BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Monodrama “Bluz per Alto Sax” me aktorin Xhuliano Brisku, për rrugën e fatit tonë dhe përpjekjet për tu përballur me të

Monodrama “Bluz per Alto Sax” me aktorin Xhuliano Brisku, për

“Bluz per Alto Sax” është një vepër e autorit Doru Motoc. Monodrama me regji nga Adonis Filipi u interpretua nga aktori Xhuliano Brisku, dhe u shfaq si një premierë e mbyllur më parë. Vepra ka në qendër një personazh aq kompleks, por dhe aq frymëzues. Bën fjalë për një saksofonist, i cili fati e ka dërguar në qeli të vuajë një dënim të përjetshëm për një vrasje aksidentale të shokut të tij, e cila i ka kushtuar atij lirinë fizike, por jo atë shpirtërore. I ndodhur në këtë situatë, ai përpiqet me çdo kusht të gjejë lirinë e brendshme brenda asaj hapësire të vogël, duke u frymëzuar dhe duke gjetur paqe shpirtërore dhe mentale nga dashuria dhe pasioni i tij për saksofonin. Çfarë është fati? A është fati zoti i gjithçkaje? Kjo është pyetja, që edhe sot shumë njerëz i mban peng. Për aktorin Xhuliano Brisku, një nga artistët që është i njohur me rolet që ka luajtur në aktivitetin e tij artistik, “Bluz per Alto Sax” e autorit Doru Motoc sjell përpjekjet me fatin. “Kjo vepër e përcjell mjaft mirë rrugën e fatit tonë dhe përpjekjet për tu përballur me të në të gjitha format e ndryshme, dhe ajo që do ta shpëtojë prej makthit të saj është vetëm pasioni i brendshëm, dashuria për jetën dhe magjia e të bukurës”, thotë aktori Xhuliano Brisku. Në jetën artistike si aktor Xhuliano Brisku ka sjellë role të ndryshme, por personazhin në monodramën “Bluz per Alto Sax” e cilëson si “mjalti” i atyre që ka realizuar deri tani. Aktori ai shprehet se personazhet, që ka pasur fatin të luajë deri tani janë krejtësisht të ndryshëm nga ky i saksofonistit. “Pothuajse shumicën e karaktereve të kryera deri më tani kanë qenë shumë më ekspresive, më steriotipe dhe më show, ndërsa ky personazh është një njeri i ndjeshëm, introvert, pasionant, ëndërrimtar dhe i ndodhur në një qeli, këtë karakter e çon në një dimension tjetër, në një vend ëndrrash dhe bashkëbisedim me ëngjëjt. Kjo gjë e bën sa të çuditshëm, por dhe me interesant. Ky personazh është “mjalti” i karaktereve të kryera deri më tani”, pohon aktori.

Puna me veprën

Aktori Xhuliano Brisku tregon se këtë vepër regjisori Adonis Filipi ia kishte sjellë para 4 vitesh, por atëherë nuk ishte aq i sigurt për të nisur një punë kaq të madhe dhe një tekst aq të vështirë si “Bluz per Alto Sax”. “Por çdo gjë gjeti destinën e vet. Ne nisëm punën në muajin e parë të karantinës, por dhe atëherë nuk funksionoi për shkak të distancës dhe nuk mund të kryenim gjithë procesin e provave online. Por në muajin shkurt ne nisëm “prej vërteti” një iniciativë e gjitha e jona, pa asnjë mbështetje financiare. Donim të fitonim kohën e humbur nga karantina e gjatë. Ka qene një punë me një sens kërkues e eksperimental për qasje bashkëkohore. Për mua ka qenë një sfidë e madhe personale për ta arritur “të mbaj” një shfaqje i vetëm në skenë. Dhe për këtë i jam mirënjohës regjisorit Adonis Filipi”, shprehet ai. Si aktor Xhuliano Brisku thotë se me ndihmën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental të cilët i falenderon, mundën ta çojnë deri në fund këtë proces, me një premierë të mbyllur. “Qëllimi jonë ishte xhirimi i shfaqjes që përmes kësaj të kishim mundësi për ta dërguar në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Kjo shfaqje është dhe do të jetë gati në momentin kur teatrot do të hapin siparin e tyre, sikur dhe nesër të hapet për publikun e gjerë ajo është gati për ti dhënë fund pritjes së gjatë. Kjo shfaqje “valixhe” mund të shkojë në çdo cep të vendit, pasi është e përshtatshme për çfarë do lloje skene, por dhe në skena të hapura, në natyrë, etj”, pohon aktori. Me regji, ide skenik dhe dizajn muzikor nga Adonis Filipi, kostumet në vepër janë përgatitur nga Sofi Kara dhe as. regjisor Arjon Osmani.