BREAKING NEWS

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien shifrat, MSH publikon bilancin çfarë ka ndodhur  në 24
x

Kultura

Çmimet kombëtare të letërsisë, shpallen fituesit

Çmimet kombëtare të letërsisë, shpallen fituesit

 Ministria e Kulturës shpalli fituesit e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2018. Përmes një ceremonie për çmimet, u shpallën dhe gjashtë fituesit. Juria e këtij viti ishte e përbërë nga Alda Bardhyli kryetare dhe anëtarë Visar Zhiti, Dhurata Shehri, Brikena Çabej dhe Riza Braholli. Autorja Mimoza Hafizi fitoi çmimin e letërsisë për fëmijë me librin “Pika trëndafil”, Havzi Nela u nderua me çmim për vëllimin më i mirë poetik me “Vepra poetike e plotë”, çmimi “Eseistikë” 2018 shkoi për shkrimtarin Ismail Kadare me veprën “Kur sunduesit grinden”.

Nga juria e këtij viti, Enkel Demi u shpall fitues me çmimin “Romani më i mirë” 2018, me librin “Gurët e Vetmisë”, Luan Topçiu u vlerësua me çmimin “Përkthimi më i mirë” dhe Roland Gjoza u vlerësua me çmimin “Tregimi më i mirë” 2018. Për romanin janë në garë ishin autorët Andreas Dushi me “Marrja e gjakut”, Vrion Graçi me “Pëllumbat i vrasin natën”, Enkel Demi (Tom Kuka) me “Gurët e vetmisë”. Për tregimin këtë ishin në garë Daut Gumeni me “Qershia e egër”, Roland Gjoza me librin “Për vajzat nga Parisi” dhe Faruk Myrtaj me librin “Këpucë për gjyqin e fundit”. Në poezi konkurruan autorët Sabri Hamiti me librin “Kukula e Sokratit”, Flutura Açka me “Roja i dritës”, Havzi Nela me “Vepra poetike e plotë”. Në estetikë konkurruan autorët Mateo Mandala me “Jeronim De Rada: Portret artisti në rini”, Ismail Kadare Hasko me veprën “Kur sunduesit grinden”, si dhe Arian Leka me librin “Në kërkim të këmishës së humbur”.

Në letërsinë për fëmijë dhe të rinj konkurronin autorët Mimoza Hafizi me “Pika trëndafili”, Skënder Hasko me “S’ka si shoku im” dhe Shkëlzen Halili me “Gjergj takon Skënderbeun”. Në përkthim në garë ishin autorët Eriona Karabolli -Sabato, Ernesto: “Abadoni, engjëlli i skëterrës”, autori Agron Tufa me Paul Celan “Flokëboret e zeza” dhe Luan Topçiu-Linda Maria Baros: “Shtëpia me brisqe rroje”. Që nga koha kur u shpallën dhe autorët në garë, Ministria e Kulturës herë pas here ka publikuar veprat dhe autorët në konkurrim. Por ndryshe nga sa ishte më parë, këtë vit nuk u ndanë vetëm dy çmime. Më herët ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri me dije se do të jenë disa çmime.

“Këtë vit nuk do të kemi më dy çmime të mëdha, por 6 syresh. Pas një pune disa mujore, juria do të shpallë fituesit e çmimeve për romanin më të mirë, përmbledhjen me tregime, vëllimin poetik, veprën më të mirë eseistike, krijimtarinë letrare për fëmijë e të rinj dhe përkthimin nga gjuha e huaj”, shprehej Margariti. Por edhe pse çdo vit janë ndarë këto çmime letrare nuk kanë munguar dhe kritikat për mënyrën se si janë zhvilluar. Çmimet këtë herë u dhanë pak me vonesë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, pasi duhej të ishin ndarë që në muajt e fundit të vitit që kaloi.