BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

“Muaji i Poezisë”, një aktivitet në muze kushtuar Fan Nolit

“Muaji i Poezisë”, një aktivitet në muze kushtuar Fan

Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare organizoi aktivitetin përkujtimor “Fan Noli mes nesh”, në kuadër të “Muajit të Poezisë”. Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se figura e Nolit është një ndër figurat më emblematike të Shqipërisë, duke pasur një rol kyç në jetën politike, kulturore dhe religjioze të vendit. Gjithashtu, ai theksoi dhe rolin e Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale. Në këtë aktivitet përkujtimor i ftuar kryesor ishte prof. dr. Nasho Jorgaqi, njohës dhe botues i veprës së Nolit, por për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm dhe fjalën e tij e lexoi moderatorja e aktivitetit, znj. Sonjela Babaliu. Kumtesën e prof. dr. Hamit Kabës të pranishmit në aktivitet e ndoqën të regjistruar në monitor. Ndër të tjera prof. dr. Hamit Kaba foli për figurën e Nolit si politikan dhe kryesisht në marrëdhëniet e tij, me figura të tjera të politike të kohës. Gjithashtu ai trajtoi dhe marrëdhëniet e Nolit me shoqatën “Vatra”, si dhe rolin e tij në funksion të diasporës shqiptare në Amerikë. Prof. ass. dr. Bernard Zotaj mbajti kumtesën me temë “Roli i Nolit në fushën ushtarake”. Në vijim Andrea Llukani mbajti kumtesën “Ndihmesa e Nolit në përkthimin e teksteve liturgjike”, ndërsa Spiro Nika foli për “Objektet e Nolit në Muzeut Historik Kombëtar”. Aktiviteti u zhvillua sipas udhëzimeve dhe masave për mospërhapjen e virusit Sars-Covid 2. Fan Noli (6 janar 1882 - 13 mars 1965) ishte prift, përkthyes, publicist, shtetar, diplomat, poet dhe historian i njohur shqiptar. Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905), kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit "Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet" që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903-shit, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”. Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ka hyrë në panteonin e letrave shqipe me këto vepra: Album vëllim vjershash - 1948; Historia e Skënderbeut - 1921; Autobiografia - 1960; Izraelitë e Filistinë - dramë dhe Bethoveni dhe Revolucioni Francez. Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forest Hills Cemetery, të Bostonit.