BREAKING NEWS

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr jetën ish-ushtarakut të lartë (EMRI+FOTO)

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr
x

Kultura

“My name is Sonila”, me një histori shqiptare në garën e festivalit të filmit në Poloni

“My name is Sonila”, me një histori shqiptare në

Filmi “My name is Sonila” është përzgjedhur në konkurrimin zyrtar të edicionit të 60 të festivalit të filmit, që zhvillohet në Krakow të Polonisë. Filmi “My name is Sonila” me një histori shqiptare në ditët e sotme, me skenar dhe regji nga Suela Bako, ku një grua bëhet dëshmitare e një padrejtësie sjell në role aktorë të njohur të kinemasë. “My name is Sonila” është një prej 13 filmave, të cilët janë përzgjedhur nga një numër i madh prodhimesh kinematografike nga gjithë bota. Regjisorja Suela Bako shprehet se ndryshe nga edicionet e mëparshme, “Krakow Film Festival” do të zhvillohet këtë vit online dhe kjo për shkak të pandemisë globale. “Ky konkurrim online zhvillohet prej kushteve që jemi, por është një festival prestigjioz i kategorisë A dhe është shumë i rëndësishëm për mua”, tregon regjisorja Bako. Festivali i filmit në Krakow të Polonisë do të zhvillohet nga data 31 maj deri më datë 7 qershor dhe “My name is Sonila” është një film artistik me metrazh të shkurtër, prodhim i Erafilm Productions (Shqipëri) dhe Takami Production (Francë) financuar nga Qendra Kombëtare e Filmit. Në role janë aktorët Suela Bako, Marilda Furxhi, Kaltrin Zalla, Naun Shundi, Romir Zalla, Marvin Tafaj, Kastriot Shehi, Margent Çaushi, Bajram Dosti, Marsias Lila, Donika Ramallari, Ervin Mustafaj dhe Florind Belliu. Në film, Soni është një grua që bëhet dëshmitare e një padrejtësie, që i ndodh dikujt dhe ajo nuk reagon. Po si do të veprojë ajo kur e njëjta padrejtësi do ti ndodhë vetë asaj? Soni së bashku me vjehrrën e saj dhe të bijën marrin autobusin për të shkuar për ngushëllim tek një i afërmi i tyre. Padashje Soni vë re që një hajdut xhepash vjedh dikë në autobus, dhe nuk reagon ndaj veprimit të tij. Pasi hajduti i shoqëruar nga dy shokë të tij zbresin nga autobusi Soni zbulon se i kanë vjedhur kuletën edhe asaj. Në autobus krijohet një situatë e tensionuar, pasi edhe disa të tjerë kuptojnë se janë vjedhur. Pasi ka zbritur nga autobusi, Soni lajmëron policinë e cila sjell një patrullë me makinë në ndihmë të saj për të kapur hajdutët. Patrulla e sapoardhur zbulon se vjedhja ka ndodhur në një zonë që nuk është në varësi të tyre ndaj Soni transferohet në një patrullë tjetër policie përgjegjëse për zonën, e cila në vend që të vihet në ndjekje të hajdutëve e përcjell atë në rajon tek oficeri gjyqësor.

Puna me filmin

Filmi i metrazh të shkurtër, me skenar dhe regji nga Suela Bako shënoi premierën europiane në muajin shkurt në edicionin e 31 të “Travelling Rennes Film Festival” në Francë. Me pjesëmarrjen në kompeticionin zyrtar filmi shqiptar “My name is Sonila” shënoi premierën europiane, por prej këtej ky prodhim kinematografik pret të shfaqet në një tjetër festival në Poloni. Në punën e saj si regjisore Suela Bako është një emër i njohur për publikun dhe ky film vjen në vijim të aktivitetit të saj me kinemanë. Për punën e saj si regjisore, Suela Bako tregon mes të tjerave se dëshiron që të ndajë dhe shqetësimet e saj me kohën, që kalojmë. “Në punën time synoj të mësoj sa më shumë. Të kuptoj, të eksploroj natyrën njerëzore, të mund të ndaj shqetësime të miat”, shprehet ajo. Suela Bako, përfundoi studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ajo ka qenë pjesë e shumë filmave të shkurtër dhe të gjatë si aktore. Ajo ka luajtur role në Teatrin Kombëtar dhe prodhime të tjera teatrore. Në aktivitetin e saj ndër vite Suela Bako ka punuar si regjisore televizive për 10 vjet. Veprat e saj, ka qenë pjesë e shumë festivaleve ndërkombëtare të filmit. Filmi i saj “Darka” fitoi 5 çmime. Ajo ka qenë regjisore dhe skenariste e “Dritës” një dokumentar rreth Gjon Milit, fotografit të famshëm shqiptaro-amerikan. “Drita” ka qenë pjesë e shumë festivaleve ndërkombëtare, siç është Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik.