BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Kultura

Muzeu i Arsimit, ministrja Margariti: Edhe pak ditë nga përurimi

Muzeu i Arsimit, ministrja Margariti: Edhe pak ditë nga përurimi

Muzeu i Arsimit në Korçë ose Mësonjëtorja e Parë Shqipe iu nënshtrua një procesi restaurimi. Disa ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri një vizitë në Muzeun e Arsimit në Korçë, ku shkruan se edhe pak ditë kanë mbetur nga dita e përurimit. “Dukej shumë e largët dita, kur ndërtesa e rrënuar e Mësonjëtores së Parë Shqipe të kthehej në muzeun e ëndërruar. Po kthehem nga Korça me ndjesinë e mirë të një pune, që po shkon drejt fundit. Ka mbetur edhe pak...Edhe pak ditë nga përurimi”, shkruan ministrja Margariti, në një status të saj në Facebook, ndërsa ka publikuar dhe disa foto gjatë vizitës së saj në Korçë. Projekti u miratua më parë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, pas rënies së disa tërmeteve në qarkun e Korçës, që shkaktuan dëme në këtë monument të kategorisë së parë. Punimet filluan sipas parashikimeve me rrethimin e kantierit, ngritjen e skelerive, vendosjen e banerit dhe tabelës informuese. Në vazhdim të punimeve dhe pas bërjes së sondazheve të parashikuara në projektin e restaurimit, punimet vijuan dhe në ndërrimin dhe riparimin e suvatimeve të brendshme, ndërsa njëkohësisht u krye edhe çmontimi i çatisë ekzistuese, për të lehtësuar punimet dhe më pas për t’u restauruar. Në ndërtesën ku ndodhet sot Muzeu Kombëtar i Arsimit shqiptar, është hapur Shkolla e Parë në gjuhën shqipe, ose siç thirrej atëherë Mësonjëtorja e Parë Shqipe. Kjo shkollë u hap më 7 mars 1887, në shtëpinë ku banonte patrioti korçar Diamant Terpo, i cili e dhuroi këtë banesë për shkollën shqipe. Ndërtesa e muzeut ka disa mjedise ekspozimi. Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit shqip, e morisë së alfabeteve deri në alfabetin që kemi sot, vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908, pastaj edhe historia e librit shqip prej abetares së parë të gjuhës shqipe (Evetari, 1744), hartuar nga Naum Panajot Bredhi (Veqilharxhi) e deri te abetaret më të vonshme. Një pjesë e hapësirës së muzeut i kushtohet edhe masivizimit dhe modernizimit të arsimit dhe shkollës shqipe në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë është një godinë dy katëshe.