Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mbesa e Qazim Mulletit: Në internim që 5 vjeçe, ju rrëfej jetën e grave dhe vajzave në burgjet e diktaturës

Mbesa e Qazim Mulletit: Në internim që 5 vjeçe, ju rrëfej jetën e grave dhe vajzave në burgjet e diktaturës

Postuar: 18/06/2013 - 11:26

Kolana prej 10 veprash kujtimesh, ditarësh memuaresh dhe letërsi, të cilat sjellin fakte mbi historinë e genocidit komunist u promovua dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës. Në kolanën titulluar "Ad memorandum" vijnë të  trajtuara kryengritjet e para kundër komunizmit, genocidi mbi kulakët, fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe çështje të tjera mbi ngjarje të ndryshme. Të pranishëm në këtë promovim autorë të këtyre veprave u shprehën se librat jo vetëm që sjellin dëshmitë e vuajtjeve gjatë diktaturës, por dhe për ti treguar brezit më të ri se çfarë ka ndodhur në ato vite. Mes librave të kolanës ishte dhe “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” i autores Fatbardha Saraçi (Mulleti). Në këtë botim mbesa e Qazim Mulletit ka në vëmendje vetëm figurën e femrës. “Libri im është pjesë e imja dhe unë i përkas shtresës sime, që nga mosha 5 vjeç deri në rënien e diktaturës, dhe kam provuar luftën e klasës. Kam shkruar vetëm për figurën e femrës në këtë libër. Vjen figura e një nëne madhështore që ka provuar shumë dhimbje, i ka takuar të rrisë dhe të edukojë fëmijët vetë, dhe të mbijetojë, është një nënë me shpirt të madh”, pohon autorja. Gjithashtu “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” shkruar nga Fatbardha Saraçi (Mulleti) sjell edhe fakte rrëqethëse. “Kamionët në kohën e diktaturës mbusheshin me këto familje dhe i çonin në internim në kampin e Tepelenës, ku në këtë kamp ishte familja e xhaxhait tim, Qazim Mulleti, ishte gruaja e tij me djalin. Në atë kamp janë parë tmerre që tregohen dhe sot nga ata që i kanë mbijetuar. Ka raste që kanë vdekur dhe fëmijë të vegjël. Brenda ditës në kampe kanë vdekur dhe 30 fëmijë”, pohon ajo. Për të pranishmit në këtë promovim, kjo kolanë i ngjan një gjerdani të çmuar  ku secili libër është një hallkë më vete. Ndërkaq që një tjetër autor, Çelo Hoxha pohon se me veprën e tij “Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri, 1944-‘48” vijnë vitet e parë të diktaturës. “Libri trajton vitet e para të vendosjes së komunizmit në Shqipëri dhe është ndarë në 3 pjesë. Vendosja e regjimit ushtarak, shkatërrimi i ekonomisë kombëtare, marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe kërcënimi i Pavarësisë. Vepra ime trajton për herë të parë në mënyrë të zgjeruar regjimin komunist si regjim ushtarak. Ishte një regjim që erdhi nëpërmjet dhunës ushtarake dhe u organizua në vitet e para, ku shoqëria shqiptare ishte nën kontrollin e ushtrisë”, u shpreh autori i librit. Mes 10 botimeve, tetë libra janë të karakterit studimor dhe 2 janë në letërsi ku përkthyesi Guljem Deda ka sjellë një përkthim 1356 faqe me rimë që është përkthyer për gati 30 vjet nën titullin “Orlandi i çmendum” i autorit Ludovico Ariosto. Mes librave të tjerë të kolanës përmendim botimin e Uran Butkës  “Kryengritja e parë kundër komunizmit”, Lekë Ndoja në botimin me titull “Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri”, etj.

Arkivat e shtetit, pjesa më e rëndësishme në kolanë

Për drejtorin e institutit Agron Tufa, dokumentet kanë qenë në arkiva, por në dy dekada shumë historianë kanë bërë sikur nuk kanë ekzistuar. “Një rëndësi shumë të madhe për ne ka pasur fakti i dëshmisë nëpër arkivat e shtetit, është një pjesë dëshmish që kurrë se kanë parë dritën dhe që kanë qenë në arkiva për nga historianët, versioni zyrtar, nuk janë preferuar, pra ka pasur një selektim të skajshëm, kryekëput idelogjik, siç më duket mua dhe pas rënies së komunizmit. Për herë të parë ua sjellim qytetarëve shqiptarë dëshmitë rrënqethëse qoftë të kryengritjeve, të sistemit të trisketimi, një shantazh gjenocidial nëpërmjet urisë ", u shpreh dje gjatë promovimit Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Si drejtues i këtij instituti më tej Tufa u shpreh se nuk do rreshtin së botuari dhe nxjerrjen në dritë të kësaj memuaristike, transformuar apo qoftë edhe zhdukur prej 50 vitesh diktaturë.  Ky projekt u realizua fale mbështetjes financiare të MTKRS dhe Postës Shqiptare.

Zhiti: Në këtë sallë janë flakur shkrimtarë dhe dënuar vepra

Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Zhiti u shpreh kjo kolanë është një pasuri e madhe. “Librat e kësaj kolane janë një pasuri e madhe që na bën të reflektojmë dhe tua mësojmë të shkuarën brezave ashtu siç ka ngjare", u shpreh ministri Zhiti. Më tej gjatë fjalës së tij kreu i MTKRS theksoi se kjo kolana promovohet në atë sallë ku dikur ishte vetëm për shkrimtarët dhe veprat e realizimit socialist. “Në këtë sallë, kur dikur promovoheshin poetë dhe shkrimtarë të realizmit socialist ne po promovojmë rrëfimet e poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë që vuajtën dënimin në burgjet dhe internimet e komunizmit. Prej kësaj salle janë kompozuar dhe janë përzënë dhe flakur, dhe i janë drejtuar burgjeve artistë, shkrimtarë dhe njëkohësisht janë dënuar vepra. Dënimi ka qenë i tillë, janë dënuar jo vetëm veprat e bëra po dhe veprat që të mos bëheshin sepse u futën në burg”, përfundoi Zhiti gjatë fjalës së tij përshëndetëse.   Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/02/2019 - 07:34

Komedia "Testamenti i ri" vepër shkruar nga Sacha Guitri me regji nga Gëzim Kame u mirëprit si premierë nga publiku në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë.

Postuar: 16/02/2019 - 07:32

Ekspozita “Dinastia Marubi: Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” e kuruar n

Postuar: 16/02/2019 - 07:29

Qendrës Kombëtare e Kinematografisë dhe Open Labs e WCUGA nënshkruan një marrëveshje, e cila i je

Postuar: 16/02/2019 - 07:27

Specialistët e trashëgimisë japin alarmin për gjendjen e rënduar me banesat monument kulture në G

Postuar: 15/02/2019 - 16:34

Drama "Gusht: Portret Familjar" vepra më e rëndësishme e autorit Tracy Letts është prem

Postuar: 15/02/2019 - 07:27

Puna me teatrin i ka dhuruar plot momente të veçanta aktori Engjëll Hoxha.