Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Muzeu Arkeologjik i Durrësit atraksioni turistik i 9242 turistëve, dominojnë polakët dhe çekët

Postuar: 08/08/2018 - 07:38

Muzeu Arkeologjik në Durrës, një objekt i rëndësishëm i ruajtjes së trashëgimisë kulturore të qytetit të lashtë, gjatë muajve janar-korrik të këtij viti është vizituar nga 9242 turistë, ku 5000 prej tyre janë shtetas të huaj. Kryesisht në grupet e turistëve të huaj dominojnë polakë e çekë, por interes për 3000 objektet me vlera të rralla që i përkasin katër periudhave të ndryshme historike parahistorike, këtë vit kane treguar edhe italianët e anglezët. Muzeu i parë arkeologjik në Durrës është hapur më 13 mars të vitit 1951. Ishte nisma e intelektualit Vangjel Toçi, i cili deri në atë kohë ishte bërë mjaft i njohur në Durrës edhe si krijuesi i bibliotekës së qytetit më 10 shtator 1945 dhe që vendosi në eksponatet e muzeut të ri koleksionin e objekteve që kishte mbledhur me shumë kujdes dhe me mbështetjen e dhjetëra qytetarëve durrsakë. Objektet e para qenë vendosur në një vilë 2-katëshe, që njëlloj si godina e muzeut të ri, ndodhej në shëtitoren “Taulantia”. Një emër që kujton banorët ilirë të cilët u bënë bërthama e qytetit, që fillimisht u thirr Epidamn e Dyrrah e në kohët e vona Durrës, ashtu siç e quajmë edhe ne tani. Ndërtesa e muzeut të parë arkeologjik rrethohej nga dy oborre të mëdha, me dy portikë krejtësisht origjinalë. Perimetrin e oborrit të parë e zbukuronte portiku i Xhamisë së Kavajës, që pas viteve 1990 u rikthye në qytetin ku ishte marrë 25 vjet më parë, ndërsa streha me monumente e oborrit tjetër mbante në mes një nga lulishtet më të bukura të qytetit. Një shembull për t’u admiruar. Edhe projekti i muzeut aktual lidhet me emrin e arkeologut Vangjel Toçi. Planet për ndërtimin kishin nisur që në fillim të viteve 1980, por dalja e tij në pension dhe përkeqësimi i buxhetit financiar të shtetit e shtynë për një kohë mjaft të gjatë realizimin e tij. Pas restaurimit dhe çeljes për publikun më 2015, vetëm në katin e parë të godinës janë riekspozuar rreth 2100 objekte, që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit, deri në shekullin e 4-t pas erës sonë. Në muzeun më të madh arkeologjik në Shqipëri paraqiten objekte arkeologjike të prehistorisë, periudhës arkaike dhe asaj të antikitetit. Përveç amforave dhe spirancave të zbuluara në fundin e detit, muzeu ka edhe një fond të pasur, që në të ardhmen do të jetë pjesë e pavijonit të mesjetës.

Rritet numri i turistëve dhe te Amfiteatri

Amfiteatri i Durrësit, i ndërtuar në fund të shek 1 pas Krishtit dhe i zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj. Amfiteatri i lashtë, i ndodhur në qendër të qytetit dhe 350 metra larg detit në drejtimin jugor, është vizituar gjatë periudhës janar-qershor nga 6181 turistë. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bën të ditur se në këta 6 muaj të parë të vitit është vizituar nga 2819 turistë të huaj dhe nga 1042 vendas. Sipas DRKK, vizitorët e huaj kanë qenë nga shtete të ndryshme si SHBA, Gjermania, Anglia, Polonia, Suedia, Franca, Italia, Kina, etj. DRKK bën të ditur se falë bashkëpunimit me agjencitë turistike në Shqipëri dhe jashtë saj, është bërë i mundur koordinimi për një mbarëvajtje sa më të mirë të vizitës në objektet e trashëgimisë kulturore të Durrësit. Amfiteatri i Durrësit ka arkitekturë romake dhe është ndërtuar në fund të shek. I pas Krishtit, në periudhën e perandorit Trajan. Ai është shfrytëzuar për dyluftimet e gladiatorëve dhe të shtazëve të egra për afro 2 shekuj. Në shek. 5 pas Krishtit u ndaluan ndeshjet e gladiatorëve dhe amfiteatri nisi të braktisej. Në mjediset e tij u ndërtuan një kapelë (kishëz) bizantine. Në muret e kapelës ndodhen disa afreske dhe mozaikë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se është bërë pjesë e këtij profesioni prej rreth 25 vitesh dhe pavarësisht këtij fakti thotë se ende nuk di shumë rreth tij.

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen &

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras