BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Kultura

 Moikom Zeqo: Institucionet jashtë funksionit mbrojtës të monumenteve të kulturës, katrahura e betonit po zhduk godinat tradicionale

 Moikom Zeqo: Institucionet jashtë funksionit mbrojtës të

Në vendin tonë monumentet e kulturës nuk janë mirëmbajtur sa duhet, ndërsa dëmtimet ndër vite kanë vijuar. Përballë kësaj gjendje specialistë të fushës shprehen me kritika për institucionet, ku sipas tyre më tepër bëhet propagandë. Arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo shprehet se me rëndësi në vendin tonë janë dhe muzetë, që sipas tij problemet nuk janë të pakta. Në intervistën për “SOT” arkeologu dhe studiuesi pohon, se edhe datat e shënuara për monumentet apo muzetë kalojnë pa bërë një bilanc të punës nga institucionet. Sipas studiuesit të njohur, vendi ynë është shumë larg koncepteve për monumentet, që ka Europa. Me kritika ndaj Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, arkeologu Moikom Zeqo shprehet se ndër vite në qytete të vendit janë shkatërruar monumente të kulturës dhe kur flasim për Tiranën humbjet vazhdojnë. Sipas studiuesit, në Tiranë godinat karakteristike si një traditë popullore kanë mbetur të pakta.

-Dita e muzeve shënohet çdo vit më 18 maj. Për ju sa rëndësi ka kjo ditë për muzetë, në vendin tonë sa kanë qenë në vëmendjen e institucioneve?

Dita e muzeve është në unison me një datë festive për muzetë në të gjithë Europën, pra është një veprimtari përkujtuese dhe për të lartësuar vlerat e monumenteve të kulturës. Kjo si datë në kalendarin e kulturës së Shqipërisë ka rëndësi, por po të shikohet me kujdes festa e monumenteve në të vërtetë bëhet në mënyrë retorike dhe sipërfaqësore. Unë nuk di që gjatë këtyre 30 viteve të fundit, qoftë qeveritë e djathta dhe të majta në Shqipëri përgjithësisht institucioni i Ministrisë së Kulturës të ketë bërë një gjë serioze substanciale për vetë monumentet, kurse datat festive i bëjnë më tepër për të stimuluar një propagandë për monumentet në një kohë që ndaj tyre nuk ka asnjë vëmendje shkencore, dhe nuk ka asnjë krijimtari të mirëfilltë institucionale për ti lartësuar këto monumente. Pra janë data dekorative dhe propagandistike më tepër se sa për të bërë një bilanc, për shembull para dhjetë vitesh ishim në këtë situatë me monumentet e Shqipërisë dhe pas kaq vitesh kemi bërë një ndryshim të madh, gjë që nuk ka ndodhur përkundrazi kemi një stanjacion në konceptin tonë jo vetëm festiv, por dhe institucional për monumentet në vend.

-Për shkak të pandemisë muzetë kanë qenë mbyllur prej disa javësh dhe 18 maji është pohuar se do të jetë dhe data e hapjes së tyre. Ju u shprehët se nga institucionet më tepër bëhet propagandë se sa janë në vëmendje muzetë apo monumentet në vend. Çfarë ka sjellë kjo?

Qoftë data e hapjes nga pandemia ose situata postpandemike nuk ka të bëjë me thelbin e kriticizmit, që thashë më sipër. Mund të jenë të hapura, por nuk ka ndryshuar diçka në thelb për vlerësimin dhe mbarëvajtjen e tyre me atributet dhe konceptet e kohës. Jemi shumë larg koncepteve për monumentet që ka Europa. Unë kam parë qytete jo me shumë emër të njohur si Roma, Trieste ose Milano, qytete të Italisë të cilët nga viti në vit kanë shtuar serinë dhe koleksionin e monumenteve qoftë dhe duke i mirëmbajtur, por dhe duke i restauruar. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Përshembull katër qytete të monumenteve të rëndësishme kulturore siç është Durrësi, Berati, Gjirokastra dhe Tirana nuk kemi një zhvillim progresiv për ti mirëmbajtur dhe shtuar koleksionet e monumenteve të kulturës.

