Kultura

Materialet dhe rregullat për fondin e përkthimit, juria mblidhet në QKLL

Materialet dhe rregullat për fondin e përkthimit, juria mblidhet

Juria e fondit mbështetës për përkthimet nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj u mblodh në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. “Fondi i përkthimi letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” është në kuadrin e mbështetjes që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka në politikat e saj për autorët shqiptarë, me synim promovimin dhe nxitjen e përkthimit të veprave të tyre në gjuhë të huaja. Sipas QKLL, juria u njoh me rregulloren dhe me materialet e para të dorëzuara nga aplikuesit për këtë fond, dhe gjithashtu zgjodhi në cilësinë e kryetares së jurisë Diana Kastratin. Më herët QKLL shprehej se ky fond kontribuon në rritjen e interesit të botuesve të huaj për letërsinë shqipe. Sipas qendrës, kjo thirrje synon të mbështesë përkthimin e veprave më të rëndësishme të letërsisë tradicionale dhe bashkëkohore shqipe në prozë, poezi dhe eseistikë. Tashmë aplikimet për “Fondin e përkthimi letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj” janë mbyllur dhe më herët që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) shprehej se kërkesa duhet të dorëzohej nga një botues i huaj, i pajisur me licencë botimi. “Botuesi duhet të sigurojë të drejtat e autorit para se të aplikojë ose të paktën të jetë në proces të sigurimit të së drejtës së autorit (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose angleze). Botuesi duhet të paraqesë kontratën me përkthyesin (kontrata origjinale duhet të jetë në gjuhën shqipe ose angleze), gjithashtu botuesi duhet të paraqesë një pjesë nga libri origjinal dhe përkthimin e tij, sipas specifikimeve në formular”, njoftonte disa javë më parë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.  QKLL bën me dije se është e angazhuar të parandalojë çdo keqpërdorim, abuzim ose kopjim të tekstit të përkthyer. Pas miratimit të mbështetjes financiare, QKLL-ja do të nënshkruajë një kontratë me botuesin. Qendra Kombëtare e Librit ( QKLL) u hap me vendim të Këshillit të Ministrave. N faqen zyrtare thuhet se qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit.

Vjershat e autorit Nikollë Brankati botuar në shekullin XIX-XX

Më 18 prill të vitit 1675, lindi poeti dhe shkrimtari arbëresh Nikollë Brankati. Ai kreu studimet e larta fetare dhe shërbeu si prift në “Horën e Arbëreshëve”, në Palermo. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët ka publikuar një material kushtuar poetit arbëresh, dhe mes të tjerave thuhet se kontributi i tij në letërsi shënjohet kryesisht me përshtatjen e parafrazuar të këngëve fetare. “Studiuesit që janë marrë me krijimtarinë e tij kanë gjetur edhe disa vjersha origjinale, ndër to ka edhe vargje me motive laike. Vjershat e Nikollë Brankatit, të mbetura në dorëshkrim, u botuan përgjatë shekulli XIX-XX. Një pjesë e mirë e tyre shquhen për lirizmin, rrjedhshmërinë dhe bukurinë e vargut, si dhe për gjuhën e pastër e të përpunuar”, thuhet në materialin që ka publikuar QSPA. Herë pas here Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët publikon materiale kushtuar autorëve të ndryshëm dhe këtë herë solli në vëmendje autorin Nikollë Brankati.