BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Margariti: Aneksi i BK nga një kënd i harruar, në një qendër kulturore

Margariti: Aneksi i BK nga një kënd i harruar, në një

Aneksi i Bibliotekës Kombëtare do të kthehet në një nga qendrat kulturore në kryeqytet. Ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi nga afër punimet që po zhvillohen në këtë godinë, dhe shprehet se po e shndërrojnë këtë kënd të harruar. “Me Ervin Bushati në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare, për të ndjekur nga afër punimet, që po e shndërrojnë këtë kënd të harruar të Tiranës, në një nga qendrat më tërheqëse kulturore në zemër të kryeqytetit, ku libri dhe teknologjia, e shkuara dhe e ardhmja motërzohen kaq natyrshëm”, shprehet ministrja Margariti, që ka publikuar dhe foto gjatë inspektimit të punimeve në Facebook. Për rijetëzimin e Aneksit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë janë zhvilluar dhe disa takime më parë me specialistët. Kjo ngrehinë është e lidhur ngushtë me dy ngjarje historike për Shqipërinë dhe Tiranën. Pas 500 vjet sundimi otoman, më 26 nëntor 1912, në sheshin përpara saj u ngrit flamuri i Pavarësisë për qytetin e Tiranës. Ky flamur u ngrit nga patriotët Abdi Toptani, Muhamer Pazari, Ibrahim Agalliu dhe Shefqet Ndroqi. Pas shpalljes së Tiranës kryeqytet, më 11 shkurt 1920, në këtë ndërtesë u vendos selia e qeverisë së përkohshme shqiptare, e cila doli nga Kongresi i Lushnjës. Në vitin 1945 në këtë ndërtesë u vendos Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, sepse ishte një nga ndërtesat më të mira të kohës. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Bibliotekën Kombëtare me një koleksion të pasur prej 15 000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist. Ndërtesa vazhdon të jetë edhe sot pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Këtu është vendosur fondi i literaturës së huaj sipas të cilit kemi dhe sallat e leximit: sallën gjermane, italiane, franceze, angleze dhe atë të gjuhëve klasike. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.