Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

“Monger” te “ArTurbina”, shfaqja e parë e baletit këtë vit në skenë nga TOB

“Monger” te “ArTurbina”, shfaqja e parë e baletit

Baleti “Monger” vjen për publikun, në ditët e para të muajt shkurt në skenë te “ArTurbina”. Shfaqja e parë e baletit nga Teatri i Operës dhe Baletit i takon kësaj vepre për këtë vit. “Monger” është një balet kontemporan, i cili mban firmën e koreografit të njohur Barak Marshall. Teatri i Operës dhe Baletit shprehet se është një vepër me dialogje dhe me nota të larta humori. Monger do të thotë “shitës” dhe fabula e gjithë kësaj shfaqje përmblidhet në këtë fjalë. Baleti “Monger” nga koreografi i njohur izraelito-amerikan, është cilësuar nga kritika si një krijim i shkëlqyer, inteligjent, dhe me humor.

Kjo vepër ngre çështje të pushtetit, vullnetit të lirë dhe kompromisit, që të gjithë ne bëjmë për të mbijetuar. Ky krijim ka një kombinim të muzikës nga Balkan Beat Box tek Handel, Verdi dhe The Yiddish Radio Project. Historia tregon për disa shërbyes të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje, që i shfrytëzon ata. Zonja simbolizohet nga një zile, e cila tingëllon, duke vënë në lëvizje balerinët. Një performancë e jashtëzakonshme e trupës tonë të baletit, që do të vijë mbrëmjen e datës 3 shkurt te “ArTurbina”.

Asistente në vepër është Alisa Gjoni dhe drejtore artistike Manjola Hasani. Kjo vepër baleti, që do të jetë në skenën në ditët e para të muajit shkurt, ishte premierë në maj të vitit 2016, në mbrëmjet e datave 28 dhe 29 në Teatrin e Operës dhe Baletit. Muzika është e jashtëzakonshme, pasi sjell të kombinuar elemente të muzikës gipsy deri tek ajo klasike dhe rok. Struktura narrative e pjesës është marrë nga disa burime përfshirë edhe pjesën teatrale të Jean Genet “The Maids”, si dhe nga jeta e puna e Bruno Shultz. Në vepër interpretojnë Rovena Shqevi, Lori Bala, Livia Laro, Fjoralba Zere, Dion Gjinika, Anxhelo Muçollari, Kristi Dushmani, Besi Skura, Julind Dervishi dhe Andi Vrapi. E porositur nga Qendra Suzanne Dellal, ky balet me elementë të theksuar teatralë është vënë për herë të parë në skenë në vitin 2008 e më pas duke hapur Festivalin Ndërkombëtar të Vallëzimit në Tel Aviv.

Aktiviteti i koreografit

Lindur dhe rritur në Los Angeles, Barak Marshall është djali i koroeografes së njohur, yllit të Kompanisë së Baletit Inbal, Margalit Oved. Edhe pse i hyrë aksidentalisht në botën e baletit në vitin 1995, ai u dallua thuajse menjëherë si një nga zërat më unikë dhe inovativë në Izrael. Krijimi i tij i parë “Aunt Leah” është vlerësuar me çmim të parë, në një kompeticion të rëndësishëm të organizuar nga qendra Suzanne Dellal. Barak ka krijuar koreografi për kompani të ndryshme baleti në të gjithë botën, ku mund të përmendim Les Ballets Jazz de Montreal, Ballet Rambert, Cisne Negro, Bodytraffic dhe Ballet Junior de Geneve.

Në 2012 ai mori një porosi nga Gustavo Dudamel dhe Filharmonia e Los Angeles për të krijuar një pjesë me muzikë nga John Adams për një mbrëmje gala. Në materialet e publikuara dikur në TOB, thuhej se që prej 2008 krijimet e Barak Marshall janë prezantuar mbi 1000 herë në Izrael, Europë, Azi dhe Amerikën e Veriut, ku përfshihen performanca në Montepellier Danse, Sadler’s Wells, Maison de la Danse, Joyce Theater, Banff Centre, Holland Dance Festival, Sibiu Festival, Edinburgh Festival Theatre, Annenberg Center, White Bird, Place des Artes de Montreal, Dance Umbrella UK, Switzerland’s STEPS Festival dhe Diana Vishneva Festival në Moskë. Në vitin 2011 ai është vlerësuar me çmim të parë për punën e tij nga fondacioni “Joyce”.