Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Muaji i muzikës, Haig Zacharian: Institucionet të kenë fond për krijimtarinë e re, ndryshe do flasim për import krijimtarie

Muaji i muzikës, Haig Zacharian: Institucionet të kenë fond

Ministria e Kulturës shkruan se qershori është Muaji i Muzikës. Muajt e fundit, janë shpallur si ai i librit, i muzeve, ndërsa qershori është i muzikës. Për krijues të ndryshëm gjatë këtij muaji është dhe Dita Ndërkombëtare e Muzikës më 21 qershor, por sipas tyre në vendin tonë politikat nuk kanë ndikuar në ndihmë të krijimtarisë dhe autorëve. Për problemet e ndryshme në fushën e krijimtarisë muzikore, kompozitori i njohur Haig Zacharian thotë se në këtë kohë që ka qenë e vështirë për aktivitetet muzikore nga Ministria e Kulturës duhet menduar për programin me muzikën. “Ministria e Kulturës duhet të shpallë një program, që ajo ka bërë qoftë dhe më përpara. Ky muaj nuk është i papritur dhe nuk ka lidhje me bllokimin nga koronavirusi. Muaji i muzikës ka qenë dhe më parë, por ne nuk dimë çfarë programi ka dhe çfarë aktivitetesh janë parashikuar nga ministria. Apo i ka bërë kërkesë shoqatave të ndryshme, që kanë një program të paraqesin projekt ide në ministri, etj. Pra nuk dimë se çfarë ka ndodhur, me programin e Ministrisë së Kulturës. Mbase mund të ketë ndonjë komunikim me Bashkinë e Tiranës, që ka qenë më aktive në këtë drejtim”, thotë kompozitori i njohur. Duke folur për këtë muaj, që është shkruar si muaji i muzikës nga Ministria e Kulturës në faqen e saj në Facebook, kompozitori Zacharian mes të tjerave thotë se nëse ka qenë një projekt që është dorëzuar në ministri dhe mund të zhvillohet gjatë kësaj kohe është mirë që të jetë në vëmendje. Sipas tij, gjatë kësaj kohe kur aktivitetet janë të ndaluara në salla të mbyllura ato mund të zhvillohen në ambiente të hapura duke ruajtur rregullat. “Nëse mund të ketë një projekt, që mund të jetë paraqitur për këtë muaj nga ndonjë shoqatë në ministri dhe mund të ketë dhe përshtatje këtë kohë, koncerti mund të zhvillohet te liqeni për shembull. Por më duket se këto i bëjnë në bashkëpunim me bashkinë”, thotë më tej kompozitori dhe pedagogu i arteve Haig Zacharian, një nga emrat e vlerësuar me aktivitetin e tij muzikor ndër vite në vendin tonë.

Ndihma për krijimtarinë

Herë pas here kompozitorët kanë pohuar dhe shqetësimin për një fond për krijimtarinë e re muzikore shqiptare. Sipas kompozitorit të njohur Haig Zacharian çdo institucion duhet të ketë fond për krijimtarinë e re muzikore, duke ndihmuar jo vetëm krijuesit, por dhe pasurojnë repertorin. “Çdo institucion duhet ta ketë fondin për krijimtarinë e re muzikore, duke filluar që nga Liceu Artistik “Jordan Misja”, por dhe me TOB, etj. Fond, që të porosisin krijimtari për muzikën e re shqiptare, sepse edhe e plotëson repertorin e vet institucioni, por dhe nxit krijimtarinë e re muzikore në vend. Por ne jemi ende larg këtyre ideve dhe punojmë me standarde të pakta”, shprehet mes të tjerave kompozitori Zacharian. Në reagimin e tij kompozitori shton më tej se kjo nuk duhet të jetë vetëm nga Ministria e Kulturës, por dhe më gjerë. Nëse kjo nuk bëhet, kompozitori vijon se nuk mund të flitet për zhvillimin e krijimtarisë së re muzikore. “Jo vetëm Ministria e Kulturës të ketë planifikuar fond për krijimtarinë e re muzikore, por çdo institucion që ka lidhje me artin duhet të ketë një plan për krijimtarinë muzikore, sepse përndryshe po flasim për gjëra të vdekura ose do flasim më pas ashtu siç është dhe në fusha të tjera vetëm për import krijimtarie”, thotë kompozitori. Kjo kohë për krijuesit në aktivitetin e tyre ka sjellë shumë vështirësi me muzikën dhe ata i janë drejtuar dhe më parë institucioneve, për politika në ndihmë të krijimtarisë.