-Ju përmendët disa qytete të vendit, që nuk janë mirëmbajtur si duhet monumentet e kulturës. Çfarë ka ndodhur ndër vite?

Në Tiranë godinat karakteristike popullore me qerpiç, si një traditë popullore kanë mbetur të pakta. Jo vetëm që ne nuk e kemi vënë në qendër të vëmendjes një trashëgimi të tillë, por as kemi vrarë mendjen për të vënë një koleksion të dukshëm në konceptin edhe urbanistik të shikueshëm mes kësaj katrahure të betonit, që ka pushtuar sot mjedisin e Tiranës. Për shembull vlera e një shtëpie popullore siç është shtëpia e piktorit të popullit Sali Shijaku është shumë herë më e madhe për profilin e identitetin e Tiranës, se sa pallatet shumëkatëshe që janë më tepër steriotipe betoni se sa vlera të mirëfillta arkitektonike. Pra shumë godina të arkitekturës së fillimit të shekullit të njëzet sidomos një pjesë e madhe e vilave të njohura të Tiranës ose janë ose janë prishur për të bërë “ndërtime” gjoja moderne ose janë planifikuar që të prishen, duke bërë që kjo trashëgimi arkitektonike që profilizon Tiranën dhe e bën të veçantë, bën dhe leximin midis epokave nga pikëpamje të arkitekturës se ka vrarë mendjen askush. Pranë Bashkisë së Tiranës duhet të ketë një grup arkitektësh, që të kenë një plan shumë të detajuar për evidentimin e monumenteve arkitektonike të Tiranës. Po përmend qytetin e Durrësit, që ka pasur disa godina dhe ndërtime karakteristike popullore. Rruga rreth amfiteatrit të Durrësit, por dhe mbi amfiteatrin para se sa të zbulohej kishte godina me stilin popullor, të cilat sot janë shkatërruar. Pse duhet të ndodhë një gjë e tillë? Vende të tilla siç është shtëpia Kuka, ku ka jetuar Fan Noli kur u bë peshkop duhej të bëhej muze por është lënë e braktisur, apo pallati ku ka jetuar princ Vidi, që më vonë u bë Shtëpia e Pionierit u shkatërrua me një marrëzi të pafund, duke humbur kështu një nga godinat më të bukura. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Krujë. Për mua është tmerruese, që shumë afër tregut karakteristik të Krujës, që pati disa restaurime janë ngritur pallate betoni, që nuk kanë të bëjnë fare me identitetin e qytetit të Krujës, si qytet turistik dhe historik. Mendoj që flasim shumë për turizmin, por nuk kemi të motivuar thelbin se pse duhet të jetë dhe çfarë do të shikojnë turistët, betonin apo gjërat karakteristike antike dhe mesjetare? Në Tiranë ka pasur dy prishje që kuptova që janë të gabuara, lagjja e vjetër e Tiranës mbi të cilën u ngrit pallati i Kulturës apo dhe godina e ish Bashkisë, këto janë humbje që lidhen me identitetin. Por humbjet mund të jenë dhe pa i prishur monumentet.

-Kur shpreheni se humbjet mund të jenë dhe pa prishur monumentet, çfarë keni parasysh sot?

