BREAKING NEWS

Amerikanët të prerë për zgjedhjet, ultimatum Ramës, Bashës dhe KQZ të lënë jashtë listave personat “non grata” në SHBA dhe të inkriminuarit

Amerikanët të prerë për zgjedhjet, ultimatum Ramës,
x

Kultura

Mimoza Marjanaku: Të jesh artist në këtë vend do të thotë të jetosh me ëndrra më shumë se sa me bukë, investimi në art i mangët

Mimoza Marjanaku: Të jesh artist në këtë vend do të

Viti 2020 po mbyllet me dhimbje, por pa humbur besimin që ditë më të mira do të vijnë. Kështu shprehet aktorja e njohur Mimoza Marjanaku, në ditët e fundit të 2020. Aktore e teatrit dhe me role dhe në kinematografi, Mimoza Marjanku në ditët e fundit të këtij viti flet për vështirësitë me të cilat u përballën edhe artistët. Sipas saj, një vit që kaloi me mallin për provat në teatër. Në intervistën për gazetën “SOT” Mimoza Marjanaku ndalet tek puna që bënë artistët me aktivitetin artistik online gjatë kohës së pandemisë. Ajo thotë se kjo ishte zgjidhja e vetme dhe më e mira e mundshme për të qenë pranë publikut. Mimoza Marjanaku, aktore e njohur e teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit tregon se këtë vit të vështirë në punën e saj pati dhe projekte artistike që u ndërprenë. Duke folur për jetën e saj artistike ndër vite me teatrin, aktorja tregon dhe emocionet me rolin, ku interpretoi në krah të aktorëve Yllka Mujo dhe Guljelm Radoja, në një dramë të titulluar “Të jesh nënë” të autorit Roberto Bracco me regji të Driada Dervishit. Vite me jetën artistike, por aktorja Mimoza Marjanaku thotë se të jesh artist në vendin tonë vlerësimi është minimal. Ajo shprehet se e do këtë profesion, dhe ndoshta dashuria për të e bën që të sakrifikojë shumë. Në këtë intervistë të saj në ditët e fundit të këtij viti, aktorja Mimoza Marjanaku thotë se duhet të shihet me seriozitet investimi që duhet bërë në fushën e kulturës, sepse arti pasuron shpirtin. Viti i ri do dhe pak ditë të vijë, por urimi i aktores Mimoza Marjanku është që bota ti kthehet normalitetit.

 

-Jemi në ditët e fundit të 2020. Ky vit për ju si aktore, si po mbyllet?

Për mua si qytetare e këtij planeti po mbyllet me dhimbje, por pa humbur besimin se ditë më të mira do të vijnë. Si aktore me projekte të parealizuara, me mall shumë për prova në teatër, me shfaqje të pa dhëna.

- Artistë të ndryshëm janë prezantuar online me materiale. Sa rëndësi pati për komunikimin me publikun këtë vit?

Absolutisht ka qenë zgjidhja e vetme dhe më e mira e mundshme. Në këtë formë nuk u “divorcuam” me publikun, por vazhduam një marrëdhënie dashurie në kushte pandemie. Teatri i Durrësit ka pasur një jetë të larmishme virtuale, duke e kthyer në traditë çdo fundjavë dhënien e shfaqjeve të repertorit, por dhe produkte të reja artistike të prodhuara në këtë periudhë. Unë këto aktivitete i kam përjetuar si terapi intensive për të mbajtur veten gjallë, në efiçencë dhe të motivuar dhe për këtë falenderoj “mjeken psikologe”, regjisoren Driada Dervishi, që ka mbajtur motorët ndezur në këtë institucion. Të gjithë aktorët kanë qenë të angazhuar në këto kohë të vështira në formën e diktuar. Në fillimin e vështirë të mbylljes së parë u realizua leximi prej të gjithëve i tregimeve të Çehovit, më pas u lexuan dhe u interpretuan letra korrespondenca të njerëzve të mëdhenj, mendimtarë, artistë, shkrimtarë dhe ishte një aktivitet i pëlqyer shumë. Të ngjasonte me një serial televiziv dhe që publikun sqimatar e nostalgjik e tërhoqi shumë. Unë pata fatin, që në një prej “serive” të isha Maria Callas, e cila i shkruante Pier Paolo Pasolinit dhe në fakt në këtë vit është emocioni më i bukur që kam përjetuar. Kjo është magjia, që na mban gjallë. Në 26 nëntor përkujtuam tërmetin e tmerrshëm që bëri dëme të jashtëzakonshme në Durrës dhe ne ishim përsëri aty, duke mos i munguar publikut të qytetit tonë që është shumë i ndjeshëm ndaj kësaj ngjarje të rëndë. Dhe përsëri do jemi live të gjithë, bashkë me Driadën në natën e ndërrimit të viteve për ti dhënë njerëzve një mesazh shprese me vargje të Mjedës.

- Ju si aktore sa ju pengoi në projektet tuaja artistike, çfarë mbeti pa bërë me rolet?

Në teatër shfaqja e fundit me publik ka qenë “Revizori” e Çehovit, e cila ishte shumë e suksesshme dhe u mbyll me publik plot dhe nuk mundi të shkonte në festivale, ku ishte e ftuar dhe në qytete të tjera përveçse Tiranës. Gjithashtu në fillim të këtij viti përgatitesha për të shkuar në Amerikë me dramën “Të korrat e gjelbërta” të shkruar dhe vënë në skenë nga aktori dhe regjisori Bruno Shllaku, por që ngeli e pa realizuar për momentin.

