BREAKING NEWS

Ngjarje e rëndë/ Gjendet një person i vdekur në Sarandë, dalin dyshimet e para

Ngjarje e rëndë/ Gjendet një person i vdekur në
x

Kultura

 Muzeu në Butrint, i pasur me materiale arkeologjike

 Muzeu në Butrint, i pasur me materiale arkeologjike

Muzeu Arkeologjik në Butrint u krijua në vitin 1950 në mjediset e fortesës veneciane, në akropolin e qytetit antik të Butrintit, me materialet arkeologjike të zbuluara nga misioni arkeologjik italian i drejtuar nga Luigi Maria Ugolini, që shpëtuan nga shkatërrimet e Luftës II Botërore. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se edhe pse nuk mund të udhëtojmë si do të dëshironim, kultura na vjen pranë nëpërmjet teknologjisë. “Ju ftojmë në një vizitë virtuale në Muzeun Arkeologjik të Butrintit”, shprehet Margariti, ndërsa ka publikuar dhe një link për turin virtual. Fillimi i gërmimeve sistematike në këtë qytet nga arkeologët shqiptarë shtoi ndjeshëm objektet dhe monumentet arkeologjike, të cilat u pasqyruan përmes disa rikonstruksioneve të muzeut dhe në mënyrë të veçantë të atij të vitit 1988, kur muzeu mori formën e plotë. Historia e qytetit me lindjen, zhvillimin e rënien e tij shtjellohet me anën e materialit arkeologjik dhe me burimet e shkruara të autorëve antikë. Prezantimi edhe i qendrave të tjera më të vogla të banimit në zonën përreth Butrintit sqaron më mirë kushtet e lindjes e të lulëzimit të qytetit të Butrintit gjatë periudhës helenistike dhe periudhës romake. Monumentet e zbuluara dhe të ruajtura mirë, si dhe mjedisi piktoresk e kanë kthyer atë në qendrën më të rëndësishme arkeologjike të vizitueshme në Shqipëri. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit, etj.