BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

“Muaji i kujtesës”, një aktivitet përkujtimor për veprën e Kolec Topallit

“Muaji i kujtesës”, një aktivitet përkujtimor

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të "Muaji të kujtesës" organizoi një aktivitet përkujtimor kushtuar veprës së prof. dr. Kolec Topallit. Në këtë aktivitet studiues dhe gjuhëtarë vlerësuan kontributin e prof. dr. Kolec Topallit (Shkodër, 4 dhjetor 1938 - Tiranë, 24 maj 2018). Prof. dr. Seit Mancaku në fjalën e tij u shpreh se ndihej i nderuar, që ndodhej në përkujtim të këtij personaliteti të shkencave gjuhësore, filologjike, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe mësues i popullit. “E meriton nderimin, sepse ka lënë një vepër të madhe në disa drejtime në fushën gramatikës së shqipes dhe në fushën e etimologjisë me studime të posaçme dhe të veçanta në këto fusha. Prof. dr. Kolec Topalli ka lindur në Shkodër, mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Shkencave dhe më pas u emërua mësues. Duke qenë pjesë e luftës së klasave u punësua si mësues në shumë rrethe të Shqipërisë. Unë personalisht e kam njohur kur punonte si mësues në Nikel të Krujës, pas mësimit ai gjithmonë merrej me studime e punë shkencore. Artikujt e tij kishin një nivel shumë të mirë shkencor prandaj kur erdhi të punonte në Institutin e Gjuhësisë ai punoi si një forcë e kualifikuar, pasi dinte edhe disa gjuhë të huaja. Atë kohë filloi menjëherë veprimtarinë shkencore”, tha prof. dr. Mancaku. Më tej në fjalën e tij në këtë aktivitet përkujtimor prof. dr. Seit Mancaku vijoi se prof. Topalli është autor i shumë veprave të rëndësishme studimore mbi gjuhën shqipe, monografi, përmbledhje studimesh dhe vepra kolektive. “Studioi tërë sistemin fonetik të gjuhës shqipe duke botuar kështu veprën “Fonetika historike e gjuhës shqipe”. Më pas iu dedikua studimit të morfologjisë gramatikës së gjuhës shqipe dhe botoi "Gramatikë Historike e Gjuhës Shqipe”. Botimet e tij vijuan me fjalorin Etimologjik. Pasioni që kishte për punën për gjuhën për kulturën kombëtare është për tu marrë shembull nga gjithë brezat e tjerë në fushën e filologjisë”, përfundoi prof. dr. Seit Mancaku. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, ndër të tjera tha muzeumet janë vende në të cilat kujtesa luan një rol të rëndësishëm, sepse na lidh me të shkuarën dhe nxjerr mesazhe të rëndësishme për të sotmen. Dr. Koçi u shpreh se Muzeu Historik Kombëtar do të organizojë aktivitete, që i përkushtohen figurave të shquara të shkencës në Shqipëri, të cilët në një moment të jetës kanë pasur problematikën e përndjekjes dhe mosvlerësimit të veprës së tyre.