Kemi kullën e Sahatit te xhamia e Et’hem Beut, që ka qenë në të gjitha kartolinat si një pamje emblematike që të kujtonte Tiranën e dikurshme. Kam parasysh në Oksford ku kam qenë, ku nuk është bërë asnjë ndërtim modern, por kanë lënë ndërtimet mesjetare, kulla e sahatit e Oksfordit nuk ka ndërtime moderne rreth e qark. Shikoni se ç’po ndodh pranë kullës së sahatit në Tiranë, ka filluar dhe po hedh shtat një ndërtim i quajtur modern prej betoni. Natyrisht, që silueta e këtij ndërtimi të shëmtuar për mendimin tim do të prishë edhe atë që quhet kompozimi arkitektonik dhe urbanistik i kullës së sahatit të Tiranës. Në botë ka specialistë që merren me këtë punë jo vetëm për ruajtjen urbanistike dhe arkitektonike, por ka dhe specialistë që merren me ruajtjen e peisazhit. Është e rëndësishme që në qytete të tilla si Tirana ku shihej silueta madhështore e malit të Dajtit dhe ishte një pasuri emblematike e pamjes së qytetit, duke bërë ndërtime të larta kemi bërë atë që është e paimagjinueshme. Po zhdukim nga brendia e qytetit siluetën e dukshme të malit të Dajtit. Pra inxhinieria e peisazhit tek ne ka qenë gjithmonë një disiplinë e humbur dhe pa asnjë të ardhme.

-Pak ditë më parë edhe profesor Emin Riza u shpreh me kritika ndaj Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, si dhe Ministrisë së Kulturës për problemet që janë sot në trashëgiminë kulturore dhe sipas tij nuk dëgjohet zëri i specialistëve. Në këtë situatë çfarë mund të na thoni për punën e ministrisë dhe të IKTK?

Për mendimin tim qoftë Ministria e Kulturës dhe qoftë dhe një instrument i ministrisë siç është dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës ( sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore) janë jashtë funksionit të tyre mbrojtës për monumentet, por janë brenda funksionit propagandues që nuk ka në të vërtetë vlera për tu marrë seriozisht. Po kush do ti dëgjojë zërat e specialistëve? Së pari, specialistët në monumentet e kulturës për shkak të moshës kanë dalë dhe në pension, një pjesë dhe kanë vdekur, kanë mbetur jashtëzakonisht pak. Unë nuk di specialistë të rinj të diplomuar, që të krijojnë dhe të fuqizojnë qoftë dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës. Si mundet të merresh me monumentet e kulturës kur dimensioni i studiuesve të monumenteve është në një krizë të thellë dhe është gati inegzistent. Nuk munden dot. Kush do merret zyrtarët e ministrisë, apo ata që quhen drejtues të Institutit të Monumenteve? Këta për mua janë anonim, nuk i njeh askush dhe nuk e kanë idenë se çfarë janë monumentet.

-Cili është komenti juaj për vendimin e qeverisë për kalimin e pronës së Teatrit Kombëtar nga Ministria e Kulturës tek Bashkia e Tiranës?

 Nuk besoj se do të ndodhë me të vërtetë një shembje e godinës së Teatrit Kombëtar. Kemi një lloj tërheqje nga kryeministri, i cili ishte autori i kësaj ideje për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar për të ndërtuar një teatër të ri në të njëjtin vend tek kryetari i bashkisë së Tiranës. Por kam idenë, që këto deklarata janë më tepër një lloj shkallëzimi në tërheqje dhe nuk besoj, që do të ndodhë me të vërtetë shkatërrimi i Teatrit Kombëtar. Nuk besoj jo brenda këtij viti, por as në një vit tjetër. Më pozitive, më konstruktive do të ishte ideja e artikuluar kaq shumë nga specialistë të tillë siç ishte dhe Maks Velo i ndjerë që vdiq, që të bëhej një teatër i ri në një pikë tjetër urbane të Tiranës. Fjala vjen hapësira përtej ish stacionit të trenit në Tiranë, që ka të realizuar dhe një bulevard të madh duhet të “popullohet” me ndërtime institucionale, dhe një nga këto do të ishte teatri i ri kombëtar ashtu siç mund të ishte në të ardhmen edhe biblioteka e re kombëtare, sepse dhe çështja e saj është e madhe.

-Në krijimtarinë tuaj me çfarë po merrni këtë kohë?

Unë kam mbaruar një libër që titullohet “Kështu foli Mona Liza”, që e kam botuar para 20 vitesh dhe tani kam bërë plotësimin e këtij libri, që ende nuk ka dalë për lexuesit.