Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Milto Kutali: Kumbaro nuk e meritonte një tjetër mandat, ja çfarë nuk bëri në 6 vjet si ministre

Postuar: 20/05/2018 - 07:56

Ministria e Kulturës mungesë transparence dhe pa komunikim me artistët, një situatë që sipas tyre është shqetësuese duke akuzuar se mungon mbështetja dhe ndihma për teatrin. Prej kohësh ministrja e Kulturës është vënë përballë akuzave të artistëve, të cilët pohojnë se mungon dialogu për probleme të ndryshme të jetës artistike. Regjisori i njohur Milto Kutali pohon se është shqetësuese mungesa  e klimës së besimit. Në intervistën për “SOT” regjisori rendit një sërë problemesh në fushën e teatrit e deri te mungesa  e transparencës me projektet që ndan Ministria e Kulturës. Me kritika ndaj ministres Kumbaro regjisori pohon se ajo nuk duhej të ishte në krye të Ministrisë së Kulturës. Në aktivitetin e tij artistik regjisori Milto Kutali solli së fundmi në skenë komedinë “Trashëgimtari”, me autor Arben Iliazi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Një vepër teatrore, që sipas tij reflekton probleme të shoqërisë shqiptare.

-Premierë me regjinë tuaj këtë herë në skenën e teatrit drama shqiptare “Trashëgimtari”. Në zgjedhjen tuaj regjisoriale çfarë patët parasysh për premierën?

Jam shumë i kënaqur, që shfaqja “Trashëgimtari” është një shërbim që i bëhet veprave përfaqësuese kombëtare, sepse autor është Arben Ilazi, jo vetëm një nga miqtë e mi, por një nga miqtë e hershëm të teatrit. Lidhjet e tij me trupat artistike janë të hershme, që para viteve ’90 dhe megjithëse ai është marrë me publicistikën dhe sot e kësaj dite vijon të shkruajë pjesë teatrore. Pas veprës “Hënat e fundme” që unë e promovova para disa kohësh në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” me dy aktorë të karrierës siç janë Bajram Dosti dhe Marjana Kondi bashkëngjitur atyre dhe një student i imi Klajdi Zeqaj, në këtë rast kam të bëj me një trupë me artistë të rinj. Donald Shehu, Dajana Nenaj dhe Xhuliano Brisku tre studentë të mi, që sapo dalin nga auditoret e shkollës. Ata kanë 2-3 vjet, që janë në produksionet artistike jo vetëm në Tiranë, po unë kam kënaqësinë të jap shërbim për të treguar vlerat e tyre artistike. Falë kësaj pune të përbashkët unë mendoj që për një orë e 15 minuta kemi sjellë një vepër të këndshme dhe i flet realitetit shqiptar. Sot për të ndërtuar një mjedis social të qëndrueshëm ne duhet ta fillojmë nga individi. Ne e dimë që sot kemi probleme me të vërtetë shumë të mprehta në formimin e një individi që kërkon integritet dhe një lloj pozicionimi shoqëror. Jo falë investimit të qëndrueshëm, por falë disa investimeve që çdo gjë e lidhin me vlerën e parasë. Unë mendoj që këtyre lloj njerëzve u ka ardhur koha që duhet ta lënë këtë lloj pozicionimi dhe mund të bëjnë shumë gjëra të tjera, por unë mendoj që sot më së shumti në shoqërinë shqiptare kërkohet që njerëzit të  pozicionohen në atë që dinë të bëjnë mirë dhe e bëjnë në mënyrën më të ndershme. Këtij qëndrimi ne i kemi mëshuar gjatë gjithë kohës në shfaqjen tonë, mesazheve që përcjell vepra. Dhe audienca publike e miraton këtë mesazh që ne përcjellim.

-Vepra juaj do vijojë dhe në skena të tjera, në fundjavë do të jeni në Gjirokastër...

