BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Çmimi “Pjetër Gaci” edicioni i njëzetë, konkurrimi në disiplina të ndryshme muzikore

Çmimi “Pjetër Gaci” edicioni i njëzetë,

Konkursi me çmimin “Pjetër Gaci” këtë vit vjen në edicionin e njëzetë. Një konkurs i zhvilluar prej vitesh ku marrin pjesë artistët, i cili shërben dhe për nxitjen e talenteve. Çmimi “Pjetër Gaci” ka nisur të zhvillohet, që në vitin 2001. Në qytetin e Shkodrës ndër vite si pjesë e këtij konkursi kanë konkurruar artistë të ndryshëm, ku dhe këtë vit edhe pse kohë pandemie çmimi “Pjetër Gaci” nuk do të mungojë në jetën artistike. Bashkia Shkodër dhe qendra kulturore “Pjetër Gaci” organizojnë çmimin “Pjetër Gaci” edicioni XX, dhe teatri “Migjeni” ka publikuar materialin për zhvillimin e tij, ku thuhet se përfshin disa disiplina muzikore. “Ky aktivitet, i cili zhvillohet në qytetin e Shkodrës që nga viti 2001, është një konkurs i interpretuesve të rinj të muzikës klasike, që ka si synim evidentimin dhe nxitjen e talenteve të reja, duke i krijuar mundësi të pasurojnë procesin formues. Çmimi “Pjetër Gaci” përfshin disiplinat muzikore: piano, harqe, kanto, frymorë, kitarë. Ftohen të gjithë nxënësit dhe studentët nga Shqipëria, rajoni dhe Europa. Afati i fundit i aplikimeve është 21 prill”, thuhet në materialin për këtë çmim, ku në garë nuk do të jenë vetëm artistë nga Shqipëria, por dhe të huaj. Të dhënat rreth këtij konkursi tregojnë se çmimi “Pjetër Gaci” edicioni XX do të jetë nga 28 prill-1 maj. Drejtor artistik Klevis Gjergji dhe konsulent artistik Markelian Kapidani. Në faqen e rregullores për çmimin “Pjetër Gaci” janë publikuar dhe kriteret për pjesëmarrësit. Pjetër Gaci është një nga emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare. Mjeshtri që hodhi bazat e krijimtarisë muzikore për violinë dhe orkestër, dhe gjithë jetën e tij ia dedikoi muzikës. Vepra e tij krijuese është një gur i çmuar në historinë e muzikës shqiptare. Ai lëvroi pothuajse të gjitha zhanret e muzikës duke krijuar vepra të mrekullueshme. Shkroi vepra simfonike, kantata, opera, muzikë skenike (tablo koreografike), romanca, muzikë filmash, këngë të lehta, këngë popullore, këngë për fëmijë. Shkroi muzikë instrumentale ku spikasin koncertet për violinë e orkestër, të cilat jo vetëm i interpretoi vetë, por janë të përhershme edhe sot në repertorin e orkestrave.

Aktiviteti i kompozitorit

Pjetër Gaci, (27 mars, 1931 - 27 mars, 1995), ishte kompozitor shkodran, violinist dhe pedagog i muzikës klasike. Ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”. Pjetër Gaci u lind në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës më 27 mars të 1931. Në Shkodër kreu arsimin fillor. Studimet për violinë i nisi në Liceun Artistik "Jordan Misja", në vitet 1948-1952, për t'i vazhduar në Konservatorin e Moskës “P. I. Çajkovski” në të cilin edhe u diplomua në pranverë të vitit 1967. Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u përkujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike "Prenk Jakova" të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956). Në vitin 1989 Pjetër Gacit iu akordua titulli "Artist i Popullit".