BREAKING NEWS

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e antimafias italiane, paralajmëron Artan Hoxha dhe zbulon emrin kush është ‘peshku i madh’

‘Pa shiko sa të thella qenkan punët!’, përgjimet e
x

Kultura

Mark Luli: Po rrisim një brez të painformuar, muzetë janë shpëtimi për etnografinë dhe historinë

Mark Luli: Po rrisim një brez të painformuar, muzetë janë

Trashëgimia kulturore e jona duhet ruajtur dhe institucionet duhet të tregojnë vëmendje dhe kujdes edhe për promovimin e saj. Edhe pse herë pas here flitet për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, për specialistët e fushës dhe studiues të ndryshëm ka ende për të bërë në këtë drejtim. Studiuesi dhe organologu i njohur Mark Luli, i cili është dhe koleksionist i veglave folklorike muzikore të trevave shqiptare flet për problemet, që has sot kjo pjesë e trashëgimisë sonë. Në një reagim të tij këto ditë të para të këtij viti të ri që ka nisur, studiuesi dhe organologu thekson rëndësinë që ka muzeu, duke pohuar se duhet të ketë më shumë vëmendje nga shteti për këtë. “Amnisti për muzetë. Vëmendje e organeve kopetente të shtetit, ku dobia e tyre ndihmon në vetëqenien dhe historinë e popullit tonë në shekuj”, shprehet në reagimin e tij studiuesi Mark Luli. Në aktivitetin e tij si studiues por dhe si kompozitor Mark Luli gjithmonë ka pasur në vëmendje trashëgiminë tonë kulturore. Por ai thotë se brezi i ri po rritet i painformuar dhe me mangësi në fushën e etnografisë sonë. Sipas Mark Lulit, kjo është edhe një nga problemet që i shqetëson sot shumë studiuesit tanë. “Po rrisim një brez prej disa dekadash të painformuar e me mangësi të mëdha, duke e demaskuar në mënyrë të pahijshme për vlerat dhe të vërtetën në fushën e historisë dhe të etnografisë. Kjo gjë neve si studiues na preokupon shumë. Muzetë janë si një ishull shpëtimi në mesin e një oqeani, që shpëtojnë jo vetëm të mbyturit por dhe historinë”, shton më tej studiuesi Mark Luli, i cili edhe më parë ka folur për shqetësimet në lidhje me pasurinë tonë kulturore.

Koleksioni i rrallë

Kompozitori dhe studiuesi Mark Luli krahas krijimtarisë muzikore zotëron edhe një prej koleksioneve më të mëdhenj në Ballkan me vegla muzikore nga Veriu dhe Jugu, të cilat i ka mbledhur në çdo cep të Shqipërisë dhe më gjerë për 40 vite gjatë jetës së tij. Një koleksion i rrallë që përmban 122 instrumente muzikore. Studiuesi Mark Luli thotë se është i ruajtur shumë mirë ky koleksion, por që vazhdon të qëndrojë i mbyllur. “Trashëgimia kulturore, konkretisht muzeu i instrumenteve më të vjetër muzikor të trojeve shqipfolëse, ku për fat të mirë i ruajtur dhe i mirëmbajtur rri i ngujuar akoma në kryeqytetin shqiptar. Muzeu më i madh prej 122 instrumentesh, më i kompletuar sot në Ballkan i vetmi, unikal i pa njohur nga brezat, rri i mbyllur ku përfshihen 4 familjet më të mëdha të studiuar nga muzikologët më të mirë të botës si;instrumentet Idiofone, Membranofone, Aerofone dhe Kordofone. Kjo gjë nuk duhet fshehur se s'ju a kemi borxh brezave tanë”, shprehet Luli në reagimin e tij. Në studion muzikore të kompozitorit Mark Luli, ku punon dhe krijon këngën shqiptare, mund të gjesh sot një pasuri të rrallë dhe plot vlera artistike që i takojnë folklorit shqiptar, vegla muzikore nga më të ndryshmet, gjë që vërteton dhe dashurinë e tij për të krijuar muzikë me tabanin shqiptar. Koleksionisti dhe studiuesi Mark Luli më herët për punën e tij kërkimore dhe studimore 40 vjeçare që ka bërë në zona të ndryshme të vendit, por dhe në Mal të Zi apo Kosovë për të mbledhur këtë pasuri popullore ka treguar se në koleksionin e tij janë instrumente muzikore, që datojnë nga 1860 deri në vitin 1990. Duke e vlerësuar pasurinë folklorike kombëtare, si studiues, koleksionit dhe kompozitor, Mark Luli edhe më parë ka shprehur keqardhjen e tij që një pjesë e këtyre instrumenteve janë zhdukur ndër vite nga moskujdesi që është treguar për këto instrumente. Si kompozitor Mark Luli ka theksuar se edhe në festivalet folklorike këngët duhet të shoqërohen vetëm me instrumente popullorë, pasi kjo është mënyra më e mirë për të ruajtur dhe vlerat kombëtare.