 -Çfarë shikon me rëndësi në punën tuaj?

Çdo profesion është i rëndësishëm. Por të jesh aktore do të thotë të jesh figurë publike dhe shumë e rëndësishme është të jesh profesioniste, por dhe njeri, të paktën ky është këndvështrimi im. Prandaj përpiqem të bëj më të mirën time.

 

-Një pjesë e projekteve tuaja janë në bashkëpunime me regjisorin Bruno Shllaku. Çfarë mund të thoni për punën me kinemanë dhe teatrin. Çfarë vlerësoni në punën me projektet?

Është e vërtetë dhe unë e konsideroj tepër të rëndësishme, sepse të jesh në kastin e Brunos është privilegj. Kam pasur shumë bashkëpunime me regjisorin Shllaku dhe kam akoma punë të pambyllura dhe dritë jeshile për projekte të reja.

-Nuk keni munguar dhe në skenat e huaja me shfaqje teatrore si në Suedi. Sa rëndësi pati për ju ky prezantim me shfaqjet, si u pritën aktorët nga Shqipëria?

 Vitin e kaluar kemi qenë në disa qytete, si në Stockholm, Malmo, Norrkoping , në një shfaqje të konceptuar për përvjetorin e shpalljes se Pavarësisë së Kosovës e titulluar “Bacë u kry amaneti” me regji të Bruno Shllakut. U prit jashtëzakonisht mirë dhe për mua është një nga eksperiencat më mbresëlënëse të karrierës time, sepse fjala shqip u dëgjua dhe u shijua edhe jashtë kufijve.

-Në rolet në kinematografi kë veçoni me punën tuaj dhe pse?

Dua të veçoj personazhin protagonist të nënës në filmin “Mrekullia”, një film religjioz por një dramë më vete, me skenar dhe regji të Bruno Shllakut. Ishte një rol i vështirë dhe i pari me një peshë të madhe ( protagonist). Aty kam parë besimtarët katolikë të qanin, ndërsa shihnin filmin dhe më pas të më flisnin për hallet e tyre, duke e besuar atë që panë në ekran.

-Po në fushën e teatrit?

Në teatër do veçoja rolin tim të parë dhe të vetëm në teatrin e Fierit me komedinë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, i cili është qyteti im i lindjes në një bashkëpunim me “Teatrin Shëtitës” dhe regji të Kiço Londos. Ishte eksperiencë shumë emocionale të rikthehesha në qytetin tim tashmë si aktore profesioniste.

-Ju keni vite me punën tuaj si aktore. Si nisi rruga drejt aktrimit dhe si kanë qenë fillimet tuaja me artin?

Çuditërisht fëmijët në përgjithësi ëndërrojnë të luajnë filma, të jenë protagonistë, fantazojnë të ngacmuar nga ato që shohin në televizione. Me sa duket edhe unë nuk i shpëtova kurrë kësaj imagjinate dhe sot jam aktore dhe vazhdoj përsëri të ëndërroj e të fantazoj. Dua të ngelem “e vogël” gjithë kohën time produktive. Kur të mos ëndërroj më besoj nuk do jem gjallë.

-Çfarë kujtoni me rolin e parë, kur morët duartrokitjet e para në skenë?

Roli im i parë është në krah të Yllka Mujos dhe të Guljelm Radojës në një dramë të titulluar “Të jesh nënë” të Roberto Bracco, me regji të Driada Dervishit. Ndihesha si në qiell, që isha në krah të Yllkës në rolin tim të parë.

-Në jetën si aktore, çfarë do të donit të kishte ndryshe?

Të luaja në drama shqiptare, të cilat pothuajse kanë vdekur. Dhe kjo do të thotë, që unë jetën time si aktore po e jetoj në një periudhë pa dramaturgji. Nuk është absolute, sepse ka dhe autorë të mirë por raste sporadike.

-Për ju sa e vështirë është të jesh artist, me çfarë përballet në aktivitetin artistik?

Të jesh artist në këtë vend do të thotë të jetosh me ëndrra më shumë se me bukë, sepse dhe vlerësimi për ne është minimal. Ndoshta kështu duhet të jetojnë artistët se përndryshe nuk ëndërrojnë dot. Unë e dua këtë profesion shumë dhe ndoshta dashuria më bën të sakrifikoj shumë dhe kur nuk duhet bërë. Por dashuria s’ka brirë, thonë të vjetrit.

-Për ju çfarë duhet bërë më shumë për teatrin në vendin tonë, për aktivitetin teatror ku duhet ndihmuar?

Të përsëris së çfarë është teatri, çfarë është arti kam frikë se bëhem e lodhshme dhe këtë besoj e dinë të gjithë. Por një pjesë e dinë dhe e harrojnë, e një pjesë bëjnë sikur harrojnë. Unë mendoj që të duash duhet të investosh. Ne kemi trupat, kemi gojën dhe zërin instrument dhe kemi shpirt për të dashuruar skenën. Kultura dhe arti pasuron dhe purifikon shpirtin. Prandaj duhet të shihet me shumë seriozitet investimi në art, që është i mangët ende.

-Urimet tuaja për 2021, në këto ditë të fundit të vitit 2020?

 Uroj të vijë një vit ndryshe dhe bota ti kthehet normalitetit! Ta presim me besim! Botës shpëtimi do i vijë vetëm nga dashuria! Gëzuar.

Intervistoi: Julia Vrapi