BREAKING NEWS

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën pedagogut të njohur

Kishte humbur shikimin nga tërmeti, koronavirusi i merr jetën
x

Kultura

Margariti: Sfida më e madhe si ministre, projekti i Bibliotekës së re Kombëtare

Margariti: Sfida më e madhe si ministre, projekti i Bibliotekës

Ministrja e Kulturës Elva Margariti e quan si sfidë në detyrën e saj, një projekt të ri për Bibliotekën Kombëtarë në Tiranë. Biblioteka Kombëtare këtë vit më datë 10 korrik shënoi 100- vjetorin e themelimit të saj. “Projekti i Bibliotekës së re Kombëtare, sfida më e madhe si ministre e Kulturës”, shprehet ministrja Elva Margariti. Disa ditë më parë me rastin e 100- vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare në Muzeun Historik Kombëtar u çel një ekspozitë për jehonën e krijimit të institucionit, në shtypin e kohës. Në këtë ekspozitë ishte njoftimi i krijimit, i përurimit, fjalimi i Luigj Gurakuqit, qarkore të ndryshme, thirrje për pasurimin e këtij institucioni, por edhe riprodhime frontespicesh gazetash e revistash, të cilat u prezantuan në këtë 100-vjetor. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë (më tej BKSh), si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920. Si bërthamë e saj shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917 në kontingjencat e njohura të Luftës së parë botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit, Tiranë. Mbas vitit 1920 u bënë përpjekje për pasurimin e këtij fondi, si dhe për riorganizimin e bibliotekës si institucion kombëtar. Në momentin e përurimit si BKSh, 1922, ajo kishte rreth 6.000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti BKSh me një koleksion prej 15.000 vëllimesh. Ajo u vendos në një nga ndërtesat më të mira të asaj kohe, e cila shërben edhe sot si “aneks” i saj. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947 fondi i saj numëronte rreth 100.000 vëllime. Nga institucion në varësi të Institutit të Shkencave, në vitin 1959 BKSh kaloi në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës. Në vitin 1966 ajo u zhvendos në një pjesë të ndërtesës së re të Pallatit të Kulturës, ku gjendet dhe sot.