Unë mendoj se që në momentin që është realizuar projekti kemi menduar që të kemi një teatër shumë praktikabël. Pra të kemi mundësi që nëpërmjet një mjeti, një bagazhi, një dekori, rekuizitën dhe vetë protagonistët e asistentët,  sa më shumë lëvizje dhe ne në fundjavë jemi në Gjirokastër. Këtu gjej rastin të falënderoj dhe drejtorinë e kulturës në Gjirokastër dhe kam informacionet që ka qenë një vëmendje dhe nga kryetarja e bashkisë së këtij qyteti për të mbështetur jo vetëm shfaqjen tonë, por më parë ka qenë dhe një tjetër trupë e teatrit “Bylis” nga Fieri. Mua më duket se ka filluar të lëvizin qendrat kulturore të bashkive të vendit. Ndërkohë që dhe një shfaqje e teatrit të Gjirokastrës do të jetë në fundjavë në Teatrin Eksperimental. Kjo që ndodh është gjë e mirë për teatrin, si regjisor më gëzon ky fakt. Edhe me shfaqjen tonë kam dëshirë të lëvizim në skena të ndryshme. Ne ndodhemi tani që sezoni i teatrit po shkon drejt fundit, dhe duhet të krijojmë mundësitë që ne të lëvizim shfaqjet dhe të shkojnë atje ku është publiku.

-Sa shqetësuese është për ju kjo që po ndodh me Teatrin Kombëtar? Protestat e artistëve vijojnë...

Kur themi Teatri Kombëtar bashkë me të është dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shikojmë që është bërë një gjë shumë e mirë falë një pune të madhe të drejtorit të Teatrit Eksperimental, i cili ka haur dhe ambiente të tjera për të performuar dhe unë vetë jam i pari që kam gëzuar sallën teatrore “Gëte”, sepse e kam promovuar me shfaqjen time, por ka ardhur momenti që me teatrin duhet të jemi të ndjeshëm. Unë kam qenë gjithmonë në krah të artistëve dhe mendoj se është detyrimi më se i domosdoshëm i drejtuesve të këtij vendi që të jenë shumë transparent dhe të hapur, shumë të çiltër me komunitetin artistik. Unë mendoj që ky lloj komunikimi deri tani ka munguar nga shtetarët, nga Ministria e Kulturës. E kam thënë dhe më parë ka qenë një fatkeqësi e madhe, që ne nuk kemi teatro të mjaftueshëm. Por ajo që mua më shqetëson në këtë moment është mungesa e klimës së besimit. Dhe në këtë aspekt gjithmonë shteti duhet ta marrë i pari iniciativën e vendosjes së klimës së besimit. Kjo mungon, këtë gjë se ka bërë shteti. Nuk është i besueshëm shteti për artistët, por dhe për gjëra të tjera. Unë jam partizan i asaj, që në radhë të parë gjërat duhen parë me shumë çiltërsi dhe transparencë. Për hir të së vërtetës këtë gjë unë se kam ndjerë deri tani. Kur të vendoset kjo të jeni të bindur që nuk do të ketë ashpërsi, por do të ketë komunikim. Edhe në veprat e mia kam qenë i shqetësuar që nuk ka klimë komunikimi. Të jeni të bindur që nuk ka besim, dhe njerëzit nuk mund ti bindësh dot qoftë dhe duke i treguar një projekt. Në radhë të parë duhet të binden njerëzit. Ata që drejtojnë këtë vend duhet të kenë domosdoshmërisht fisnikërinë, delikatesën për t’u sjellë siç duhet me komunitetin artistik. Duke qenë se flasim për një institucion kombëtar si Teatri Kombëtar duhet të mendojmë me mentalitet kombëtar. Ky mentalitet mungon tek ne.

-Artistët kërkojnë një debat të hapur dhe publik për këtë temë por, Ministria e Kulturës ende nuk ka pranuar të ulet në bisedime me komunitetin. Si është për ju kjo situatë?

Ka munguar gjithmonë komunikimi i ministres Mirela Kumbaro me artistët. Gjithmonë ne priremi ti bëjmë karshillëk tjetrit, dhe asnjëherë nuk e luan dikush fisnikun. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro vetëm për artistët nuk ka qenë në këto vite që ka drejtuar ministrinë. Ministrja Kumbaro nuk duhej të ishte në atë ministri. E keqja tek ne është se këtu funksionon karshillëku dhe jo ofertat, tryeza për t’u ulur, bashkëbiseduar me artistët, për të komunikuar me ata dhe për ti ndrequr gjërat. Nëse do të vijojë kështu nuk kemi për të ecur përpara. Ne po kërkojmë gjithnjë dhe më shumë që Shqipëria të integrohet në Europë, etj, të gjitha këto na obligojnë dhe si qytetarë të këtij vendi dhe si intelektualë që të ndërtojmë etika të marrëdhënieve që kanë komunitetet në këtë kontinent të madh që quhet Europë. Por me ndjeja bajraktarizmi nuk kemi për të ecur dot përpara.

