BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Kultura

Miron Kotani: Vendimi i qeverisë për ndalimin e muzikës në lokale i padrejtë, penalizime vetëm për ata që shkelin rregullat

Miron Kotani: Vendimi i qeverisë për ndalimin e muzikës në

Me situatën e krijuar nga Covid-19, qeveria mori vendimin për të ndaluar muzikën pas orës 20:00 të mbrëmjes. Gjatë këtyre ditëve artistë dhe krijues të ndryshëm, që preken nga akti normativ pasi kanë aktivitet në vendet ku ndalohet muzika kanë reaguar, duke pohuar se nuk është e drejtë. Për kompozitorin e njohur Miron Kotani i cili performon dhe në piano bar, ky është një vendim i cili nuk është menduar si duhet dhe ka sjellë pasoja për artistët. Në reagimin e tij kompozitorit Kotani thotë se kjo është një sulm ndaj artistëve të muzikës. “Instrumentistë, këngëtarë, kompozitorë, etj, janë të prekur nga ky vendim. Për mua është non sens vendimi në këtë aspekt, që ti si shtet lejon lokalin si aktivitet dhe pas orës 20:00 të mbrëmjes, ndërkohë që ndalon vetëm muzikën. Por nëse do të ruash, atëherë mbyll aktivitetin të gjithë siç u bë në mars e prill. Pra duket se është një sulm më tepër ndaj muzikantëve dhe artistëve në përgjithësi se sa është masë ndaj Covid. Virusi nuk mund të vijë deri në orën 20:00 të mbrëmjes, sepse po bën muzikë?”, shprehet Kotani në reagimin e tij. Miron Kotani me aktivitetin e tij muzikor është nga artistët e vlerësuar në vendin tonë. Një prej artistëve, i cili me aktivitetin e tij ka spikatur në krijimtarinë muzikore. I gjendur në këto kushte kompozitori Miron Kotani thotë se ai ka performuar në piano bar gjatë muajit qershor dhe korrik dhe rregullat janë zbatuar, ndërsa shton se vendimi i qeverisë duhej të ishte menduar për ato vende ku shkelen rregullat për pandeminë. “Mendoj se muzikë duhej të bëhej dhe sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat. Unë kam performuar edhe në qershor e muajin korrik, por aty në ato vende ku kam qenë ka qenë distanca shumë e largët nga tavolina në tavolinë. Rregullat janë respektuar dhe muzikë në piano bar në dy a tre orë në volume të vogla nuk besoj problem. Aty ku shkelen masat është për tu marrë shembull dhe te mbyllje e aktivitetit dhe aty ku masat zbatoheshin nuk kishte pse të merreshin vendime kaq ekstreme. Por është pazotësia e shtetit për të reaguar aty ku duhet, për të mbyllur ato lokale të natës që nuk zbatojnë rregullat e pandemisë dhe nxjerr një VKM që djeg dhe ata që zbatojnë rregullat. Kjo mendoj që është e gabuar”, thotë Kotani.

Reagimet e autorëve

Përballë kësaj gjendje që ka sjellë pasoja për komunitetin e artistëve, kompozitorit Miron Kotani që është dhe anëtar në shoqatën “Albautor” thotë se para disa ditësh u zhvillua një mbledhje për këtë problem. Kotani tregon se një pjesë e autorëve ende nuk ishin të qartë për këtë vendim, por ai indirekt i prek dhe krijuesit. “Ne si “Albautor” bëmë një mbledhje para një jave për këtë vendim, sepse një pjesë e autorëve ishin të paqartë dhe thoshin çfarë pune kemi ne me këtë masë të lokaleve deri në orën 20:00 të mbrëmjes muzikë, duke qenë se ne nuk jemi performues por jemi autorë. Ndërkohë që arsyeja është, që indirekt edhe autorët, krijuesit i prek ky vendim i qeverisë. Duke qenë se ti e bllokon ekzekutimin e muzikës atëherë preket dhe një autor, sepse i pakësohen shanset dhe mundësitë që të ekzekutohet vepra e tyre muzikore”, vijon më tej kompozitori Miron Kotani. Në reagimin e tij kompozitori Miron Kotani thotë më tej se te ajo mbledhje u kërkua, që të bëhej një letër drejtuar kryeministrit dhe qeverisë që ta rishikonte këtë vendim, por dhe të mbështesë me paketë ndihme krijuesit dhe anëtarë të “Albautor”, sepse preken si nga Covid, por dhe nga kjo masë e fundit që u mor.