BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Kultura

"Mes Qiellit dhe Tokës” përzgjidhet në "Sarajevo Script Station", një skenar filmi për marrëdhënien mes babait dhe djalit

"Mes Qiellit dhe Tokës” përzgjidhet në "Sarajevo

"Mes Qiellit dhe Tokës” është një nga 8 projektet e përzgjedhura, në "Sarajevo Script Station 2020". Skenari i shkruar nga Gledis Bica është një projekt i filmit artistik me metrazh të gjatë i përzgjedhur në “Sarajevo Script Station”, një program që ndodh gjatë festivalit të filmit të Sarajevës dhe është pjesë e “Talents Sarajevo”. Skenarist dhe regjisor Gledis Bica shprehet entuziast për këtë përzgjedhje. Regjisori Gledis Bica këtë projekt e ka të parin film me metrazh të gjatë dhe tregon se kjo përzgjedhje në "Sarajevo Script Station" i vlen skenarit. “Do të jenë disa sesione, të cilat përbëhen nga diskutime rreth çështjeve specifike të skenarit tim aktual, takime kokë me kokë me mentorë, të cilët të ndihmojnë për të çuar skenarin në një tjetër stad. Diskutimi i skenarit me njerëz të ndryshëm është një element shumë i nevojshëm, aq më tepër kur kjo gjë kryhet me ekspertë të industrisë së filmit. Vetë seleksionimi në “Script Station” në Sarajevë, do të thotë se ky projekt i ka elementet për tu bërë një film i mirë në të ardhmen”, shprehet regjisori. Sipas tij, përveç zhvillimit të skenarit, përfitimet janë edhe të tjera. “Falë prezencës në “Script Station”, ekziston edhe mundësia për të krijuar njohje me bashkë-producentët e mundshëm të projektit. Gjithashtu ky seleksionim do ti vijë në ndihmë projektit në rrugëtimin e tij në vazhdim”, tregon Bica në reagimin e tij. Duke folur për projektin "Mes Qiellit dhe Tokës”, skenarist dhe regjisor Gledis Bica thotë më tej se nëse do të financohet këtë vit nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, xhirimet do të duhet të nisin në vjeshtën e vitit 2021. “Momentalisht kemi një kontratë bashkëprodhimi me Norvegjinë, e cila mund të aktivizohet vetëm nëse projekti do të financohet nga QKK. Më pas do të tentojmë të rrisim numrin e co-produksioneve me të paktën 2 shtete të tjera”, tregon më tej ai.

Shkrimi i skenarit dhe historia

"Mes Qiellit dhe Tokës” është një film, që flet për marrëdhënien atërore, mes babait dhe djalit. Skenarist dhe regjisor Gledis Bica thotë se kjo është sjellë nëpërmjet dy personazheve ama historia është më komplekse. “Shkëndija e parë për skenarin erdhi nga një histori, që më ka treguar një koleg, disa vite më parë, dhe me kalimin e viteve ngjarja mori formë. Janë shumë elementët, që më kanë ngacmuar në shkrimin e këtij skenari. Vetë jetesa në vendin tonë është një prej tyre. Janë të shumtë ata të rinj, që sot vuajnë pasojat e zgjedhjeve të prindërve të tyre, kryesisht të atyre, që çdo gjë në jetë e kanë zgjidhur nëpërmjet korrupsionit dhe “miqve”. Dhe në fund shumë të rinj përfundojnë, duke emigruar e duke kryer punë të rëndomta, ose duke qëndruar në Shqipëri po përsëri duke kryer një punë, që nuk i jep asnjë motivim e kënaqësi, sepse sipas shoqërisë dhe prindërve të tyre: “Duhet të gjesh një punë çfarëdo se ky vend nuk bëhet””, tregon Bica për skenarin. Duhet të lësh pas ëndrrat, si pasojë e veprimeve të të tjerëve, dhe madje në fund ata që kanë shkaktuar këtë situate të thonë edhe çfarë të bësh me jetën tënde. Si skenarist Gledis Bica tregon se ky është një nga elementet, që e ka ngacmuar në shkrimin e këtij skenari. “Por në fund ky film do të flasë për një udhëtim shpirtëror, i cili nuk është vetëm i personazheve dhe i kësaj ngjarje. Dhe ajo që më pëlqen në këtë projekt, është se e kemi sjellë skenarin në një formë universale, pasi ndjesitë janë të tilla. Nuk do të jetë një film, që flet për një ngjarje e cila ndodh vetëm në Ballkan, dhe nuk do të jetë një film që synon vetëm festivalet e filmit”, shprehet mes të tjerave ai. Si regjisor Gledis Bica pohon se dëshiron që publiku ti shikojë filmat që ai realizon, sepse përndryshe do të ishte një dështim. Regjisori Gledis Bica ka 3 vite që punon për këtë projekt dhe shprehet se beson se do ti duhen edhe 2 vite të tjera për ta përfunduar në rast financimi.