-Projektligji i artit dhe kulturës i përgatitur nga Ministria e Kulturës u hodh poshtë nga artistët, kërkuan pezullim të tij. Nuk ka pasur sipas tyre as konsultime me grupet e interesit në hartimin e tij. Çfarë kërkoni në të vërtetë?

Një kërkesë e drejtë nga artistët. Por unë kam shuam frikë që nuk po bëhet asgjë dhe për ligjin e artit. Unë kam mbi 30 vjet që merrem me teatrin, si unë ka dhe shumë të tjerë, shumë më të ditur, por kjo nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që të ulemi dhe të bashkëbisedojmë. Ministrja e Kulturës duhet të kishte pasur më herët konsultime me artistët, nuk bëri asgjë.  

-Ju vijoni me dramën shqipe në skena, por veprat shqiptare për autorë të saj pak hapësirë kanë. Si regjisor çfarë mund të na thoni?

Unë kam përshtypjen që personalitete regjisoriale, artistë të ndryshëm kanë filluar dhe kanë hedhur vështrimin jo vetëm te dramat bashkëkohore, por dhe një lloj kërkese për të riaktivizuar dramën e traditës. Para disa ditësh ne ndoqëm në Teatrin Kombëtar shfaqjen me regji nga Altin Basha “Gomari i Babatasit” vepër e At Gjergj Fishtës. Personalitete artistike janë shumë të vëmendshëm për dramën shqipe, por nëse flasim për Ministrinë e Kulturës çfarë do të bëjë me dramën shqipe unë nuk e di. Me aq sa kam parë më vjen keq që nga ministria deri tani ka munguar ajo politikë dhe mbështetje, që pohojnë dhe autorët. Sigurisht që unë do të kërkoja që të kishte politika të qarta nga Ministria e Kulturës në kontekst të asaj, që quhet zhvillimi i dramës kombëtare.

-Financimi i projekteve të pavarura  që bën Ministria e Kulturës e kanë përballur me jo pak akuza të artistëve, mungesë transparence etj. Edhe ju jeni shprehur më herët për probleme, si ndikon kjo situatë?

Të gjithë këto probleme që folëm deri tani sëbashku me projektet që shpall Ministria e Kulturës konvergojnë në një pikë. Nëse do të kishte kujdes për komunitetin artistik, nëse do të kishte përgjegjshmëri për institucionet e artit, sidomos kur flasim për Teatrin Kombëtar, për Teatrin e Operës dhe Baletit institucione kombëtare me mentalitet kombëtar sigurisht që do të kishim të tjera pritshmëri, por deri tani kjo gjë ka munguar. Artistët do të përpiqen dhe të gjejnë forma, ashtu si dhe unë me kolegë të mi që kemi gjetur mundësi të tjera për artin tonë, për të promovuar veprën tonë, por këto ngelen gjithmonë produksione të karakterit krejtësisht të lirë dhe nuk mund të krahasohen me një projekt madhor që mund të merrte përshembull një institucion siç është Ministria e Kulturës. I takon pikërisht Ministrisë së Kulturës të ndërtojë një mentalitet kombëtar, por kjo ka munguar prej saj deri tani. Ministria e Kulturës duhet të shikojë dhe të ketë në vëmendje dhe institucione të tjera teatrore që pavarësisht që janë vendore për mua janë kombëtare, të bëjë çmos t’u japë ndihmë. Jam i bindur që në Ministri të Kulturës nuk kanë bërë asgjë për teatrin. Jemi më keq se kurrë përballë problemeve që shikoj në fushën e teatrit, pa investime dhe politika në zhvillimin e tij. Një situatë e trishtë. Mirela Kumbaro e ka bërë më keq se kurrë teatrin, duke filluar që nga ajo e deri te bashkëpunëtorët e saj. Për mua, ministrja Kumbaro duhet të kishte ikur para shumë vitesh nga ajo ministri.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 27

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se është bërë pjesë e këtij profesioni prej rreth 25 vitesh dhe pavarësisht këtij fakti thotë se ende nuk di shumë rreth tij.

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen &

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras