Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ministrja Kumbaro i shmanget Komisionit të Medias, deputetët e opozitës: Të ishte këtu për skandalet

Postuar: 20/02/2018 - 08:07

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro kishte konfirmuar që do të ishte e pranishme në seancën dëgjimore në Komisionin e Medias, por anulloi pjesëmarrjen paraditen e së hënës, duke sjellë përplasje mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Kumbaro ishte e ftuar nga opozita për interpelancë në lidhje me çështjet e Teatrit Kombëtar, projektligjin e artit apo dhe për rrënimin e monumenteve të kulturës. Por të hënën në komision u paraqitën Sekretari i Përgjithshëm, Drejtorja e Kabinetit dhe Këshilltari për Legjislacionin në Ministrinë e Kulturës. Për deputetët e opozitës ministrja Kumbaro po shkel Kushtetutën, sepse dy herë ka refuzuar të marrë pjesë në Komisionin e Medias. Ndaj dhe refuzuan të zhvillojnë seancën me stafin teknik të Ministrisë së Kulturës. Kryetarja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi tha se është e paprecedentë që ministrja Kumbaro të konfirmojë pjesëmarrjen dhe ta anullojë. Ajo shtoi se ministret po shkelin kushtetutën. “E ftuam ministren të premten në datën 15. Ministrja na informoi që e kishte të pamundur dhe vendosëm që ta thërrisnim të hënën. Ministrja ra dakord që do të ishte e pranishme dhe do të informonte komisionin. Siç duket u urdhërua nga kryeministri dhe nuk u lejua që të vinte pranë këtij komisioni. Është e paprecedent që kjo ministre thotë do të vij në komision, dhe marrin urdhër nga kryeministri dhe nuk mund të vij. Si mund të shkelet Kushtetuta e vendit? Ministrja sot duhet të ishte këtu për t’u përballur me pyetjet. Shqetësim i madh arroganca e pushtetit. Kumbaro duhet të ishte këtu për t’u përgjigjur për gjithë skandalet që po ndodhin”, u shpreh Albana Vokshi. Deputeti i PD, Luçiano Boçi tha se është absurde mospjesëmarrja e titullares së Ministrisë së Kulturës. “Absurde që kemi para nëpunësit e ministrisë dhe jo ministren. Kjo është shkelje e rregullores. Ne kërkojmë në mënyrë të domosdoshme që të jetë e pranishme në seancë dëgjimore ministrja e Kulturës. Sekretari i Përgjithshëm nuk është personi për t’i dhënë përgjigje shqetësimeve dhe pyetjeve që kemi. Sekretari i Përgjithshëm nuk është status politik, është status administrativ. Ministrja duhet të ishte këtu për të mbajtur përgjegjësinë për rrënimet e monumenteve të kulturës dhe çështjen e Teatrit Kombëtar. Sot kërkohet të prishet një objekt i memories historike”, tha Boçi.

Largimi i mazhorancës nga komisioni

Por për deputetët e mazhorancës kryetarja e Komisionit u tregua e njëanshme në dhënien e fjalës me gjatë deputetëve të PD, ç’ka bëri që ata të largoheshin nga komisioni. Deputeti i PS, Fidel Ylli tha se aty nuk po flitej si në komision, por si konferencë shtypi. “Konferencat e shtypit bëjini atje tek PD, te SHQUP. Nëse doni të flisni për problematikën e zhvillimeve të kulturës, hajde flasim”, u shpreh Fidel Ylli. Në përplasjet mes deputetëve në Komisionin e Medias deputetja e PS, Milva Ikonomi kërkoi largimin e mazhorancës. Për kryetaren e komisionit të Medias Albana Vokshi largimi i mazhorancës është anormal. “Të refuzojë opozita mënyrën arrogante te qeverisjes, është normale, por të largohet mazhoranca është anormale”, tha Vokshi. Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj tha se problemi është politik dhe ministrja e Kulturës duhet të ishte e pranishme në komision. “Kërkesa e grupit të opozitës për të thirrur ministren e Kulturës është në përmbushje të plotë të një detyrimi kushtetues që kanë komisionet parlamentare për të kontrolluar funksionimin e qeverisjes dhe qeverisja për të dhënë llogari para komisionit përkatës. Ajo që duhet të sqarojmë nuk ka të bëjë me personalitete të nderuara që janë thirrur dhe janë të pranishëm nga Ministria e Kulturës. Problemi është politik, ne i jemi drejtuar Ministres së Kulturës për një problematikë ku qëndrimi i saj është shumë më i rëndësishëm, personalitetet që janë këtu përfaqësuese nuk e kanë tagrin politik për tu shprehur”, tha Rrokaj. Më tej në fjalën e tij, ai shtoi se ministrja e Kulturës duhet të ishte e pranishme për të treguar nëse do të ketë ndërhyrje në monumentet e kulturës që po shemben, por dhe për mungesën e dialogut me grupet e interesit. “Ne duam të dimë nëse qeveria ka një koncept të qartë tani me shkatërrimin e dy urave, të kishës, të kalasë së Gjirokastrës, do ketë mundësi për të ndërhyrë apo jo? Ne jemi të shqetësuar për mungesën e dialogut me grupet e interesit”, vijoi Rrokaj. Çështja e Teatrit Kombëtar prej disa ditësh po përball ministren Kumbaro me akuzat e artistëve për mungesë transparence, por me probleme po shihet dhe projektligji i artit, ku sipas tyre po zhbëhen institucione dhe kanë munguar konsultimet./Julia VRAPI  

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 28

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/06/2018 - 09:44

Artistët kanë refuzuar ftesën e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për një dëgjesë të dytë, lidhur me debatin e shembjes ose jo të godinës së Teatrit Kombëtar.

Postuar: 24/06/2018 - 08:22

Aktivitetet në jetën artistike sot me tepër i japin rëndësi anës komerciale.

Postuar: 24/06/2018 - 08:21

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka rikthyer për publikun kinemanë e viteve ’90.

Postuar: 24/06/2018 - 08:09

Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu interpretoi krahas yjeve të muzikës lirike, në takimin vjetor më

Postuar: 23/06/2018 - 07:53

Artisti Oltsen Gripshi pasi u vlerësua me një çmim prestigjioz “Canova Prize 2018”, n

Postuar: 23/06/2018 - 07:51

Filmi “Cirku Fluturues” me regji të Fatos Berishës dhe me producente Vjosa Berisha ës

Postuar: 23/06/2018 - 07:46

Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Arkeologjisë së Konstancës, në Rumani, së bashku me Shoqatën Lidhj