës kryeqytet, më 11 shkurt 1920, në këtë ndërtesë u vendos selia e qeverisë së përkohshme shqiptare, e cila doli nga Kongresi i Lushnjës. Në vitin 1945 në këtë ndërtesë u vendos Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sepse ishte një nga ndërtesat më të mira të kohës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën Kombëtare me një koleksion të pasur prej 15 000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist. Ndërtesa vazhdon të jetë edhe sot pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtu është vendosur fondi i literaturës së huaj sipas të cilit kemi dhe sallat e leximit: sallën gjermane, italiane, franceze, angleze dhe atë të gjuhëve klasike.